2007-01-27 17:15:19

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar.


(28.01.2007 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e katërt të Kohës gjatë vitit kishtar;
u përkujtua edhe festa e Shën Tomës së Akuinit, meshtar dominikan, doktor i Kishës, pajtor i shkollave katolike.
Nesër, e hënë, Kisha do të kremtojë Shën Kostancin, ipeshkëv i Perugjës dhe Shenjtorët Papia e Mauri, ushtarë martirë. Na kujtojnë se Krishti kërkon edhe shëlbimin e paganëve e se ai ngadhënjen mbi vdekjen e mbi të gjithë shpirtrat e ndyrë. Ngjallja e Jezusit hapi rrugën për t’ia predikuar Ungjillin mbarë njerëzimit.
Liturgjia e festës së Shën Martinës, martire, që do të kremtohet të martën, na kujton se fuqia që del nga Jezusi shëron e jep jetë. Kush është me të, kush e prek, kush e takon e e mikpret, fiton nga Zoti jetën e pasosur.
Shën Gjon Bosko, meshtar, themelues i salezianëve, atë e mësues i të rinjve, që do të kremtohet të mërkurën, na kujton se edhe njerëzit e kohëve tona shkandullohen e çuditen për Jezusin: për ta pranuar, duhet parë me sytë e fesë, e cila na mëson se Krishti është Biri i Zotit e se prandaj vetëm kush beson në të, e percepton të renë që sjell ndërmjet njerëzve.
Të enjten e ardhshme do të kremtohet festa e shën Brigjidës, abateshë në Irlandë. Liturgjia e ditës na kujton se Dymbëdhjetë Apostujt, të thirrur nga Jezusi, nisin misionin e shëlbimit: predikojnë pendesën dhe mbretërinë e Hyjit, pastrojnë zemrat njerëzore nga e keqja, kujdesen për ata që vuajnë. Janë të dërguar për të dëshmuar jetën, duke u bërë shembull e model për të krishterët e të gjitha kohërave.
Të premten e ardhshme do të kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull, që ndër shqiptarë njihet edhe si festa e Zojës së qirave. Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brënda mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brënda mureve. Zoti do të përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin.Shëna Vlashi që do të kremtohet të shtunën, na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari: kush ecën pas tij, nuk ka frikë nga askush, nuk i mungon asgjë!







All the contents on this site are copyrighted ©.