2007-01-13 15:51:58

Lajme nga Kisha në botë


(14.01.2007 RV)RealAudioMP3 Të premten e kaluar filloi vizita e ipeshkvijve evropianë dhe amerikanë në Tokën Shenjte për t’u çuar bashkësive të krishtera vendase një mesazh solidariteti e shprese.
Prelatët e Koordinimit të Konferencave ipeshkvnore në mbështetje të Tokës Shenjte”, organizëm në të cilin marrin pjesë anëtarët e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, të Komisioneve të episkopateve të Bashkimit evropian dhe ipeshkvijtë e SHBA, po vizitojnë Izraelin dhe Territoret palestineze, ku do të qëndrojnë deri më 18 janar.
Kanë filluar tashmë takime të ndryshme me autoritetet vendase e, sidomos, me bashkësitë e krishtera në Jeruzalem, Nazaret, Betlehem e Gazë. Qëllimi: të krishterët e tokës së Jezusit duhet ta ndjejnë se nuk janë vetëm në këto çaste të vështira, se kanë pranë solidaritetin e mbarë Kishës universale, e cila nuk mjaftohet ta njohë gjendjen e tyre duke lexuar gazetat, por shkon në vend për të takuar njerëzit, për t’ua njohur nevojat, për t’u zgjatur dorën e edhe për të mësuar prej tyre.


Parashikohen tri kuota të ndryshme për ata që dëshirojnë të marrin pjesë në DBR 2008 në Sidnei. Sipas vendimit të Komitetit organizator, shuma që duhet të paguajnë pjesëmarrësit vendoset mbi bazën e të ardhurave për frymë të kombeve të ndryshme, sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Agjensia SIR njofton se Komiteti organizator ka caktuar tri kategori pagesash për të rinjtë që dëshirojnë të regjistrohen në manifestimin e madh rinor, i cili do të kremtohet në Australi nga 15 deri më 20 korriku i vitit të ardhshëm. Kuota më e lartë e regjistrimit për të rinjtë që vijnë nga vendet më të pasura, është 395 dollar australian, rreth 237 euro; ndërsa për të rinjt, e vendeve të varfëra parashikohet një kuotë prej 50 dollarësh australian, rreth 30 euro. Kuota e regjistrimit nuk përfshin shpenzimet e udhëtimit për e nga Australia. Çmimet – shpjegon Komiteti organizator – janë studiuar në mënyrë që më të pasurit të ndihmojnë më të varfërit, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në takimin e madh të rinisë botërore.
Komiteti siguron se vizat për të rinjtë që janë regjistruar rregullisht nuk do t’i nënshtrohen taksave qeveritare e se nuk do të ketë kufizime për numrin e të rinjve nga vende të ndryshme, që do të nisen drejt Takimit të madh. Regjistrimet për grupet do të fillojnë nga fundi i marsit 2007, ndërsa ata individuale do të mundësohen nga gjysma e vitit 2007.


Në Lituani filloi puna për rindërtimin e Kodrës së Kryqave të Simulai-t, e cila është dëmtuar rëndë nga një zjarr që shpërtheu papritmas në dhjetorin e kaluar, duke dëmtuar rëndë vetëm kryqat e vegjël, ndërmjet 200 mijë simboleve të shëlbimit, që lartoheshin mbi kodër para rënies së zjarrit.
Besimtarët lituanë kanë rifilluar t’i mbjellin kryqat e shkatërruar të Kodrës së njohur të Kryqave, e cila nuk do të mbetet e shkretë.
Kodrina e Kryqave ka qenë cak shtegtimesh që në mesjetë. Kryqat e parë u duken në këtë vend që më 1863. U shtuan me shpjetësi pas pushtimit të vendit nga Bashkimi Sovjetik, duke u bërë simbol i identitetit të Lituanisë, prandaj u shkatërruan disa herë nga autoritetet sovjetike. Sot, Kodrina, mbi të cilën shkelin çdo ditë më se 1500 shtegtarë, vijon të mbetet monumenti fetar më i vizituar i vendeve baltike.







All the contents on this site are copyrighted ©.