2007-01-10 17:37:25

Në historinë e Kishës persekutimi bëhet burim i misionit: këtë nënvizoi sot Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar Shën Shtjefnit protomartir.


(10.01.2007 RV)RealAudioMP3 “Impenjimi i bamirësisë nuk mund të veçohet nga kumtimi i Ungjillit” – me këto fjalë iu drejtua sot Benedikti XVI besimtarëve në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, që u mbajt në Sallën e Palit VI, duke kujtuar edhe se persekutimi i Kishës, që nuk ka munguar e nuk do të mungojë kurrë në rrjedhë të historisë së njerëzimit, bëhet gjithnjë burim i misionit.
“Kryqi mbetet gjithnjë në qendër të jetës së Kishës”- reflektoi Benedikti XVI i cili, në audiencën e dytë të vitit 2007, foli kryesisht për lidhjen e ngushtë ndërmjet persekutimit e misionit. Mbytja e Shën Shtjefnit me gurë – kujtoi Papa - shënon fillimin e salvimit kundër ndjekësve të Krishtit, të cilët asokohe nisën të dalin nga Jeruzalemi për t’u kumtuar, për herë të parë, Ungjillin paganëve.
“Në historinë e Kishës nuk do të mungojnë kurrë mundimet, përndjekjet. E pikërisht persekutimi, sipas frazës së famshme të Tertulianit, bëhet burim i misionit të të krishterëve të rinj. ‘Ne, të krishterët shumfishohemi, sa herë që ju na korrni: është farë e hedhur gjaku i të krishterëve!”.
Shën Shtjefni – vijoi Ati i Shenjtë – na mëson ta duam Kryqin, sepse Kryqi është rruga përmes së cilës Krishti arrin gjithnjë në takimin me ne”. Kryqi është qëndra e jetës për çdo të krishterë:
Edhe në jetën tonë kryqi, që nuk do të na mungojë kurrë, bëhet bekim. Duke e pranuar kryqin, pasi e dimë se kryqi bëhet dhe është bekim, mësojmë gëzimin e krishtërimit edhe në çastet më të vështira të jetës”.
Një mësim tjetër i madh, që na la Shën Shtjefni- vijoi Papa - është se dashuria e krishterë dhe kumtimi i së Vërtetës nuk duhen veçuar asnjëherë:
Mund të mësojmë nga figura e Shën Shtjefnit se bamirësia dhe kumtimi shkojnë gjithnjë krah për krah”.
Shën Shtjefni e kumtoi Krishtin me dashuri të thellë të krishterë deri në atë pikë, sa të pranonte martirizimin. Është një martir i modeluar sipas vetë mundimeve të Krishtit – shtoi Ati i Shenjtë – e më pas kujtoi lidhjen e ngushtë të Shën Shtjefnit me Shën Palin. Sauli – vërejti Papa – nga persekutues, bëhet apostull i Ungjillit e, pas takimit me Shën Shtjefnin, rifillon leximin kristologjik të Besëlidhjes së Vjetër, duke dëshmuar se bashkimi me Krishtin përfaqëson përmbushjen e gjithë Ligjit. Kështu, në mënyrë providenciale, ndodh që në misionin e Apostullit të Popujve përkryhet dëshmia e martirit të parë të Kishës.
Duke vijuar reflektimin për figurën e Shën Shtjefnit, Papa kujtoi se ai bënte pjesë në grupin e nxënsve të Krishtit për zhvillimin e veprimtarive bamirëse. Ata u paraqitën para apostujve të cilët, pasi u lutën, u vunë duart mbi kokë. Ishte një gjest me shumë kuptime. Nga sa lexojmë në Letrën drejtuar Timoteut, arrijmë në përfundimin, që tingëllon si urdhër: “Askujt mos ia vër duart me ngutësi. Mos u bëj pjesëtar në mëkate të huaja!”. E kjo, sepse gjesti i vënies së duarve bëhet shenjë sakramentore. Në rastin e Shën Shtjefnit e shokëve të tij – shpjegoi Ati i Shenjtë – kemi të bëjmë pa dyshim me transmetimin zyrtar nga ana e apostujve të një detyre e njëkohësisht të një hiri, që mund të ushtrohej.
Pas audiencës së përgjithshme Benedikti XVI vizitoi ekspozitën e Shpellave të Betlehemit në tremen e Sallës së Palit VI, ku janë ekspozuar 20 Shpella Betlehemi, vepra të realizuara në dru nga artistët e Trentos. Ekspozita titullohet “I ëmbli Krishti Fëmijë”. Ndërsa pas katekizmit, në çastin e përshëndetjeve, besimtarët i bënë Papës disa dhurata simpatike: dy bluza futbolli, që të dyja me shkrimin “Benedikti XVI”. E para, ngjyrë ari si ajo e kombëtares braziliane, iu dhurua nga një grup meshtarësh futbollistë, anëtarë të skuadrës ndërkombëtare të priftërinjve; ndërsa e dyta, bardh-kuq e blu, prej një grupi besimtarësh italianë nga Kampania.







All the contents on this site are copyrighted ©.