2007-01-10 18:38:07

 Venezuela: Çavez bën betimin e tretë si president.


(10.01.2007 RV)Presidenti i Venezuelës, Hugo Cavez, i cili sot fillon mandatin e tij të tretë në krye të vendit, me deklaratat për shtetëzimin e ekonomisë, ka shkaktuar një debat kontinental, që ka përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe Organizatën e Shteteve Amerikane.
Objektivat e Cavezit deri në vitin 2013 janë të qarta tashmë: “ligji kuadër” mbi shtetëzimet, “reforma socialiste e Kushtetutës”, forcimi i “edukimit popullor” dhe “gjeometria e re në pushtet”. Nga Shtëpia e Bardhë kanë bërë të ditur se nëse preken firmat amerikane që punojnë në territor, SHBA do të kërkojnë dëmshpërblim. Pas këtyre deklaratave, bursa venezuelane ra ndjeshëm, aq sa për ta detyruar ministrin e financave të sigurojë tregjet botërore se, siç thanë sot eksponentët qeveritarë, socializmi i shpallur nga Hugo Cavez është socializëm i shekullit XXI. Se ç’do të thotë kjo do ta tregojë koha.
Ndërkaq, Ministri i brendshëm është takuar me krerët e Kishës së Venezuelës dhe i ka ftuar të marrin pjesë në debatin për të ardhmen e Venezuelës, pasi përvoja e Kishës mund të jetë e dobishme për vendin. Gjatë hapjes së asamblesë së zakonshme të Konferencës Ipeshkvnore, presidenti i saj, imzot Ubaldo Santana, sqaroi se Kisha do të marrë pjesë në këtë debat, duke kërkuar që në të gjitha politikat shoqërore të vihet në qendër njeriu, si kriter thelbësor për çdo zhvillim.
Në rendin e ditës së punimeve të Organizatës së Shteteve amerikane është vënë edhe diskutimi për mungesën e rinovimit të koncesionit për televizionin “Kanal 2”, nga ana e qeverisë venezuelane. Cavez ka kërkuar që Organizata të mos ndërhyjë në punët e brendshme. Ndërkaq, po sot, Daniel Ortega, ish-komandanti i Frontit sandinist të Clirimit, mori në dorë zyrtarisht presidencën e Nikaraguas, në mandatin e tij të dytë. Ortega ka qenë president edhe në vitet 1985-1990. Që në fillim, bashkëpunëtorët e tij theksuan se do të mbështeten tek Venezuela për të kapërcyer problemet e varfërisë në vend, por nuk do të ndjekin shembullin e presidentit Cavez. Ky i fundit qe i pranishëm në ceremoninë e betimit, sëbashku me 14 presidentë të tjerë, ndër të cilët ai i Iranit.







All the contents on this site are copyrighted ©.