Kalendari Kishtar më 16 janar përkujton Shën Marçelin I papë.
(17.01.2007 RV)Shën Marçeli e drejtoi Kishën universale nga 27 maji i vitit
308 deri më 16 janar 309. Pak gjëra dihen për të, sepse burimet janë të paqarta, ndërsa
Shenjti për një kohë të gjatë u ngatërrua me Shën Marçelinin papë, vdekur martir gjatë
persekutimit të Dioklecianit. Kështu emri i Shën Marçelit papë, paraqet një sërë problemesh
për t’u zgjidhur. Martiriologu Romak, ai Jeronimian, Katalogu Liberian dhe Liber pontificalis
shënonjë të dhëna që i bien ndesh njëra-tjetrës, gjë që është plotësisht e kuptueshme
në një kohë kur Kisha tronditej në themele në Romë e kudo jetonin të krishterë, nga
përndjekjet e përditshme nën perandorin Dioklecian e më pas, nën pasardhësin e tij,
Galerin, vdekur në vitin 311. Sipas historianit të shquar gjerman, Teodor Momsen dhe
studiuesve të tjerë, Marçeli nuk ka qenë fare papë, por prift i thjeshtë romak, i
cili e drejtoi Kishën pas vdekjes së Papës Marçelini, në pritje të zgjedhjes të papës
së ri. Sidoqoftë, pas viteve të errta të historisë së Kishës, emri i Marçelit
I doli përsëri në dritë përmes studimit të burimeve të lashta, në të cilat theksohet
qëndrimi i tij ndaj besimtarëve që njiheshin me emrin ‘lapsi’, dmth njerëz që kishin
rrëshqitur, siç quheshin asokohe të krishterët që mohonin fenë nga frika e persekutimeve.
Në disa vende, në Afrikë për shembull, mendohej se njerëz të tillë duheshin shlyer
përgjithnjë nga radhët e Kishës. Ndërsa Papa Marçeli nuk u tregua kaq i ashpër: e
mirëpriti rikthimin e tyre në Kishë, por pasi të ishin penduar. Papa Damasi (366-384),
duke lavdëruar këtë qëndrim të Marçelit, shkruan: “Ata që kishin mohuar, por dëshironin
të ktheheshin përsëri, Papa Marçeli vijoi t’i mbronte dhe t’i pranonte, pasi e lanin
me lot pendese fajin e mohimit dhe betoheshin të mos e përsërisnin kurrë më, përballë
çdo rreziku. Punoi shumë edhe për rindërtimin e famullive të shkatërruara pas persekutimit
të Dioklecianit”. Kështu shkruan Papa Damasi, por femohuesit e shikonin Marçelin
si armik të tmerrshëm, sepse pasi kishin mohuar, donin t’i rimerrnin sakramentet pa
bërë kurrfarë pendese. Në një nga burimet që flet për papën Marçeli shkruhet se për
faj të njerit prej tyre, Shenjti u internua nga tirani. Këtë të dhënë e gjejmë në
Liber Pontificalis, ndërsa nga Martiriologun Romak mësojmë se u persekutua dhe u detyrua
të punonte si stallier në stallat e postës perandorake, ndërsa shënohet edhe se u
internua, të dhëna këto që nuk konsiderohen të besueshme. Në burimet e lashta gjejmë
edhe data të ndryshme të papnisë e të vdekjes së tij, por Kisha, duke ndjekur Martiriologun
Romak, e kremton më 16 janar Shën Marçelin, reliket e të cilit pushojnë në paqe në
varrezën romake të Prishilës.