2007-01-20 16:02:48

Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve: ekumenizëm, shenjtëri e mision.


(21.01.2007 RV)RealAudioMP3 Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve 2007 filloi të enjten e kaluar e do të përfundojë më 25 janar, ditë në të cilën do të mbyllet solemnisht nga vetë Papa me një kremtim ekumenik të lutjeve të mbrëmjes në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë mureve.
Tema “Po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët” ka dy përmasat kryesore për jetën e krishterë dhe për vetë impenjimin ekumenik: dëgjimin dhe kumtimin.
“Rruga është e gjatë e aspak e lehtë, por dëshira e atyre që duan të ecin në të është e sinqertë e sidomos, është e madhe ndihma mbi të cilën mund të shpresojnë, ndihma e Zotit”. Kështu u shpreh Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, duke pasur parasysh objektivin e madh të bashkimit të plotë të të krishterëve e duke i ftuar besimtarët të bashkojnë zërat në Javën e lutjes që i kushtohet çdo fillimviti, të cilën Ati i Shenjtë e quajti ‘kohë e fortë impenjimi’. E lutje Benedikti XVI kërkoi edhe për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve, sepse thellimi i bashkëpunimit mund të kontribuojë në mënyrë vendimtare për paqen në botë.
Fragmenti ungjillor i propozuar në javën e sivjetme të lutjes për bashkimin e të krishterëve, na kujton se në rast mungese të dy përmasave të dëgjimit e të kumtimit nga shkaku i sëmundjes, Zoti ndërhyn dhe e shëron njeriun në mënyrë që, duke e rikthyer në kushtet që përkojnë me natyrën e shpërblyer, të mund të realizojë vetveten e të jetojë në bashkim me të tjerët. Këtë na e kujtoi edhe Ati i Shenjtë Benedikti XVI në audiencën e përgjithme të mërkurës, duke theksuar se çdo i krishterë, shpirtërisht i shurdhër e memec për shkak të mëkatit të rrjedhshëm, me Pagëzimin merr dhuratën e Effatà, dmth bëhet i aftë të dëgjojë fjalën e Zotit e t’ia kumtojë edhe vëllezërve.
Gjatë Javës, tema zhvillohet ditë për ditë, shoqëruar me propozimin e tre leximeve biblike dhe një psalmi për secilën ditë, në mënyrë që të bëhet një katekizëm i plotë për të gjithë temën.
Propozimi fillestar për temën erdhi nga një grup ekumenik i Afrikës së Jugut. Propozuesit morën shtytje për këtë zgjedhje nga situata e veçantë e një vendi ku njerëzit e kanë të vështirë të flasin për problemet personale e për kushtet shoqërore në të cilat jetojnë. Situata të tilla ndeshen edhe gjetiu, atje ku njerëzit, duke heshtur për shkak të frikës, të bashkëpunimit të fshehtë ose të interesit, bëhen bashkëpunëtorë të së keqes.
Propozimi i ardhur nga Jugu i Afrikës u ripunua dhe u përgatit për përdorim ndërkombëtar nga Komiteti i përbërë për lutjen i Këshillit Ekumenik të Kishave dhe Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve.
Të flasësh me të tjerët duke i nxitur të reflektojnë mbi fjalën e Zotit e të nxjerrësh mësime që impenjojnë të dyja palët, është pjesë përbërëse e mbarë lëvizjes ekumenike. Dialogu është mjet themelor në kërkimin e bashkimit të plotë të të krishterëve, në përmasat e shumta të paraqitjes së fesë: në dëgjimin e saj, në kumtimin përpara të tjerëve, në ballafaqimin dhe në përpjekjen për të krijuar afrim e për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
“Kush ka veshë le të dëgjojë ç’i thotë Shpirti Kishave”. Por mund të kesh veshë e të mos dëgjosh, të mos duash të dëgjosh!
Shpirti i thotë çdo të krishteri: ‘Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë! Shpirti u thotë Kishave të kohës sonë se bashkimi i të krishterëve lidhet ngusht me ungjillëzimin e edhe me riungjillëzimin. Jezusi na nxit ta bëjmë këtë, duke zgjedhur mënyrën më të lartë, atë të lutjes.
Ai vetë iu lut Atit qiellor që nxënësit e tij të ishin të bashkuar, të ishin një gjë e vetme, që njerëzimi të besojë në Birin e Hyjit, Zot e Shëlbues i botës. E kështu bota, mbarë njerëzimi, të shëlbohet!
Sot, dita e katërt e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, ftohemi të meditojmë mbi heshtjen e të harruarve dhe vajin e të vuajturve, duke pasur mirë parasysh se ne jemi një trup i vetëm në Krishtin e mëshirshëm. Mjerimi i disa pjesëve të trupit, nuk është thjeshtë problem i tyre, por problem i të gjithëve.
Ndërsa të enjten, Dita e parë e lutjes, u meditua mbi fjalët e Besëlidhjes së vjetër e të Re, që na kujtojnë se në heshtjen e asgjësë Zoti e krijoi botën me fjalën e tij. Në fillim të fillimit, kur s’ishte tjetër, veç kaosi e pështjellimi, fjala e Zotit e ndërpreu heshtjen për t’i caktuar çdo frymori vendin e vet.
Dita e dytë pati në qëndër të meditimit Fjalën shëlbuese të Krishtit, fuqinë e kësaj fjale, që i bën deri të shurdhërit ta dëgjojnë e t’ua kumtojnë të tjerëve.
Të shtunën, dita e tretë u fol mbi temën: “Shpirti Shenjt na jep fjalën: “Shpirti do të jetë dëshmitari im”.







All the contents on this site are copyrighted ©.