330-vjet më parë u miratua botimi i dokumenteve të Koncilit I të Arbnit.
(28.01.2007 RV)Më 28 janar të vitit të largët 1704 Kongregata për Ungjillëzimin
e Popujve, që njihej me emërtimin latin "Propaganda Fide" miratonte botimin e dokumenteve
të Konçilit I të Arbënit, apo mbledhjes së parë të Klerit të lartë katolik shqiptar,
që u mbajt në Mërçi, fshat mbi qytetin e Lezhës. Askohe në fronin e Shën Pjetrit
ishte ulur Papa shqiptar, Kelmendi XI, i cili i pati kërkuar Imzot Vinçenc Zmajeviçit,
Kryeipeshkëv i Tivarit, të kryente vizitën kanonike në të gjitha kishat dhe qëndrat
katolike të Shqipërisë. Pas vizitës, që e kreu brënda tre muajve; në dhjetor 1703,
prelati mblodhi në Kuvend kryetarët e klerit: 5 ipeshkvijtë e dioqezeve të vendit
dhe provicialin e Françeskanëve. Në përfundim, vendimet e Konçilit, shkruar në
shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas
miratimit më 28 janar 1704, datë që po e përkujtojmë sot, pikërisht 330 vjet më
pas, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin "Kuvendi i Arbnit o Koncili Provinciall
i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin". Imzot
Zmajeviçi i përcillte dokumentet me letrën që vijon, përmes së cilës shihet qartë
se kleri shqiptar i qëndroi pranë në gaz e në vaj popullit të vet dhe i parapriu
rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar pothuajse treqind vjet që kur u shkrua,
u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj, për ta bërë të kuptueshme për lexuesin: “Urdhnove,
o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës
seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij.
Pashë, - uh, ç'dhimbje, - vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë)
(Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave
– shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të
flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend!
Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra;
dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë;
e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë. Këto pashë e gjimova!
U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe për popullin tem e m'u coptuen, tek shihshe
mundimet e bijve që po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse
s'pat dijen. Tue ankue kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi
ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë
shtigje ma të mira se vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të
ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë,
pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë,
që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra
që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët
e mia të pa afta, nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i
cili ndërron motnat e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një
detyrë kaq e vështirë të kryhej si pata dëshirue. Nën hije Tande, o i Lumtun Atë,
po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem
me njegull, tashti nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del
në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja
e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot
këtë lumni dheut tonë; për t'iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në
shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes
Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande. Unë, pra,
në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk
më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta;
asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë
provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes sate. Pëlqe, pra,
o i Lumtuni Atë, dhantitë e nderimet e përvujta, sheje të Kombit tem, por ma fort
tandit. E, n'e pashë se ndokund puna duhet lëmue, godite e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm
e të pagabueshëm… Po, sepse kështu këto pak të falna, që përkojnë me vobësinë tonë,
me gjykimin e hyjnueshëm pagabim kanë për t'u shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën
të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t'ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin,
për shumë mot në Kishë e edhe ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe… Shkrue
në Perastti, ditën e dhetë të korrikut, në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e
tre. Marrë nga “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit
S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XIPo radhisim më poshtë klerikët që nënshkruan Konçilin
e Parë të Shqipnisë mbajtun në Merqi në vjetin 1703 nën kryesinë e Shkelqesisë së
Tij Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit. Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv
i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipni. Imzot Pjeter Karagjiku,
arqipeshkëv i emnuem i Shkupit. Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës. Imzot Nikollë
Vladanji, ipeshkëv i Lezhës. Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës. Imzot
Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit. Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik
i Misioneve t'Arbënisë. Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve
të Maqedonisë. Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.