Rusia do të përdorë veton nëse statusi i Kosovës nuk u pëlqen serbëve.
(16.01.07 RV) Rusia ka ndërmend të përdorë veton nëse zgjidhja për statusin e Kosovës,
që do të paraqitet nga Marti Ahtisari në ditët e para të shkurtit, nuk do t’u pëlqejë
serbëve. Ky është premtimi që presidenti rus Putin i ka dhënë në një bisedë telefonike
të zhvilluar dje, kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Gjithashtu, në një
konferencë shtypi, Ministri i Jashtëm rus Lavrov ka deklaruar se Rusisë nuk i intereson
se ç’emër do t’i vihet statusit të ardhshëm të Kosovës. E rëndësishme është se si
do të reagojnë palët ndaj tij. Sipas dipllomacisë ruse, duhet evituar imponimi i statusit
nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërkaq, Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviq
ka shprehur idenë se në rast se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e pranon
pavarësinë e Kosovës, edhe qytetarët e Republikës serbe në Bosnjë do të kishin të
drejtë për vetëvendosje dhe pavarësi.
Pas mbledhjes së djeshme të ambasadorëve
të Evropës Juglindore në Ministrinë e jashtme italiane në Romë, sot përfundoi
konferenca me temë: “Perspektiva evropiane e Ballkanit perëndimor: roli i Italisë”.
U fol kryesisht për problemet që mund të sjellë përcaktimi i statusit të Kosovës,
në një zonë që konsiderohet si vatër paqëndrueshmërie për rajonin. Serbisë iu kërkua
të mos jetë nostalgjike ndaj së kaluarës.