2007-01-15 18:07:14

Koliqi i parë nga nga mons. Josef J. Oroshi


(15.01.2007 RV) Ernest Koliqi - Nji pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare fiket.

Nji ndër fatëkeqësitë gati të përgjithta asht se nierzit e mdhaj bahen aq të nevojshëm në rangun e tyne të përditshëm, saqë dalin vonë në pushim, e nuk arrinë m’e shfrytësue plotësisht përvojën e tyne të gjatë, më krijime të reja, ose edhe për t’u dhanë dorën e fundit prodhimeve që ata i dhanë nierzimit.

Shum herë ndigjova nga shqiptarët e Bostonit se Imzot Fan Noli nuk mendonte me vdekë!… pse donte me vijue punën e tij per t’u lanë sa ma shum breznivet t’ardhëshme. Këtë të vërtetë e shprehë ma së mirit edhe proverbi popullor: Nuk më lanë punët me vdekë! Nji gjerman më thonte për kanqelarin Adenauer: Sa të largohet nga Kanqellaria, ai vdes. Këta ngjanë sidomos me nierzit krijimtarë, si në shkencë si n’arte të bukura. Ata e përfillin rangun e tyne jo vetëm si nji detyrë për t’u krye, por ma tepër si nji vokacjon për t’i kushtue jetën. Për ta nuk ka matëshmeni, as shmangie flijimesh, çfarëdo qofshin. Poeti lirik romak thonte për materialistat: Parja siellë unë pares. Anasjelltas asht për shkencëtarët e artistat: puna u shton unë e punës përherë e ma tepër. Të kallun në psyhen e tyne për të gjinikue ata çka ne menden tyne asht sajue, sendergjue e shestue per të mirën e nierzimit, naltësohen n’atmosferat e universalevet, të pamatëshmenisë së kohës e hapsinës, tue harrue deri ligështinë e natyrës nierzore, së cilës Krijuesi, në setcilin individ, i ka vu nji cak.

Nder këso rrethanash e gjet vdekja papritmas profesor Ernest Koliqin, Ordinar i Universitetit të Romës për Letersinë Shqipe per ma se tridhetëpesë vjet.

Sheji i sëmundjes hajneshë të zemrës i pat trakllue te dera tash do vjet ma para. Megjithate, teksa pat dalë në pushim, ai i qe përveshë punës prodhimtare edhe ma me zell e shpejtësi se para. Si kemi marrë vesht nga miqët, ai punoi atë ditë ç’nga ora shtatë të mëngjesit e deri n’ora pesë të mbramjes që do t’ishte e mbramja per të. E ndiente vetin të kënaqun se tash, i shkëputun nga punët e Universitetit, mund t’i a kushtonte krejtë kohën prodhimit letrar. Dihet se ishte tue pregatitë Antologjinë e Letërsisë Shqipe (me shkrimtarë të mdhaj e të vogjël), dhe “Memoirs” e veta. Në mes të kësaj nisme sa të dobishme, aq të nevojshme, vdekja e pamëshrirëshme i a ngrini dorën tue shterngue penden puntore. Keso çasesh mirë ma kujtojnë elegjitë vajtimore të malcorevet tona vdekjen e rapsodit të vendit:

Lahuta të pret me i ra

Por gishtat t’u kanë tha.
Nuk besohet se gjindet sot gjallë nji si ai, me përvojë e njoftuni aq të thellë e të gjithanëshme të shkrimtarëvet shqiptarë, që të ndërmarrë nji nisme sa të guximshme aq edhe të vështirë, përpilimin e Antologjisë Letrare Shqiptare, me art e paanësi, sidomos në konditat e sotshme, si do të delte nga penda e tij.

Nga vjeti 1955 deri në 1961 paçë fatin të studjoshe n’Universitetin Shtetnor të Romës. Këtu paçë rasën ta njifshem ma s’afermi të ndiemin profesor. E paçë jo vetëm profesorin e Letërsisë Shqipe, por edhe drejtor të studjimevet. Njoftunija, dashtnija e depërtimi me zotësi i shkrimtarëvet të ndryshëm, edhe i dytunorëvet, e sidomos depërtimi i filozofisë së kangëvet epike shqiptare, në të cilat ai shquente nji “ethos” autokthon të njij çivilizimit jetik Iliro-Shqiptar, e mbante audjencën e dendun shtang, dhe u jepte të huejvet me kuptue se edhe Populli Shqiptar e ka dhanë nimesën e vet në brumbosjen e çivilizimevet të ndryshme Mesdhetare.

E njimend edhe specializimi i tij, në doktronimin e letrësisë, ka qenë mbi Kangët Epike Shqiptare. Pat mbajtë miq personal rapsodët ma të njoftunit e malevet, si Gjergj Pllumbin e Shalës, Prendush Gegen e Pukës etj., e nder meshtarë ma së forti Patër Bernardin Palaj, françeskan, përmbledhës e hulumtues i madh i Visaret e Kombit.

Klasa e tij n’Universitet gjindej gjithmonë e dendun, jo vetëm me studenta të rregullt, por edhe me intelektual të tjerë, sidomos Arbreshë, që dishrojshin të kishin njoftuni mbi letërsinë shqipe. Përsa u perket Arbreshëvet mandej, u ba udhëheqës per dashtninë e ringjalljen e gjuhës shqipe nder të gjitha koloni. Me anën e studentavet Arbreshë, sikurse me hulumtimet e veta direkte, mblodh krejtë folklorin e traditat popullore jetike nder fshatet arbreshe. Landa ma e zgjedhuna e ketyne materjalevet qe përpunue shkencëtarisht, nen drejtimin e tij, nder theza laurimit në Letrësinë Shqipe, n’Universitetin e Romës. Imzot Fan Noli i pat dhanë miratimin ma të madhin kësaj punë, pse thonte: Kurr nuk është bër një punë e tillë ndër Arbreshë.

Pjesë ma të zgjedhuna të këtyrne punimevet universitare qenë botue, gjatë 18 vjetëvet, në revistën zamadhe të letrësisë dhe të kulturës shqiptare, Shêjzat, themelue e drejtue me zotësi e mbajtë gjithmonë në livel epror gjuhësijet, sikurse me flijime të mdhaja si ekonomike, ashtu të punës së panderpreme intelektuale të profesor Ernest Koliqit. Kjo revistë jo vetëm që gëzoi miratimin e pjesës ma të njoftun t’intelektualëvet shqiptarë në diasporë e të minoriteteve shqiptare, sidomos në Kosovë, por edhe nga jashtë Vûllaj e Shêjzavet, u përhapën si në Gjermani, Amerikë, Angli e shum universitete botnore. Per ma teper rreth saj u mblodhen penda nder ma të mirat e diasporës shqiptare, sikurse penda auktorësh të huej me jehonë nderkombtare, sidomos albanologë e historjanë gjerman. Me nji fjalë revista Shêjzat qe ba epiqendra e letrësisë e Kulturës Shqiptare, e në të njëjtën kohë shkollë e Letrësisë Shqiptare të stilit të naltë për rininë në diasporë dhe, me kufizimet e njoftuna, nder minoritarë.

Vetëm breznitë e ardhëshme kanë per ta gjykue pa-anësi e kanë per t’i dhanë çmimin e meritueshëm kësaj reviste zamadhe. Kurdo, nëkohën e ardhëshme ata kanë për të ba kërkesa e hulumtime letrare e kulturore kanë per të gjetë se, në krahasim me botimet e tjera, në krejtë periudhën ç’nga vjeti 1939 e deri në mbylljen e saj, me vdekjen e krijuesit të saj, më 15 kallnduer 1975, nuk kanë për të gjetë mbrenda kësaj periudhe, botime tjera me përmbajtje letrare shqipe, vijueshmerisht artistike të stilit të naltë, si Shêjzat, as botim tjetër çfaredo, të papërziem si kjo revistë në demagogjinë e merzitëshme politike të këtyne trisdhjetë vjetëvet të fundit. Por këtu ai dijti të përmbahej i tillë. Lirija në krijueshmeni, dhe universaliteti i artit per të mirën e gjinisë nierzore, janë ligjë të pakapërcyeshme për artistin e vertëtë.

Me vend e pat zgjedhë prof. Karl Gurakuqi, dritë pastë, titullin e librit komentues me rasën e dhetëvjetorit të parë të revistës Nepër vullajt e Shêjzavet të cilin e botoi në Romë në 1969. Titulli vetë e përshkruen përmbajtjen e kopshtit (landës) së Shêjzavet. Jo kopshtë ferrash, pasjonesh nierzore, por vullaj të njoma e të freskëta që tue u rritë, lulëzojnë dhe në verën e lirisë japin frytet e bukura e të shishëme per të mirën e nierzimit.



Pregatitja dhe prodhimet letrare



Prof. Ernest Koliqi lindi në Shkodrë me 20 maj, 1903, nga nji famije e njoftun tregtare e këtij qyteti historik Ilir-Shqiptar.

Si mbaroi filloret në Kolegjën Saverjane të Jezuitëvet në Shkodrë, i ati, Shan Koliqi e dergoi n’Italië e Veriut per shkollat e mesme.

Prodhimet e veta poetike në gjuhen italishte i filloi ç’nga rinija. Me 1919 këthen në Shqipni, në Shkodrë, ku Imzot Luigj Bumçi e Luigj Gurakuqi, tue njoftë në prirje letrare artistike,e nxisin të jepej mbas studjimevet të gjuhës e të veprimatrisë letrare shqipe.

Me 1923, së bashkut me miqt e tij shkodranë, Nush Topallin e Pater Anton Harapin, themeloi fletoren Ora e Maleve, organ politik i grupit liberal-demokrat, që drejtohej nga Luigj Gurakuqi. Si Gurakuqi si, ma vonë, At Gjergj Fishta e Dom Ndre Mjeda, u banë udhëheqësat ma të ngushtit të tij per t’i dhanë hove të reja e përvojë në letërsinë shqipe. Megjithate, Koliqi qe i pari shkrimtar shkodranë i kohës së vet që dashtas u largue nga shkodranishtja pak e teper e theksueme nder shkrimtarët e tjerë të deri atëhershëm. Gjuha e tij ishte ma e pergjithë, prandej ma e pasun, stili aristokrat, periudhat të skalituna me adjektiva ngjyrëdhanës, i jepshin gjallnin e valavitje gjuhës e stilit të tij artistik.

Në 1924 Ora e Maleve i besoi kryeredaksinë e asaj fletroje. Po në këtë vjetë thrret Gurakuqi në Tiranë si sekretar privat, dhe pak ma vonë bahet sekretar i Ministrisë së Mbrendshme, nen Kolonel Rexhep shalën.

Ngjarjet e vjetit 1925 e shtyejnë të kërkojë strehim në Jugosllavi, ku pat rast të thellohej në poezinë e pasun popullore jugosllave.

Me 1928 Koliqin e gjejmë në Bari t’Italisë, në mes të grupit të mërguemvet shqiptarë Sotir Peci, Bahri Omari, Kost Paftali, Sheh Karbunara e, ma vonë, në bashkëpunim per veprimtari të shqipes, me Mustafa Krujën nga Zara.

Të parën vepër botoi Koliqi në Tiranë, në vjetin 1924. Me pseudonymin Borizani botoi shum poezina në Lirija Kombëtare të Gjenevës, drejtue nga dr. Omer Nishani.

Por vepra që e paraqiti shkrimtar të dorës së parë të shqipes qe vëllimi i novelavet Hija e Maleve botue me 1929 në Zara. Shkruesit të këtyne rreshtavet i kujtohet mirë leximi i parë i këtij librit. Në Shkodrë, por me te, dhe nji stil i ri që bante gjuhen ma të lehtë, ma t’ambël, ma lakuese, të pasun e tërhjekëse, n’afërsi me gjuhët e mdhaja botnore, zhvillue me shekuj para sonës, për shprehjen e artit.

Po në këtë vjetë ai këthehet në Shqipni, ku mëson letërsinë shqipe, ma para në shkollën tregtare të Vlonës e, ma vonë në Liceun Shtetnor të Shkodrës. Shum nga nxanësit e tij u banë shkrimtarë të vlefshëm të shqipes e t’arsimit shqiptar si në Shqipni, si edhe per nji kohë të shkurtë por të vlefshme, në Kosovë.

Me 1933 dha dorëheqje nga arsimi per të shkue n’Universitetin e Padovës, n’Itali per të vazhdue studjimet.

Me 1936 u emnue Lektor i Shqipes pranë atij Universiteti, per Kathedrën e Albanologjisë që drejtohej nga glotologu i famshëm Carlo Tavagliani.

Me 1937, u dokturue, tue mprojtë thezën: Epika Popullore Shqipe. Po në këtë kohë u themelue në Romë, n’Universitetin Shtetnor Selija e Albanologjisë. Me 1939 qe emnue Ordinar i kësaj Selije, ku qenroi deri sa doli ne pensjon, me përjashtim të njij periudhet të shkurtë. E njimend, nga vjeti 1939 deri në fund të vjetit 1942 ai drejtoi Ministrinë e Arsmimit në Shqipni. Megjithse koha dhe rrethanat ishin ato që njifen, nen nji okupim, asgjamangut prof. Koliqi dijti t’i shfrytësonte të dyja. Nen Ministrinë e Arsimit t’atëherëshme u botuen tekste shkollor shqipe e libra, ma tepër se ç’nga vjeti 1912 e deri n’atë kohë.

Por merita ma e madhja e këtij dikasterit t’Arsimit ka qenë hapja e shkollavet shqipe për të parën herë, ndër krahinat e ndryshme kosovare. Kosovarët vetë e pohojnë se kjo nisme, e fillimit të shkollës shqipe në Kosovë, nuk mund të quhet as nji rilindje, pse çka nuk ka eksistue kurr, nuk rilindë, por nji lindje e vertete historike per nji popullësi prej ma se nji milion frymësh, përba prej analfabetësh, ma se 90 %. “Nuk kishte nji mësues, profesor, gjygjtar, avokat, doktor mdeicije, me nji fjalë nuk kishte asnji person prej kombësisë shqiptare në profesjonin intelektual” na thotë dr. Rexhep Krasniqi në nji artikull në nr. e fundit të Shêjzavet, ku përshkruenë mjerimin e terrësinavet të Mes Jetës ku i kishin lanë regjimet monorkike jugosllave t’atyne kohëvet. Ky qe vetë dishmitar i asaj gjendje, derisa qe ngarkue nga vetë Ministri, prof. Koliqi, Komisar i Ministrisë per Internatin e Prishtinës, që do bahej çerdhja e arsimtarëvet e arsimtarevet të ma vonëshme.

Prap po i lamë fjalën dr. Krasniit nga i njajti artikull: “Para se të nisej në krye të detyrës (per Kosovë) Z. Krasniqi pat nji bashfjalim të gjatë me prof. Koliqin, i cili, nder të tjera udhëzime, shquejti tri pika me ranësi të posaçme: 1) Misnitrija e Arsimit ven bujarisht në dispozicjon mjete financjare dhe material të ndryshëm për ekuipazhimin e shkollës dhe t’Internatit, si dhe per ushqim e veshëmathje të studentavet bursista; 2) Mësimi i gjuhës shqipe do të kishte prioritet mbi të gjitha landët e tjera, mundësisht me nga dy orë të përditshme per të gjitha klasat, dhe po per këte qellim ai i porositi që: 3) Studentat e kesaj shkolle nuk do të kishin nevojë të marrin pjesë n’organizimin e rinisë fashiste, siç ishte gjendja në Shqipninë e vjetër” (Shêjzat, XVIII, 1974, Nr. 1-10, fq. 10). Bursistat e Internatit ishin 200, të gjith me bursa qeveritarem, dhe drejtohej nga prof. Vasil Andoni.

Në dritën e sotëshme, besoj se gjithkush e kupton randësinë e kësaj nisme historike.

Per ma tepër, po gjatë asaj kohe, themeloi, bashkë me Mustafa Krujën dhe Prof. At Zef Valentinin, Institutin e Studjimevet Shqiptare në Tiranë, i cili përmblodh në gjinin e vet shkrimtarët e poetët ma të njoftunit në botën Shqiptare.
Ma vonë ai e la Ministrinë e Arsimit e kohën e punën ia kushtoi krejtësisht këtij Institutit.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botnore rishtas e gjenë prof. Koliqin tue dhanë mësime në Romë, si titullar i Kathedrës s’Albanologjisë n’Universitetin Shtetnor të këtij kryeqytetit.

Me 1957, me dekret të Kryetarit të Republikës Italjane, Kathedra e Shqipes pranë këtij Universitetit, per njohje prestizhit, u naltue n’Institut Studjimesh Shqiptare.

Botimet ma të njoftuna të Koliqit në Letërsi janë: nji vëllim vjerrshash me titull Gjurmat e Stinvet (1934); nji vëllim novelash Tregtar Flamujsh (1935).

Porse aktiviteti i tij letrar gjindet sidomos nder të përkohshme të ndryshme, si në Hylli i Dritës, Leka, Minerva, Illyrija- që drejtohej nga Asim Jakova, -Gazeta Shqiptare, Ora e Malevet, etj.; Studimev Letrare mbi dy Kolegjat shkodranë, të Jezuitëvet e të Françeskajvet. Mbi poetët Simbolista të Flandrës, Mbi Reflekset Lindore në Letërsinë Shqipe; Mbi Artin Krijimtar të Rapsodvet të Malevet të Veriut të Shqipnisë.

Nder këto vjetët e fundit botoi romanxin Shija e bukës së mbrume sikurse vëllimet me nji varg poemthash në prozë: Pasqyra e Narçizit e Kangjelat e Rilindjes në poezi, Symfonija e Shqipevet perkthye anglisht nga dr. Anesti Andrea. Koliqi shkroi shum edhe në gjuhën italishte, tue përdorë edhe në këtë gjuhë gjithnji thematikë shqiptare, për t’u ba të njoftun të huejvet shpirtin e karakteristikat shqiptarit.

Nder këto vepra spikasin: Epica Popolare albanese (1937): Poesia popolare Albanese (1957); Antologia della Lirica Albanese (1963). Menjiherë mbas botimit autori ia dhuroi të nenshkruemit kopjen me këto fjalë: “Të Përndertit ... kët perpjekje me u a paraqitë bukurisht të huejvet anat ma njerzore të fisit arbnuer, me dashuni, vëllaznim e nderim i a dërgon. E.K.”

Ky vëllim 320 faqesh, qe komentue, në stil e terna eprorë, si nimesë Civilizimit Medhetar, në nji artikull dy shtyllash në Giornale d’Italia (shkurt, 4-5, 1964), shkrue nga nji nder klasicistat ma të mdhajt e Evropës, Ettore Paratore, autor e Ordinar i Letërsisë Latine n’Universitetin Shtetnor të Romës. Ky pat zgjedhë e botue n’atë artikull pjesën e njij poezie origjinale të ndiemit autor, nji nder ma të bukurat e tija, me titull Estrema Visione. (Vegim i mbram). Në këtë poezi lirike autori përshndet per të mbramen herë vorret e të parëvet e Atdheun, i sigurtë se nuk do ta shifte ma per së gjallit, si ngjau:



Quando con un frullar di trepide ali

queste palpebre, stanche

di luce sempre effusa sul dolore,

mi chiuderai con un materno gesto:

mi sembrerà di risentir sul volto

il delicato tocco

d'una rama dei boschi , delle dita

vegetali dei boschi d'Albania,

dita di fresche foglie

asperse di rugiada,

le lagrime del nostro cielo, aulenti,

sudor segreto della nostra terra,

unico refrigerio

al divorante ardore

che mi consuma questa argilla umana,

dove rivive e soffre

la cenere degli avi:

ti seguirò spedito,

tacita condottiera,

sopra il sentiero aereo che conduce

al limitare cerulo

della Gran Luce che tu ci riveli:

pago se, prima di varcar le astrali

alte frontiere e sciogliermi

da questa umana argilla

che m'inceppa

mi mostrerai lontano

nei cieli, fra la bruma

dei miei terrestri di'

volti al tramonto,

le montagne natali

alfine circonfuse da un fiammante

vel di libere aurore.

Përkthime

Prof. Koliqi zen mandej nji vend kryesisht me randësi si përkthyesi ma kompetent që patëm, nga italishtja e frengjishtja në shqip, sikurse nga shqipja n’italishtën. Qe i pari që përballoi përkthimin e poetëvet të mdhaj, si Dante Aligheri, Petrarca, Aristo Tasso, Foscolo, Carducci, Pascoli, D’Annuzio, Baudlaire, Maeterlinck, Verhaeren etj.

Per çdo shkrimtar krijimtar, si Koliqi, asht ma vështirë me sjellë në nji shqipe të kulluet e artistike të këtillë poet, se me krijue nji vepër origjinal.

Ndoshta fort pak shkrimtarëvet shqiptarë u heci fati si prof. Koliqit, që të kishte si karrierrë jetësore, ma tepër në disporë, arsimin e naltë të Letravet Shqipe. Kjo ka qenë nji fatlumsi per ate, sikurse per Letersinë Shqipe. Në dritën e sotëshme, e, nëse sot e kur veprat e shkrimet e tija do të mbidhen e të botohen në tanësi, prof. Koliqi pa dyshim mbetet shkrimtari origjinal ma i madhi i periudhës së tij, mbrenda e jashtë Shqipnijet.

Me qinda nxansa Arbreshë, shqiptarë e italjanë kanë ndjekë mësimet e tija, n’Univeristetin e Romës, dhe, si u tha ma nalt, shum prej sish janë doktorue, tue rrahë thematike Albanologjijet. Ma se katerdhetë theza laurimit pasunojnë me landë letrare, historike e gjuhësore arkivat e Institutit të Studjimevet Shqiptare, që ai themeloi dhe drejtoi me aq zotësi pranë Universitetit të Romës. Në këtë mënyrë prof. Koliqi i ka pregatitë nji brezni të rë, jashta Atdheut, Letërsisë Shqipe.

Besojmë se, sot per sot, kurrkujt nuk ibjen barra ma e randë se Institutit të Albanologjisë n’Universitetin e Romës dhe Qendres Nderkombëtare të Studimevet Shqiptare të Palermos per botimin në tanësi të vepravet e të dorëshkrimvet letrare të prof. Koliqit. Do t’i bajshin sherbimin ma të madhin letrësisë e kulturës shqiptare në diasporë, dhe do t’ishte nderimi e monumenti ma i madhi që do t’i bajshin përkujtimit të Tij.

Prof. Koliqi qe i pari që hapi periudhën e prozës artistike të letërsisë shqipe, në të cilën zen vend mbinominativat, adjektivi me fuqinë kromatike të piktorit, gërshetue me jehonat e ambla të muzikantit. Gjuha e tij asht zhurmuese si prrojet e lumejt shkallmuesa; asht si curili i kronit të kaltert e të pameshëm që në verën rreshkuese me puhinë freskuese, grishë shtektarin me u flladitë, dhe dashtë e padashtë, me pi në te.

Per Mikun e katerdhetë vjetëvet dhe viganin e Letravet Shqipe, mund të thomi çka la shkrue per veti poeti latin, Horaci: Non omnis moriar.

Mars, 10, 1975.
Marrë nga albanovaonline.com







All the contents on this site are copyrighted ©.