2007-01-27 17:18:12

Lajme nga Kisha në botë:


(28.01.2007 RV)RealAudioMP3 “Lutem për të gjithë ata që i ka ndihmuar, zëdhënës i të cilëve u bë, duke jetuar si ata e duke shembur murin e indiferencës. Uroj që të gjejnë ngushëllim në shpresën e Zotit-dashuri, të cilin ai e dëshmoi me çdo çast të jetës së tij”: me këto fjalë kryetari i ipeshkvijve francezë, kryeipeshkvi i Bordosë, kardinali Zhan-Pierr Rishard kujtoi abatin Pierre, që vdiq të hënën e kaluar në një spital të Parisit e u varros të premten e kaluar pas salikimeve solemne në katedralen e Shën Marisë.

Besimtarët kinezë të Shanxisë humbën një dëshmitar tjetër të fesë së krishterë: vdiq në moshën 80 vjeçare ipeshkvi i prefekturës apostolike të Kiangçov, imzot Jozafat Li Honguang.
Mbeti në kujtesën e besimtarëve si ipeshkëv fisnik, që ia kushtoi gjithë jetën ungjillëzimit. I shuguruar meshtar në vitin 1953, gjatë Revolucionit Kulturor kinez (1966-1976) kaloi 15 vjet në burg, ku u torturua mizorisht, sepse vijoi t’i qëndronte besnik Kishës katolike. Pasi u lirua, vijoi veprimtarinë baritore, duke dhënë edhe mësimin e gjuhës angleze në një shkollë të mesme e duke organizuar veprimtarinë për ngritjen e një fabrike tullash, si front pune për banorët e zonës. Prandaj, pavarësisht nga e ftohta e madhe, tre ipeshkvij e mijëra besimtarë e përcollën trupin e ipeshkvit të vdekur deri tek Shenjtërorja e Zojës së Papërlyer në fshatin Poli, ku prelati qe famullitar për disa vjet e ku u varros të martën e kaluar pranë paraardhësit të tij, imzot Agostin Zheng.
 
Në Javën e Lutjes për bashkimin e Kishës, kryeipeshkvi i Dublinit, Diarmuid Martin, duke marrë pjesë në konferencën ekumenike të Griinhill’s nënvizoi se baza teologjike e dialogut ndërfetar është njohja e përbashkët e ekzitencës së Zotit.
Mbi këtë bazë, që i siguron se Zoti është ati i përbashkët i mbarë njerëzimit e se mbarë raca njerëzore ka të njëjtën zanafillë e të njëjtin qellim – nënvizoi prelati - të krishterët e konfesioneve të ndryshme mund t’i kapërcejnë më lehtë pengesat e të ecin më të sigurtë në kërkimin e së vërtetës, të frymëzuar nga dëshira e sinqertë për ta njohur më mirë njëri-tjetrin, duke pranuar ndryshimet e duke nënvizuar atë që kenë të përbashkët.

Meshtari më i vjetër në botë është një murg trapist kinez. Quhet Nikolas Kao Se-tsean. Atë Nikolas sapo ka mbushur 110 vjet dhe jeton në trapën e Zojës së Gëzimit në Hong Kong. Pak ditë më parë bashkësia e tij së bashku me besimtarë të shumtë të Hong Kongut, e festuan këtë ditëlindje të jashtzakonshme me një Meshë shenjte kremtuar në kapelën e trapës.
Murgu i vjetër lindi në vitin 1897 në provincën Fuzhian. Ishte 36 vjeç kur u shugurua meshtar, për të filluar më pas misionin si famullitar i katedrales së Fuzhusë. Por pas pak kohe e la Fuzhunë, për t’u nisur si misionar në Taivan, në Malejzi, Singapor e Tailandë. Në vitin 1972, në moshën 72 vjeçare, vendosi të hynte në trapë. Nuk jam në gjendje të bëj gjëra të mëdha – kështu u shpreh kur e mori këtë vendim – por mund të lutem. E Zoti mund t’i ndryshojë situatat.
Gazetat e Hong Kongut, duke dhënë lajmin për kremtimin e 110-vjetorit të ditëlindjes së fra Nikolasit, kujtuan se një meshtar tjetër, e pikërisht spanjolli Atë Alvaro Fernandez, ka jetuar 118 vjet. I lindur në vitin 1880, vdiq më 1998.

Në Peru përfunduan punimet e mbledhjes së 89-të plenare të ipeshkvijve, që filluan më 23 janar në Limë. Tema e takimit ishte “Edukim i laikëve, identitet, impenjim, mision” Gjatë punimeve ipeshkvijtë bënë bilancin e veprimtarisë së zhvilluar vitin e kaluar nga Konferenca ipeshkvnore dhe përcaktuan rrugën baritore për 2007-tën. Në përfundim të takimit të madh, kryetari i Konferencës ipeshkvnore katolike nënvizoi sfidat e Kishës. Janë: diktataura e relativizmit, zbehja e praktikës fetare, kërcënimet kundër të drejtës për të jetuar, kundër dinjitetit të njeriut dhe vlerave themelore të rendit shoqëror.
Në përfundim të mbledhjes disa misionarëve domenikanë, iu dorëzua medalja “Shën Toribi i Mogrovejos”, pas një shekulli pranie në Perunë jug-lindore.
 Burundi: Organizmat e ndryshme të Kishës në Burundi janë impenjuar këto ditë në veprimtarinë e ndihmave për popullsitë e prekura nga përmbytjet. Nga 19 provincat e vendit, shtatë janë nën ujë. Në një situatë të tillë qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa Programi Ushqimor Botëror flet për një krizë të rëndë ushqimore.







All the contents on this site are copyrighted ©.