2007-01-19 19:57:35

Uragani Kirill shkakton 44 viktima në Evropë.


(19.01.07 RV) Evropa veriore është përfshirë nga një stuhi ndër më të rëndat gjatë viteve të fundit. Uragani Kirill, ka shkaktuar deri tani së paku 44 viktima, 13 prej të cilëve në Britaninë e Madhe. Njoftohet për shumë të plagosur. Në disa pjesë të Gjermanisë stuhia arriti një shpejtësi prej më shumë se 200 kilometra në orë. Hekurudha gjermane ka ndërprerë qarkullimin e trenave. Përveç Gjermanisë, dëme të mëdha ka edhe në Britaninë e Madhe, Holandë, Francë, Poloni, Austri dhe Çeki.
Është dëmtuar edhe fasada historike e kishës Vitemberg në Berlin, ku në vitin 1521, Martin Luteri afishoi tezat e tij që i hapën rrugën protestantizmit. Por edhe muzeu romak i Berlinit, stacioni i ri hekurudhor përuruar 8 muaj më parë, një ish-kamp përqëndrimi i nazistëve, tani muze pranë Berlinit: të gjitha këto janë dëmet që bëjnë pjesë në bilancin e uraganit.
Po kështu, edhe në SHBA, mëse 60 persona kanë vdekur si pasojë e motit shumë të ftohtë. Shtresa të mëdha dëbore kanë mbuluar shtetet Oklahoma, Teksas dhe Kaliforninë Jugore, aty ku më parë klima ka qenë relativisht e butë.


Në një Turqi që dëshiron të hyjë në Evropë, është vrarë sot një shkrimtar e gazetar i njohur armen, pikërisht përpara selisë së gazetës “Argos” që ai drejtonte. Hrant Dink ka qenë procesuar me akuzën se ka ofenduar “identitetin turk” dhe është dënuar me 6 muaj arrest shtëpiak, pasi pati shkruar për genocidin e armenëve në vitin 1915. Policia po përpiqet të kapë një djalë 18-vjeçar, i cili mendohet se është autori i vrasjes. Kujtojmë se Turqia nuk e njeh genocidin kundër armenëve si të tillë.







All the contents on this site are copyrighted ©.