2007-01-16 17:59:25

Kujtojmë priftin shkodran monsinjor Loro Nodajn në përvjetorin e 11-të të vdekjes.


(16.01.2007 RV)Më 16 janar 1996 vdiq në Shkodër Dom Loro Nodaj, famullitari i dytë i Katedrales të Qytetit të Veriut pas diktaturës komuniste.
Lindi në fshatin Guri i Zi, fare pranë Shkodrës, në vitin 1918. Mësimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmet, në Kolegjën Saveriane, ku Zoti e thirri për t’ia kushtuar gjithë jetën, duke ecur në rrugën e meshtarisë. Si përfundoi me sukses mësimet e mesme, u nis për në Romë. Studimet e larta i kreu pranë Universitetit Papnor Urbanian, ku përgatitej një pjesë e mirë e klerit shqiptar. Meshën e parë e tha në vitin 1941. Më pas shërbeu si famullitar në Mal Kolaj.
Shumë shpejt nisi të merrej edhe me letërsi artistike. Shkroi tregime e publicistika me tema të ndryshme, kryesisht fetare e atdhetare, të cilat i botoi në revistën e njohur të dioqezës së Shkodrës “Kumbona e së Dieles” me psedonimin ‘Lodja’. Ishte plot energji, kur në Shqipëri u vendos diktatura komuniste. Në vend të shërbimit meshtarak, në vitin 1947 u detyrua të kryente shërbimin ushtarak në Repartin e tmerrshëm të Punës.
Më 5 korrik 1949 u arrestua dhe u dënua me 15 burgim, me akuzën e zakonshme ‘për agjitacion e propagandë’. U lirua në shtator të vitit 1961. Nisi punën si punëtor bujqësie në Kooperativën bujqësore të Gurit të Zi, duke banuar pranë familjes. Vijoi të shkruante në heshtje dëshmitë e martirizimit të Kishës katolike, që deri më sot nuk janë botuar. Më 1991, kur Kishat u rihapën, nisi menjëherë shërbimin meshtarak në zonën e Velipojës. Më pas u caktua famullitar i Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, ku zuri vendin e dom Zef Simonit, për t’ia lënë më pas monsinjor Lucian Augustinit, që tashmë është emëruar ipeshkëv i Sapës. Vendi i zbrazët i monsinjor Loro Nodajt pret famullitarin e ri...







All the contents on this site are copyrighted ©.