2007-01-09 18:47:59

Tryezë presidenciale për zgjedhjet në Shqipëri e lajme të tjera.


(9 janar 2007 RV) Pas presioneve ndërkombëtare, në Tiranë është mbledhur sot tryeza e partive politike tek Presidenti i republikës Moisiu, pa ndonjë rezultat të dukshëm. Është propozuar krijimi i një grupi pune me ekspertë shqiptarë dhe të huaj, nën drejtimin e Moisiut, për të gjetur një zgjidhje për çështjen e çertifikatave për zgjedhjet lokale të shkurtit.


Kriza energjitike në Shqipëri e detyron Ministrin e Industrisë dhe të Energjitikës, Genc Ruli të pranojë publikisht fajin e vet dhe të KESH-it për dështimin e masave të marra. Fakti që u mbyll centrali bërthamor bullgar, ka ndikuar negativisht në furnizimin me energji nga jashtë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë Ballkanin. Shqipëria po përgatitet të blejë energji nga Greqia, por ndërprerjet brenda vendit do të vazhdojnë. Aktualisht Tiranës i ndërpritet energjia elektrike për 4 orë e gjendja ndryshon nga një qytet në tjetrin. Por Tirana dhe Shqipëria akoma presin ndërhyrjet në infrastrukturë në këtë fushë, të cilat duhet të vendosen nga politika. Natyrisht, për këtë nuk foli Ministri Ruli.


Sipas gazetës amerikane “Nju Jork Tajms”, propozimi i kryenegociatorit Marti Ahtisari për statusin e Kosovës do të shpallet më 26 janar. Në Vjenë, ai do të njoftojë së pari SHBA, vendet evropiane dhe Rusinë. Kosova do të jetë në qendër të vëmendjes edhe në një takim të NATO-s në Bruksel, për të parashikuar reagimet e mundshme dhe masat që duhen marrë.







All the contents on this site are copyrighted ©.