2007-01-12 17:30:16

Sfidat e Kishës në Amerikën Latine, në qendër të Konferencës së ardhshme të Sfidat e Kishës në Amerikën Latine, në qendër të Konferencës së ardhshme të CELAM në Brazil.


(12.01.2007 RV)RealAudioMP3 Kriza e fesë, që trondit shumë besimtarë, do të jetë në qëndër të punimeve në Konferencën e ardhshme të përgjithshme të episkopatit latino-amerikan.
Temat e mëdha të fesë dhe problemet urgjente shoqërore do të jenë në qendër të Konferencës V të përgjithshme të episkoptatit latino-amerikan dhe të Karaibeve me temë “Nxënës misionarë të Jezu Krishtit, që në Të popujt të kenë jetë”. Konferenca do të mbahet në Aparecida të Brazilit nga 13 deri më 31 maj. Do të marrin pjesë 176 ipeshkvij të Amerikës Latine, të Spanjës, Portugalisë, SHBA e të Kanadasë, të gjithë me të drejtë vote. Përveç prelatëve, do të jenë të pranishëm edhe 23 rregulltarë, 4 diakonë, 17 laikë, 6 përfaqësues ekumenikë, 5 delegatë të organizmave humanitare dhe 15 specialistë. Punimet do të hapen nga vetë Papa Benedikti XVI.
Sot paradite, Atë David Gutierrez, drejtor i zyrës së shtypit të Këshillit ipeshkvnor latino-amerikan (CELAM) foli në Sallën e Shtypit të Vatikanit për punën parapërgatiore në prag të takimit të rëndësishëm, që pritet aq shumë.
“Është i rëndësishëm – nënvizoi Atë Gutierrez – për një arsye që nuk mund ta lëmë mënjanë, dmth për arsyen se shumë nga besimtarët tanë janë duke u larguar nga katolicizmi. Natyrisht lind menjëherë pyetja: pse? Ndoshta përgjigja e parë, nuk e di sa e drejtë, është se jemi të sulmuar nga sektet e atëherë duhet të krijojmë mekanizmat për t’iu kundërvënë ndikimit të tyre. Gjithsesi problemi nuk qëndron vetëm tek sektet, por edhe tek vetë besimtarët tanë. Ç’po ndodh? Pse besimtarët katolikë tregohen të ligësht e nuk janë në gjendje ta mbrojnë me vendosmëri fenë e tyre, përballë çfarëdolloj propozimi tjetër? Pikërisht për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve kaq të mprehta, jemi përqëndruar tek njeriu, tek besimtarët si nxënës të Krishtit e tek misioni i tyre për t’ua kumtuar edhe të tjerëve fenë e tyre. Prandaj duhet pasur mirë parasysh se puna e misionarit nuk është vetëm të jetojë një fe të mbyllur në vetvete, por kryesisht ta ndajë gëzimin e fesë me gjithë të tjerët”.
Puna përgatitore që është bërë, aspak e lehtë, pasqyrohet në një përmbledhje me 2500 faqe tekst, që po shqyrtohet nga 9 specialistë teologë, filozofë, sociologë dhe specialistë të tjerë të disiplinave shoqërore, të cilët në fund të shkurtit të ardhshëm do t’i paraqesin ipeshkvinjve një dokument, që më pas do të publikohet për të thelluar më tej reflektimin, para fillimit të punimeve të Konferencës. Ndërmjet temave që do të diskutohen, theksi do të vihet mbi sektet, njerëzit e braktisur, pabarazinë ndërmjet të pasurve e të varfërve, dhunën, trafikun e drogës, rolin e gruas në Kishë, të rinjtë dhe sfidat politike. Në fund të punimeve do të paraqitet dokumenti përfundimtar që, më pas, si të miratohet nga Papa, do të shpërndahet në mënyrë kapilare, për t’i dhënë shtytje Misionit të madh kontinental të përtërtijes baritore.







All the contents on this site are copyrighted ©.