Kryeministri Viet Namit pritet nga Benedikti XVI: hap i rëndësishëm për normalizmin
e marrëdhënieve dypalëshe.
(25.01.2007 RV)Sipas njoftimit të një Komunikate të Sallës së Shtypit të Selisë
së Shenjtë, sot paradite kryeministri i Republikës Socialiste të Vietnamit, Nguen
Tan Dung, u prit në audiencë nga Benedikti XVI e më pas u takua edhe me sekretarin
e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, i cili shoqërohej nga Imzot Dominik
Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet. Selia e Shenjtë shpreh
kënaqësinë për këtë vizitë, e cila shënon një hap të rëndësishëm përpara drejt normalizimit
të marrëdhënieve dypalëshe. Këto marrëdhënie vitet e fundit kanë shënuar një progres
të dukshëm, duke i krijuar Kishës Katolike në Vietnam hapësira të reja për veprimtarinë
e saj në atmosferën e lirisë fetare. Gjatë bisedimeve u shqyrtuan kryesisht problemet
që nuk janë zgjidhur akoma e që urohet të zgjidhen sa më shpejt përmes dialogut ekzistues,
për të siguruar kështu bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kishës e Shtetit, në mënyrë
që katolikët të japin gjithnjë më shumë kontributin e tyre për të mirën e përbashkët
të vendit, sidomos në veprimtarinë për promovimin e vlerave morale në gjirin e rinisë,
në përhapjen e kulturës së solidaritetit dhe në veprimtaritë bamirëse në favor të
shtresave më të ligështa të popullsisë. U shkëmbyen mendime edhe për aktualitetin
ndërkombëtar, duke theksuar impenjimin e përbashkët për paqen dhe për zgjidhjen e
problemeve të rënda të sotme me rrugën e bisedimeve. Është hera e parë që një kryeministër
i Republikës Socialiste të Vietnamit takohet me Atin e Shenjtë dhe me autoritetet
më të larta të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.