2007-01-09 18:12:14

Reagime në Poloni për dorëheqjen e imzot Vielgush, kryeipeshkëv i Varshavës.


(09.01.2007 RV)RealAudioMP3 Vijonë reagimet e Kishës dhe të besimtarëve polakë, shkaktuar prej dorëheqjes së imzot Vielgush nga detyra e kryeipeshkvit të Varshavës.
“Kisha polake është një Kishë plot gjallëri, një Kishë guximtare” nënvizoi në mikrofonin e radios sonë sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Bertone gjatë intervistës që sapo transmetuam. Kardinali ripohoi se Kisha e Polonisë është besnike, edhe pse ka jetuar çaste paqartësie si dhe çaste kompromisi, duke u bërë viktimë e tyre. Duke menduar për situatën e vështirë në të cilën po jeton kleri polak pas dorëheqjes së Imzot Stanislav Vielgush, kardinali Bertone nënvizoi se Polonia është komb që ka vuajtur gjatë gjithë historisë së vet nën ndikimin e ekstremizmave e nën thundrën të regjimeve që e martirizuan e që lanë gjurmë të hidhura edhe mbi të sotmen e vendit”.
Ndërkaq Kryesia e Konferencës ipeshkvnore polake, publikoi një komunikatë, përmes së cilës u kërkon të gjithë besimtarëve ta pranojnë këtë përvojë të hidhur me shpirtin e fesë dhe të luten për Kishën në Poloni. Kisha polake sot – lexohet në komunikatë – duhet ta shikojë me syrin e së vërtetës të kaluarën, të sotmen e të ardhmen e saj. Imzot Vielgush kërkoi vullnetarisht dorëheqjen nga detyra që i ishte caktuar, për shkak të akuzave të rënda që iu drejtuan. Vendimi për të dhënë dorëheqjen tregon qartë sa i madh është shqetësimi i tij për të mirën e Kishës në Poloni dhe e nderon prelatin. Njëkohësisht edhe vendimi i Atit të Shenjtë, Benediktit XVI për pranimin e dorëheqjes, dëshmon kujdesin e Papës për vijimin e qetë të veprimtarisë baritore në Poloni. Komunikata nënshkruhet nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore katolike polake, imzot Jozef Mihalik dhe dy anëtarët e tjerë të kryesisë. Konferenca Ipeshkvnore polake u drejtohet edhe përfaqësuesve të mediave duke kërkuar ta respektojnë vendimin e kryeipeshkvit Vielgush e të heqin dorë nga teprimet në shpjegimin e fakteve, që nuk përkojnë me të vërtetën.
Për reagimet mbi këtë ngjarje të hidhur, që vijojnë në një vend me traditë thellësisht katolike, si Polonia, ftuam në mikrofonin tonë Tadeush Konopkën, i dërguar i Ansës në Varshavë:
- “Ndihma erdhi nga Roma”; “Papa shmangu çnderimin e Kishës”; “Kryeipeshkvi Vielgush heq dorë nga detyra”: janë disa nga kryetitujt e gazetave kryesore polake të kohëve të fundit. Sipas ‘Gazeta Vyborca” - data 7 janar do të mbetet në historinë e Kishës katolike në Poloni e në botë. Stefan Frankieviç, ish ambasador i Polonisë pranë Selisë së Shenjtë, shkruan se me këtë ngjarje për Kishën polake merr fund epoka e ‘triumfalizmit’, që arriti një nga kulmet e veta me zgjedhjen e Gjon Palit II në fronin e Shën Pjetrit, në tetor të vitit 1978, falë edhe autoritetit dhe rolit të jashtzakonshëm që luajti në këtë periudhë primati i Polonisë, kardinali Stefan Vishinski, i cili u bë simbol i gjallë i rezistencës së Kishës përballë komunizmit. Edhe vetë Kisha ka nevojë t’i sqarojë faktet e së kaluarës, për t’u pastruar. E në saje të këtij pastrimi, shpresohet të lindë një lidhje më e fuqishme ndërmjet laikatit dhe hjerarkisë së Kishës katolike në Poloni.
- Sipas jush, pse u krijua në Kishën polake një situatë e tillë, kaq e rëndë?
 - Natyrisht Kisha jeton në botë dhe është e rrethuar nga institucione e nga mjete komunikimi, të cilat nuk janë gjithnjë në favor të saj, por ky është një realitet që duhet pasur parasysh, sepse Kisha është e detyruar të jetojë në të. Në këtë vështrim, pozita e Kishës polake është shumë e veçantë, sepse vlerësohet si një institucion tepër i rëndësishëm edhe nga ata që nuk janë katolikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.