2007-01-08 18:09:59

Në solemnitetin e Pagëzimit të Zotit, Papa pagëzoi 13 fëmijë; në Engjëllin e Tënzot ripohoi se çdo i pagëzuar është i thirrur në rrugën e shenjtërisë.


(08.01.2007 RV)Dje, në festën e Pagëzimit të Zotit, pasi u dha sakramentin e pagëzimit 13 fëmijëve, Benedikti XVI i nxiti prindërit e tyre të krishterë të jetojnë me thjeshtësi e harmoni, duke pasur si model jete Familjen e Nazaretit.
“Çdo foshnjë që lind sjell mes nesh buzëqeshjen e Zotit dhe na fton të pranojmë se jeta është dhuratë që vjen prej Tij, dhuratë që duhet pritur me dashuri e duhet mbrojtur gjithnjë me kujdes, në çdo çast të saj”.
Çdo fëmijë që lind, Zoti ua beson prindërve të tij e prej këndej kuptojmë edhe rëndësinë e familjes së themeluar mbi martesën, djep jete e dashurie, ndërtuar sipas modelit të familjes së Nazaretit, në të cilën mbretëronin thjeshtësia, durimi e harmonia – vijoi Ati i Shenjtë – e më pas u bëri thirrje gjithë prindërve të fëmijëve të pagëzuar e përmes tyre, mbarë familjeve:
“Mos harroni se dëshmia juaj dhe shembulli juaj ndikojnë më shumë se çdo gjë tjetër mbi pjekurinë njerëzore e shpirtërore të lirisë së fëmijëve tuaj. Pavarësisht nga veprimtaritë tuaja të përditshme, shpesh herë marramendëse, mos harroni të luteni në punë e në familje, sepse lutja është sekreti i duresës së krishterë”.
Duke kujtuar më pas fjalët e Shën Lukës ungjilltar, Papa nënvizoi se Jezusi foli me Atin qiellor pasi pati marrë Pagëzimin në lumin Jordan. E nuk u lut vetëm për vete, por për të gjithë ne. E atëherë qielli u hap! Nga kjo ngjarje kuptojmë se sa më shumë të jetojmë në bashkim me Jezusin në realitetin e pagëzimit tonë, aq më shumë do të hapet mbi ne qielli, sepse me Pagëzimin bëhemi bij të familjes së Zotit.
Pas Meshës solemne në bazilikën e Shën Pjetrit, Papa doli në dritaren e studios së Tij private për lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës.
Në Sheshin e Shën Pjetrit Benedikti XVI ripohoi se të krishterët janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë, e cila u përket gjithë të pagëzuarve. Duke kujtuar solemnitetin e Pagëzimit të Krishtit, Ati i Shenjtë shpjegoi se bashkësia apostolike e vlerësonte këtë si ngjarje tepër të rëndësishme jo vetëm sepse qe dëftim i qartë dhe i plotë i misterit trinitar, por edhe pse me të nisi misioni publik i Jezusit nëpër udhët e Palestinës. Pagëzimi i Jezusit në Jordan – shpjegoi Papa - paralajmëron pagëzimin e Tij me gjak mbi Kryq, simbol i mbarë veprimtarisë sakramentore përmes së cilës Shëlbuesi realizoi shpëtimin e mbarë njerëzimit. Kështu u shpreh Papa, duke vënë në dukje lidhjen e ngushtë ndërmjet pagëzimit të Krishtit e pagëzimit tonë:
“Përmes Tij ne bëhemi pjesë e Korpit mistik të Krishtit, që është Kisha, vdesim e ringjallemi me Të, vishemi me Të, siç përsërit disa herë Shën Pali Apostull. Nga pagëzimi buron impenjimi për ta dëgjuar Jezusin, dmth për të besuar në Të e për ta ndjekur pas pa fjalë, duke bërë vullnetin e Tij”.
Në këtë mënyrë – përfundoi Papa – secili mund të synojë shenjtërinë, cak drejt të cilit – siç porosit Koncili II i Vatikanit, janë të thirrur të ecin gjithë të krishterët.
Dje, pra, Kisha kremtoi festën e Pagëzimit të Zotit. Kanë kaluar më se 2000 vjet që kur edhe Krishti vetë, ndonëse i pamëkat, deshi t’u afrohej brigjeve të Jordanit për të marrë pagëzimin e për t’u solidarizuar kështu me pendestarët në kërkim të shpëtimit të shpirtit. Me praninë e tij, Jezusi e shenjtëroi këtë rit. Kështu pagëzimi nuk do të ishte më thjeshtë pastrim, sepse përmes tij shpirti i Zotit ngul banesën e vet në atë që e merr sakramentin. Ky gjest i Jezusit është pajtim hyjnor me gjininë njerëzore, pas mëkatit të rrjedhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.