2007-01-12 17:30:06

Sot Papa u takua me ipeshkvijtë e krahinës italiane të Kampanies.


(12.01.2007 RV)RealAudioMP3 Rifilluan, pas ndërprerjes të kohës së Krishtlindjes, vizitat ‘ad Limina’ të ipeshkvijve të disa zonave italiane. Sot paradite Ati i Shenjtë priti prelatët e Kampanies, kryesuar nga kryetari i tyre, kardinali Kreshencio Sepe, kryeipeshkëv i Napolit. Me 25 qarqet kishtare, Kampania ka konferencën ipeshkvnore më numerike në Itali. Për 6 milion banorët e saj kujdesen 2293 meshtarë e 1392 rregulltarë. Zona ka 1829 famulli. Në vitin 61, kur Shën Pali zbarkoi në Pocuoli, gjeti në trojet kampane disa vëllezër, shenjë e qartë se krishtërimi kishte nisur të përhapej në këtë pjesë të Italisë jugore. Fenë e popullit të Kampanies e dëshmojnë bashkëvëllazëritë dhe veprat e bamirësisë, abacitë, kishat e shenjtëroret që u lartuan në këto troje në rrjedhë shekujsh. Sot kjo Kishë e lashtë ndodhet para sfidave të varfërisë, papunësisë dhe kriminalitetit të përhapur. Por kardinali Sepe, duke folur para mikrofonit të Radio Vatikanit, shpreh besimin se takimi me Papën do t’u japë të gjithëve energji të reja:- Kemi shpresë se ky takim me Atin e Shenjtë do të na japë ne, ipeshkvijve, energji të re, guxim të ri e besim të ri, që të mundemi, pastaj, t’ia transmetojmë meshtarëve tanë. Kështu vizita jonë ‘ad Limina’ do të na nxisë të impenjohemi më shumë për të mirën e Kishës e të shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.