2007-01-09 18:12:25

Duke shfletuar kalendarin, Kisha katolike përkujtoi Shën Andreun Korsini


(09.01.2007 RV)Data e lindjes së Shenjtit është e paqartë. Mendohet të ketë lindur në fillimet e 1300-tës. Sipas gojëdhënës, deri në moshën pesëmbëdhjetë vjeçe kaloi një jetë të çrregullt. Por më pas, si hyri në Karmel, hoqi dorë nga çdo gjë, veç Zotit, me të cilin u lidh gjithnjë më ngusht, duke bërë të vetat vlerat e jetës rregulltare. U dallua kështu si rregulltar shembullor, gjë që e tregon fakti i vlerësimit të tij si njeri i denjë për të qenë epror i karmelitanëve të provincës së Toskanës.
Urtia dhe zemra e tij e madhe ranë menjëherë në sy në vitet 1348-49, kur në Firence shpërtheu epidemia e tmerrshme e murtajës. Epidemia e llahtarëshme vuri edhe më tepër në dukje madhështinë e Shenjtit, që ndodhej ditë-natë te koka e të sëmurëve, gjithnjë i gatshëm për t’u dhënë ndihmë njerëzore e shpirtërore, pa menduar fare se po vinte në rrezik jetën e vet. Papa Klementi VI e emëroi, më 13 tetor 1349, ipeshkëv të Fiezoles.
Shumë shpejt Shenjti e tregoi me vepra se nuk e shikonte ipeshkvninë si pushtet, as si nderim personal: kishte treguar me kohë se nuk interesohej për pushtet, as për nderime. U vendos në Firence, ndonëse pallati ipeshkvnor ishte gjysëm i rrënuar. Deshi të jetonte pranë popullit, për të njohur nga afër nevojat njerëzore e shpirtërore të grigjës që i qe besuar. Populli ishte i varfër e ipeshkvi, plot dhimbje e mëshirë. Për të shkruhet: ‘Nuk mund t’i mbante lotët, kur fliste për të varfërit, të cilëve ua ndante për ditë bukën me duart e veta’. E pikërisht nga që njerëzit ishin të varfër e kishin nevojë për ndihmë, ai nuk mund të duronte që meshtarët e dioqezës të jepnin shembull të keq, të rrinin larg famullive e të ishin të paditur. Ndërtoi, prandaj, një lloj seminari, që të formonte meshtarë të denjë për detyrën e tyre.Fitoi këshu famë e meritoi simpatinë e të gjithëve.Të pasur e të papasur vinin tek ai për të gjetur paqen, pas viteve të gjata të luftërave e të urrejtjeve, që shkatërronin familje e qytete. E ai vijonte të predikonte, duke shrrënjosur urrejtjen e duke mbjellur farën e dashurisë së krishterë e të harmonisë, i rrethuar gjithnjë nga turmat e pafundme, që vinin edhe nga larg për të dëgjuar fjalët e ngarkuara me shpresë. Vdiq më 6 janar 1370; u shpall shenjt më 29 prill 1629.







All the contents on this site are copyrighted ©.