(19.01.2007 RV)Të mërkurën e kaluar në Pallatin e Qelqit të Kombeve të Bashkuara
në Nju Jork u fol për veprimtarinë e Oasis, qendër ndërkombëtare studimesh
dhe kërkimesh me seli në Venedik, që përpiqet të japë ndihmesën për njohjen e anasjelltë
të të krishterëve me myslimanët. Takimi u organizua nga Misioni i Selisë së Shenjtë
pranë OKB-së, në bashkëpunim me Qendrën “Krosrouds” të Nju Jorkut. Një ditë më
parë 30 përfaqësuesit e kësaj qendre, studiues dhe bashkëpunëtorë shkencorë, morën
pjesë në ditën e studimeve me temë “Lidhjet e zanafillës ndërmjet Zotit e njeriut
në fenë katolike e atë islamike” mbajtur në Vashington nga Patriku i Venedikut, kardinali
Agjelo Skola, shoqëruar me çaste lutjesh. Vdiq misionari francez Robert Kaspar,
nxitës i dialogut ndërmjet kristianizmit dhe islamit. Misionari i njohur i
Etërve të bardhë, specialist për islamin, njihet si themelues i Grupit të kërkimeve
shkencore islamo-kristiane. Njohës i mirë i disa gjuhëve lindore e përendimore, ai
dha mësim në Kairo, në Tuniz e së fundi në Institutin Papnor të Studimeve arabe e
të islamisitikës në Romë. Në Bangkokok të Tailandës përfundoi takimi i
ipeshkvit të Padovës, imzot Matiacos, me misionarët venetë fidei donum, që kryejnë
misionin ungjillëzues në këtë vend të largët. Janë 11 meshtarë e rregulltare që punojnë
pranë popullsisë vendase në dioqezën Çiang Mai në Veri të Tailandës. Misioni i tyre
‘Maria, Mbretëresha e paqes” u themelua në vitin 2000 dhe iu besua dioqezave italiane
të Trivenetos. Në Laos u shuguruan tre meshatrë të rinj vendas. Ngjarje
jashtzakonisht e gëzueshme për këtë vend, pas tridhjetë vjetësh persekutimi e mungese
thirrjesh për rrugën meshtarake. Bashkësia e vogël katolike e Laosit, që numron 35-40
mijë besimtarë, në mes të një popullsie me shumicë budiste dhe animiste, e festoi
me gëzim të madh këtë ngjarje, sepse pas dëbimit të misionarëve të huaj në vitin 1975,
Kisha e Laosit vijon ta ndjejë mungesën e meshtarëve e të të varet shumë nga veprimtaria
e besimtarëve laikë. Në Sllovaki Ipeshkvi i Bratisllavë-Trnavës, imzot Jan
Sokol, akuzohet për bashkëpunim me sigurimin e shtetit komunist. Pas çështjes
së Imzot Vielgush, edhe në Sllovaki ndizet polemika për përfaqësuesit e Kishës të
vënë në shërbim të regjimit të kaluar komunist. Këtë herë në shënjestër të shtypit
është vënë kryeipeshkvi i Bratisllavë-Trnavës, i akuzuar si bashkëpunëtor i shërbimeve
të fshehta. Prelati i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Për më tepër, në mbrojtje
të tij është radhitur edhe kardinali Korec, figurë historike e Kishës klandestine
në Çekosllovaki gjatë viteve të perskeutimit, i cili dëshmon se ipeshkvi i akuzuar
ka qenë gjithnjë njeri i padëshiruar për regjimim. Pak javë më parë Imzot Sokol
ishte në qëndër të polemikave për disa deklarata mbi regjimin filo-nazist të imzot
Tisò, ish-kryeipeshkëv i Bratislavës, dënuar me vdekje më 1947, në pushtet gjatë Luftës
II Botërore. Në një intervistë dhënë tv sllovak, prelati e vlerësoi pozitivisht veprimtarinë
e imzot Tisosë, duke shkaktuar reagime të ashpra në gjirin e bashkësisë hebraike,
që u internua në kampet famkëqija naziste nga ky regjim. Kryedioqezi
i Armah në Irlandë nis të kërkojë trupat e viktimave të luftës civile. Thirrja
për gjetjen e viktimave të konfliktit veri-irlandez është e dioqezës së Armahut, me
kërkesën e Komisionit të pavarur, themeluar më 1999 për të gjetur trupat e njerëzve
të zhdukur. Kjo thirrje është varur në dyert e të gjitha famullive të dioqezës e edhe
dioqezat e tjera po ndjekin të njëjtën rrugë, duke e parë këtë veprimtari si vlerë
jo politike, por baritore. Familjet e viktimave nuk duan tjetër, veçse trupat e të
dashurve, për t’i varrosur denjësisht, por një gjë e tillë nuk është aspak e lehtë,
sepse ekzekutimet u kryen natën e në vende të vetmuara ose të maskuara. Thirrja na
kujton se shumë nga dëshmitarët e fesë katolike në Shqipëri, pushkatuar nga regjimi
komunist në rrethana pak a shumë të ngjashme, vijojnë të kalben pa varr e pa kryq,
në pritje të një varrimi dinjitoz, më e pakta që meritojnë. Kisha katolike
e Sudanit hapi stacionin e parë të radios. Quhet ‘Radio Bakita’ me emrin e Jozefina
Bakitës, shenjtja e parë e Sudanit. Radioja, që do të fillojë transmetimet e rregullta
më 8 shkurtin e ardhshëm, është vendosur në Juba, kryeqytet i krahinës së pavarur
të Sudanit jugor, ku tashmë ka nisur të transmetojë dy orë në ditë. Jezuitët
dhe bashkëpunëtorët e tyre përgatiten të marrin pjesë në Forumin e 7-të Shoqëror
Botëror, që do të mbahet në Nairobi të Kenias nga 20 deri më 25 janari i ardhshëm.
Do të flitet rreth temës: “Ndryshimet e thella shpirtërore e shoqërore në Afrikë e
në Madagaskar”. Pjesëmarrja e jezuitëve në Forum lidhet ngushtë me veprimtarinë apostolike
ndërkombëtare të Urdhërit, i cili tani ka vënë në plan të parë pikërisht zhvillimin
e plotë të popujve afrikanë, duke punuar në të gjitha drejtimet për zgjidhjen e problemeve
të mprehta të Afrikës, si lëvizjet e vazhdueshme të njerëzve, lufta kundër Sidës,
zgjidhja e problemeve të luftës e të paqes, të borxhit të jashtëm, të shfrytëzimit
të burimeve natyrore e probleme të tjera që lidhen me veprimtarinë konkrete të jezuitëve
pranë popullsive afrikane. Vijon kalvari i bashkësisë së krishterë Irak, e
posaçërisht në Mosul, ku flitet veç për kërcënime e vrasje. Kronika e këtyre ditëve
flet për rrëmbime, frikësime e krime nga më të shëmtuarat. Pak ditë më parë u vra
pa asnjë shkak, sekretarja e një klinike mjekësore, ndërsa të nesërmën u mbyt në prag
të shtëpisë së vet një besimtar i famullisë së Shën Palit. Edhe kishat janë vënë në
shenjestër: famullitarët e kremtuan Krishtlindjen e sivjetme nën një breshëri kërcënimesh,
në sa rrugët janë të pasigurta, mungojnë dritat, karburanti, mjetet për t’u nxehur.
Të krishterët tashmë janë të bindur se asnjë qeveri s’është në gjendje t’i ndihmojë.
Një arsye më shumë për të emigruar. Sipas burimeve të dioqezës, mesatarisht çdo ditë
një i krishterë largohet nga qyteti, pa shpresë për t’u kthyer më. “Çdo lloj
ndërhyrjeje në të ardhmen e çdo lloj nisme politike e SHBA në Irak, duhet vlerësuar
në dritën e përgjegjësisë morale para Kombit tonë dhe të ketë për qëllim t’i ndihmojë
irakianët të jetojnë në siguri e në mënyrë dinjitoze”. Këtë thekson kryetari i
Konferencës Ipeshkvnore të SHBA, imzot Uiljam Skilstad në një notë publikuar në
Jeruzalem, ku ndodhet këto ditë me delegacionin e Koordinimit të Konferencave ipeshkvnore
në mbështetje të Tokës Shenjte. Prelati kujtoi vërejtjet e Selisë Shenjte për ndërhyrjes
në Irak, duke pasur parasysh edhe pasojat e mundshme të pandreqshme, parë në dritën
e zhvillimeve aktuale. Imzot Skilstad theksoi edhe se SHBA duhet të impenjiohen më
shumë për paqën në të gjithë Lindjen e Mesme.