2007-01-25 19:31:10

Libër mbi "Të drejtët, heronjtë e panjohur të Holokaustit”. Rolin i Kishes Katolike me në krye Papën Piu XII.


(25.01.07 RV) “Të drejtët, heronjtë e panjohur të Holokaustit”: është titulli i librit të një historiani të rëndësishëm të Luftës II Botërore, sër Martin Xhilbert. Flet për personat që shpëtuan hebrenjtë nga persekutimi nazist. Nga Polonia në Itali, nga Norvegjia në Francë, janë rreth 20 mijë të krishterë e myslimanë, që vunë në rrezik jetën për të shpëtuar hebrenjtë nga Shoah, shfarosja e plotë. Dje në Romë u fol për këtë libër në praninë e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone. Kardinali theksoi rolin e luajtur në atë kohë nga Kisha Katolike me në krye Papën Piu XII, i cili konsiderohet ndër “të drejtët” edhe në libër. Sër Xhilbert përmend mesazhin radiofonik për Krishtlindjen e vitit 1942, që e pati zemëruar keq Hitlerin. E për ata që akuzojnë Piun XII se ka heshtur, kujton se ai ka folur në mënyrë inteligjente e strategjike, duke i lënë vend punës kapilare të krejt kishës për shpëtimin e hebrenjve. Ndërkaq, kardinali Bertone përmend një deklaratë të qartë të Kongregacionit të Zyrës Shenjte në vitin 1938, që dënon hapur antisemitizmin, në kundërshtim me sa mendojnë se Kisha Katolike e ka dënuar atë vetëm në Koncilin II të Vatikanit.
Për dëgjuesit tanë, theksojmë se Shqipëria ka qenë një ndër ato vende ku asnjë hebre nuk i është dorëzuar nazistëve. Për këtë janë shkruar libra e madje është paraqitur edhe një rezolutë nderimi për popullin shqiptar në Kongresin amerikan, më 27 qershor të vitit të kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.