2007-01-13 15:52:13

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së Dielës II të Kohës gjatë Vitit kishtar/ C


(13.01.2007 RV)RealAudioMP3 Takohemi përsëri sot me Fjalën e Zotit të së dielës II të Kohës gjatë vitit kishtar.
Pasi përfundoi koha e Krishtlindjes, rifilluam Kohën e zakonshme të vitit Kishtar, duke shfletuar sot faqen e shkëlqyer të Dasmës së Kanës. Është një martesë pak si e çuditshme: nuk flitet fare për nusen, dhëndrri veçsa përmendet. Mungon vera, dmth gëzimi i festës: shërbëtorët marrin urdhër të mbushin me ujë gjashtë enë guri.
Është liturgji e vërtetë ajo që kryhet në dasëm: shërbëtorët simbolizojnë Besëlidhjen e Vjetër ndërmjet Hyjit dhe Izraelit, besëlidhje që nuk është përmbushur plotësisht. Do të jetë Jezu Krishti, dhëndërr i njerëzimit të ri, që do ta shndërrojë ujin e së përditshmes në verën e re të festës së pafundme.
Maria vëren se mungon vera dhe e nxit Jezusin ta përshpejtojë ’orën’ e dëftimit të vet, që do të përplotësohet mbi kryq. U thotë, prandaj, shërbëtorëve: “Bëni gjithçka t’ ju thotë!”. E ndodh mrekullia: uji kthehet në verë!
Shija dhe begatia e verës së mrekullueshme, është simbol i pasurisë të dhuratave shëlbuese të Krishtit. Martesa e lartuar në sakrament është dhanti e Eukaristisë. Me kumtimin e parë të Eukaristisë, Krishti bekon dashurinë e bashkëshortëve të rinj.
E kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë: dëftoi kështu lumninë e vet e nxënësit e tij besuan në Të, ashtu si ne, dymijë vjet pas dasmës së mrekullueshme, vijojmë të besojmë në Krishtitn e në lumninë e Tij e t’i lutemi Hyjit Atë, i cili në orën e Kryqit e ftoi njerëzimin të bashkohet me Krishtin, dhëndërr e Zot, që në festën e së dielës Kisha shenjte ta ndjejë fuqimisht forcën shndërruese të dashurisë së Tij e të parashijojë plot shpresë, gëzimin e dasmës së amshuar.
 E tani ju ftojmë të ndiqni leximet liturgjike e më pas, homelinë e dom Artan Shkurtit nga Tirana:







All the contents on this site are copyrighted ©.