2007-01-10 18:36:24

Urdhëri i Maltës kërkon një status të posaçëm për Jeruzalemin.


(10.01.2007 RV)RealAudioMP3 “Një status të posaçëm, të garantuar në plan ndërkombëtar” për Jeruzalemin, “qytet i tri feve e njëkohësiht atdhe i dy popujve”. Këtë kërkoi, në përkim të plotë me Selinë e Shenjtë, Mjeshtri i madh i Urdhërit të Maltës, vëllau Andreu Bertje, i cili priti dje, në Vilën Malta të Romës, ambasadorët e 96 vendeve të akredituara pranë Urdhërit, për takimin tradicional të fillimit të vitit të ri. “Shtegtarët e mbarë botës duhet të kenë të drejtën të hyjnë lirisht në Jeruzalem” – pohoi prijësi i Urdhërit Sovran mijëravjeçar, duke njoftuar, më pas, se do të kryesojë personalisht një shtegtim të madh ndërkombëtar në Tokën Shenjte tetorin e ardhshëm. Gjatë takimit u fol edhe për perspektivat e shpresës që hapi shtegtimi apostolik i Papës Benedikti XVI në Turqi, ngjarje e jashtzakonshme që do të mbetet në historinë e Kishës dhe të njerëzimit. U vu theksi edhe mbi nismat humanitare të organizuara nga urdhëri në mbarë botën: nga barakat e Nairobit në Vietnam, nga rrënojat e Nju Orleansit në Darfurin sudanez, nga Rumania në Pakistan e në mijëra skena të tjera kritike të Planetit, në të cilat më se 11 mijë veprimtarë të Urdhërit: mjekë, infermierë, bashkëpunëtorë vullnetarë, punojnë me përkushtim në ndihmë të sieropozitëve, të gërbulurve, refugjatëve, jetimëve dhe të gjithë njerëzve që vuajnë, me përkim të plotë me shpirtin e shërbimit të kalorësve të lashtë të spitaleve.







All the contents on this site are copyrighted ©.