Varjet tjera në Irak sjellin debate të reja mbi dënimin me vdekje.
(15.01.07 RV)Ekzekutimet e reja në
Irak ndezin sërish debatin mbi dënimin me vdekje. Zëdhënësi i qeverisë irakiane konfirmoi
sot se dy të akuzuarit, bashkëpunëtorë të Sadam Huseinit, janë varur në orët e para
të mëngjesit në Bagdad. Gjysëm-vëllai i Sadamit Barzan Ibrahim, ish shef i kundërzbulimit,
dhe Auad Hamed al-Bandar, kreu i Gjykatës Revolucionare të Irakut, u shpallën fajtorë
bashkë me ish-diktatorin irakian për vrasjen e 148 shiitëve në vitin 1982. Reagime
në të gjithë botën. Kryetari i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso e ka dënuar
ekzekutimin e sotëm dhe ka ndërmend të punojë me OKB-në për ta hequr dënimin me vdekje
në të gjithë planetin. Ndërsa për Shtëpinë e Bardhë Iraku po vendos drejtësinë kundër
atyre që kanë kryer krime, kritika vijnë edhe nga Rusia, sipas së cilës këto varje
nuk favorizojnë stabilizimin e vendit. Të dëgjojmë Rikardo Nuorin, zëdhënës i Amnesty
International për Italinë: Dënimi me vdekje duhej të ishte hequr nga Kushtetuta
e re irakiane. Do të kishte qenë një sinjal i rëndësishëm prishjeje me traditën sadamiste
të dhunimit të të drejtave të njeriut. Edhe këto dy dënime me varje erdhën në fund
të një procesi të parregullt, janë ekzekutime të shpejtuara e nuk i shërbejnë drejtësisë.
Kjo drejtësi u mohohet tani qindra mijëra viktimave që prisnin gjykimin e Sadam Hyseinit
dhe të akuzuarve të tjerë në një proces që tani do të vazhdojë pa ta: është procesi
për tentim genocidi mbi popullsinë kurde. Si duhet të veprojë tani me Irakun,
Bashkësia Ndërkombëtare? Problemi më i madh është se shteti që ndjek më nga
afër e më nga brenda ngjarjet irakiane, pra SHBA-të, e kanë miratuar këtë ekzekutim,
ashtu si të mëparshmin. Prandaj është e vështirë të arrihet një aleancë e gjerë kundër
dënimin me vdekje në Irak. Por duhet që Bashkimi Evropian, me vendet që janë të impenjuara
në Irak, për shembull Britania e Madhe, që ka një rol në të ardhmen e Irakut, ta ngrejë
zërin, sepse deklaratat e kryeministrit Al Maliki një javë më parë, sipas të cilave
do të rishikohen marrëdhëniet diplomatike me ato shtete që protestojnë kundër dënimit
me vdekje, janë të papranueshme. Ato i referohen një tradite politike të arrogancës,
që ishte ajo e regjimit të kaluar. Nga ky këndvështrim, fatkeqësisht, nuk duket se
kanë ndryshuar shumë as mënyrat, as metodat e as faktet.