2007-01-25 19:26:49

Benedikti XVI mbylli Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve duke kërkuar një dëshmi të përbashkët nga të gjithë nxënësit e Krishtit.


(25.01.2007 RV)RealAudioMP3 Përfundoi sot Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve. Ati i Shenjtë, siç është bërë zakon prej vitesh, sot pasdite, në orën 17. 30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, kryesoi kremtimin e Lutjeve të mbrëmjes.
Gjatë homelisë, mbajtur në praninë e delegacioneve të shumta të Kishave dhe emërtimeve të ndryshme të krishtera, Papa kujtoi me kënaqësi se gjatë Javës së Lutjes 2007, nga Kishat dhe bashkësitë kishtare të mbarë botës iu lartua Zotit lutja e njëzëshme për bashkimin e të krishterëve. Medituam së bashku – kujtoi Papa - mbi fjalët e Ungjillit të Markut shpallur pak më parë ‘Po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët”, temë biblike e propozuar nga bashkësitë e krishtera të Jugut të Afrikës. Përçarja dhe mungesa e dëshirës për të kumunikuar, pasojë e mëkatit – shpjegoi në vijim Shenjtëria e Tij – janë në kundërshtim me planin e Zotit. Afrika na dhuroi sivjet një temë reflektimi me rëndësi të madhe fetare e politike, sepse ‘të flasësh’ e ‘të dëgjosh’ janë kushtet themelore për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë.
Shërimi i shurdhmemecit, për të cilin medituam këto ditë – vijoi Benedikti XVI- ndodh ndërsa Jezusi, si u largua nga Tiri, po nisej drejt liqenit të Galilesë, drejt vendit të quajtur ‘Dekapoli’, ku banonin njerëz me etni e fe të ndryshme. Situatë simbolike edhe për ditët tona.
Mësimi i parë që nxjerrim nga ky episod biblik, i cili kujtohet edhe në ritin e pagëzimit, është se dëgjimi ka rëndësi të dorës së parë në jetën e krishterë. Prandaj Jezusi thotë: ‘Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Zotit dhe e vënë në jetë”. E kjo është parësore edhe për impenjimin tonë ekumenik. Në të vërtetë nuk jemi ne që e bëjmë ose e organizojmë bashkimin e Kishës – nënvizoi Ati i Shenjtë - Kisha nuk e bën vetveten as nuk jeton nga vetvetja, por nga fjala që del prej gojës së Hyjit. Ta dëgjosh së bashku fjalën e Zotit, ta praktikosh leximin e Biblës, dmth leximin e lidhur me lutjen; ta lesh veten të mahnitesh nga risia e fjalës së Zotit, që s’plaket e s’shterron kurrë, ta kapërcesh shurdhërinë për t’i dëgjuar këto fjalë, të cilat nuk përkojnë me paragjykimet e me opinionet tona; t’i dëgjosh e t’i studiosh edhe ata që e dëgjuan para nesh fjalën e Zotit, për të mësuar prej tyre, e kështu ta lexosh Biblën me syrin e kësaj tradite të gjatë e të pasur të dëgjimit; gjithë kjo përbën një rrugë që duhet përshkuar, për të arritur unjësinë në fe, si përgjigje për Fjalën e Zotit që kemi dëgjuar.
Kështu u shpreh Papa gjatë kremtimit të Lutjeve të mbrëmjes në bazilikën e Shën Palit - e më pas u drejtoi të pranishëmve pyetjen, me tingëllim thellësisht aktual: “Thua ne të krishterët jemi bërë tepër të shurdhër? Thua na mungon guximi për të folur e për të dëshmuar, siç bënë ata që qenë dëshmitarë të shërimit të shurdhmemecit në Dekapoli? E kësaj pyetjeje Ati i Shenjtë iu përgjigj menjëherë, duke theksuar se bota ka nevojë për dëshminë e përbashkët të të krishterëve. E përmasat themelore të praktikës ekumenike - sipas Papës – kërkojnë të dëgjosh, të flasësh, t’i kuptosh të tjerët e ta kumunikosh fenë tënde, larg çdo imponimi. Në kërkimin e bashkimit, dialogu është mjeti më tipik, sepse siç thekson edhe Koncili II i Vatikanit, në dialog flitet, dëgjohet e komunikohet e kështu mund të plotësohen kërkesa që kanë vlerë për të gjithë. Por për realizimin e dialogut, që ka si qëllim t’i përballojë, t’i diskutojë e t’i kapërcejë divergjencat – vijoi Papa – është e domosdoshme të paraqitet qartë e gjithë doktrina. E njëkohësisht duhet pasur kujdes që mënyra dhe metoda e kumtimit të fesë katolike të mos bëhet pengesë për dialogun me vëllezërit. Prandaj Benedikti XVI kërkoi të flitet në mënyrë korrekte e të kuptueshme, pa përjashtuar mundësinë për ta korrigjuar vëllazërisht njëri-tjetrin e, sidomos, duke pasur mirë parasysh se të dyja palët duhet t’i luten Shpirtit Shenjt t’i ndihmojë e t’i ndriçojë, gjë që të krishterët e bënë gjatë Javës së Lutjes për bashkim.
Në përfundim të homelisë, Papa iu lut për ndërmjetësim Shën Palit, ndërtuesit të palodhur të bashkimit të Kishës, duke ia besuar frytet e dëgjimit e të dëshmisë së përbashkët që u arriten gjatë vitit 2006 si në dialogun me Kishat e Lindjes, ashtu edhe me Kishat dhe bashkësitë kishtare të Perëndimit. Në këto ngjarje – tha në përfundim Ati i Shenjtë – provuam gëzimin e vëllazërimit, së bashku me trishtimin për tensionet që vijojnë, duke mos e humbur kurrë shpresën që ndikon Zoti në zemrat tona”. Shpresa reale këto të Papës, në se kujtojmë se ky kremtim u mbajt në atmosferën e ngjarjeve të shumta e të rëndësishme ekumenike, që u shënuan në analet e Kishës e të historisë në vitin 2006. Kujtojmë, ndërmjet tjerash, përfundimin pozitiv të ballafaqimit më se tridhjetëvjeçar me Kishat e reformuara, që pati si pasojë një çast domethënës lutjeje me primatin e Bashkimit anglikan, kryeipeshkvin e Kanterbërit, Ruan Viljams, si dhe rigjallërimin e marrëdhënieve me Kishën e Rusisë, ku në korrikun e kaluar u mbajt takimi i udhëheqësve fetarë. Gjatë këtij takimi Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Aleksej II, theksoi – përmes një mesazhi të posaçëm - se e përkrah Selinë e Shenjtë në rrugën drejt bashkimit. Në këtë kontekst është për t’u kujtuar edhe vizita e metropolitit Kirill të Patriarkanës së Moskës, që luajti një rol të dorës së parë në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe e, mbi të gjitha, shtegtimi apostolik i Benediktit XVI në Turqi, ku u takua me Patrikun Ekumenik, Bartolomeun I, takim që – siç theksoi Papa në audiencën e djeshme të përgjithshme - nuk mund të mbetet pa rezultate.







All the contents on this site are copyrighted ©.