2007-01-11 17:54:24

Në audiencën me administratorët e Zonës së Lacios, të Provincës dhe të Komunes së Romës, Benedikti XVI i konsideroi të rrezikshme dhe destabilizuese njohjet ligjore të bashkimeve të ndryshme nga familja tradicionale


(11.01.2007 RV)RealAudioMP3 Është familja e bazuar mbi martesën ajo që ka nevojë për mbrojtje etike e mbështetje shoqërore nga ana e shtetit. Njohja juridike e tipeve të tjera të bashkimeve na duket e rrezikshme dhe destabilizuese për vetë familjen. Ky është pohimi kryesor i Papës në audiencën tradicionale në fillim të vitit të ri, me administratën e Zonës së Lacios, të Provincës dhe të Komunes së Romës.
Duke kujtuar vizitën e tij të kohëve të fundit në mencën romake të Karitasit në Kodrën Opio, Papa theksoi se Kisha vendase dhe strukturat e ndihmës duhet të bashkëpunojnë në veprimtaritë solidare për të mbështetur nevojtarët.
“Çdo njeri që vuan, që është i varfër, i sëmurë, i prekur nga çfarëdo lloj mjerimi shoqëror, është njeri që i përket Kishës dhe të gjithë njerëzve, vëllezër të tij”. Kjo është korniza simbolike në të cilën Benedikti XVI vendosi vërejtjet me karakter praktik, laitmotiv i takimit të tij me tre drejtuesit kryesorë: Pietro Marraco, i Zonës së Lacios; Enriko Gasbarra, i Provincës së Romës dhe Valter Veltroni, i Komunes kapitoline, që e përshëndetën Papën, duke kujtuar nismat e tyre më të rëndësishme në favor të qytetarëve, realizuar gjatë mandateve përkatëse.
Në vijim, si shprehu ndjenjat e dashurisë, afërsisë dhe kujdesit baritor për qytetin e Romës dhe gjithë Lacion – troje thellësisht të krishtera - Papa nënvizoi se e mira e përgjithshme e popullsisë së pranishme në këto vise mbrohet dhe çohet më tej përmes bashkëpunimit të strukturave kishtare e atyre publike, duke respektuar plotësisht laicitetin e shëndoshë të funksioneve të të dyja palëve. Gjithsesi – shtoi Ati i Shenjtë - sot duhet treguar vëmendje e veçantë në shumë drejtime e, në radhë të parë, në drejtim të jetës brënda mureve të shtëpisë. Martesa e familja sot kanë nevojë të kuptohen e të vlerësohen më mirë në përkim me misionin e tyre të vërtetë, e kjo duhet ta impenjojë më tepër Kishën, por njëkohësiht ndjehet edhe nevoja për një politikë të familjes e për familjen:
“Bëhet fjalë për të shumfishuar nismat që mund ta bëjnë më pak të vështirë për çiftet e reja krijimin e familjes, e më pas, lindjen dhe edukimin e fëmijëve, duke favorizuar punësimin e të rinjve, duke llogaritur, për sa është e mundur, çmimin e banesave, duke rritur numrin e shkollave foshnjore dhe të çerdheve. Ndërsa na duken të rrezikshme dhe me efekt të kundërt planet që synojnë t’u sigurojnë formave të tjera të bashkimit njohje të parregullta juridike, të cilat çojnë, në mënyrë të pashmangëshme, në dobësimin e familjes së ligjshme, të themeluar mbi martesën.”.
Prej këndej buron detyra e edukimit të breznive të reja, në radhë të parë përmes veprimtarisë baritore, por edhe përmes trajtimit të problematikave me përmbajtje shoqërore e civile - vijoi Benedikti XVI dhe në përfundim falënderoi përzemërsisht çdo nivel të administratës publike për mbështetjen e organizmave kishtare të impenjuara në këtë sektor, posaçërisht në fushën e oratoreve dhe të mbrojtjes së shëndetit. Duke folur për këtë fushë tepër të gjërë, Papa theksoi kërkesën për përpjekje të përbashkëta, që t’u sigurohen mjekimet e shpejta e të përshtatshme njerëzve të cilët vuajnë nga sëmundje fizike ose psikike, duke respektuar dinjitetin dhe shenjtërinë e jetës së tyre:
 “Po, të nderuar përfaqësues të Administratës së Romës e të Lacios, çdo njeri që vuan, i përket Kishës e njëkohësisht edhe të gjithë njerëzve. I përket, prandaj, edhe përgjegjësisë suaj, si administratorë publikë. Ndërkaq nuk mund të mos shpreh kënaqësinë time për bashkëpunimin ndërmjet organizmave kishtare dhe administratave tuaja, për lehtësimin e varfërisë në të gjitha shfaqjet e saj ekonomike, por edhe njerëzore, që prekin thellë një numër të madh njerëzish e posaçërisht, emigrantët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.