2007-01-12 17:45:54

Grupi "Lufta revolucionare" ka kryer atentatin kundër ambasadës amerikane në Athinë e lajme të tjera.


(12.01.07 RV) Grupi terrorist grek i së majtës ekstreme “Lufta revolucionare” mori përsipër atentatin e kryer sot paradite në Athinë. Policia konfirmoi se nga rruga është gjuajtur me raketë kundër selisë së ambasadës amerikane. Atentati, fatmirësisht, nuk ka shkaktuar viktima. Sipas disa vëzhguesve, ky akt është kryer në shenjë proteste kundër mbërritjes së të dërguarit të veçantë të OKB-së për Maqedoninë në Athinë. Sot pasdite, Methju Nimiç ka pasur takime me autoritetet greke e më pas ka shkuar në Maqedoni. OKB-ja po ndërmjetëson për vendosjen e emrit përfundimtar Maqedonisë, e cila siç dihet në nivelin ndërkombëtar, quhet FYROM, pra Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, pasi Greqia nuk pranon që të quhet thjesht Maqedoni. Ky është emri i një krahine greke në kufi dhe vënia e emrit Maqedoni mund të zgjoje nacionalizma dhe rivendikime territoriale, sipas grekëve.


Në Somali, njerëz të armatosur të një klani rival me atë të presidentit të përkohshëm, Abdullahi Jusuf, hapën zjarr sot paradite mbi pallatin presidencial në Mogadisho. Së paku 6 persona mbetën të vrarë. Pak orë më pas, “zotërinjtë më të rëndësishëm të luftës” u treguan të gatshëm të çarmatosin milicët e tyre dhe të bashkohen me qeverinë e përkohshme. Presidenti i Eritresë deklaroi gjithashtu, se ndërhyrja etiope dhe bombardimet amerikane mund të kenë pasoja të rënda për të gjithë rajonin e Bririt të Afrikës. Sipas organizatës jo qeveritare britanike Oxfam, sulmet e aviacionit amerikan kanë shkaktuar së paku 70 viktima, shumica barinj.

Protestë e opozitës në Shqipëri për gjendjen e keqe energjitike në të cilën ndodhet vendi. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se mandati i kësaj qeverie ka përfunduar, pasi Berisha kishte premtuar drita për 24 orë. Ndërkaq, kryeministri Berisha e ka konsideruar absurde kërkesën e opozitës për të noterizuar dokumenta zyrtare si patenta apo dëshmi të tjera identiteti, që do të shërbenin për zgjedhjet e 18 shkurtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.