2007-01-06 19:13:21

Shenjtorët e javës sipas kalendarit kishtar
(8-13 janar 2007)


(7 janar 2007 RV)Nesër e hënë 8 janar kisha përkujton Shën Severinin, pajtor kryesor i Austrisë dhe i Bavarisë, zonë që në antikitet quhej Norik. Me veprat e tija bamirëse, ndërmjetësitë e tija si qytetar romak pranë fiseve barbare gjermane që merrnin peng të huajt, Shën Severini na kujton se sa e rëndësishme është ta duash të afërmin në çaste të vështira. Banorët e Norikut përqafuan fenë e Krishtit falë pikërisht veprave dhe dhuntive të këtij shenjti.
Të martën Kisha kremton Shën Julianin dhe Shën Basilisën, bashkëshortë, të dy shenjtër, që me kujdesin e tyre për të shtegtarët dhe endacakët treguan dashurinë ndaj Kishës dhe të varfërve në shpërblim të mëkateve të veta.
Me 10 janar Kisha kremton Shën Aldon, murg benedektin irlandez, i varrosur në Pavi, Itali, që gjatë gjithë jetës zbatoi fjalët “ora et labora”- “lutu dhe puno”.
Martirologu romak me 11 janar përkujton Shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrificia duhen për të mbrojtur besimin.
Emri i Shën Çezirës apo Çezaries që do të kremtohet të premten, 12 janar, është i lidhur ngushtë me atë të vëllait Shën Çesarit, ipeshkëv. Në fakt ishte ky që shkroi Rregullën e urdhërit murgëtar në të cilin do të bënte pjesë e motra, Urdhër që bazohet tek heqja dorë nga çdo pronë private, klauzura e përjetshme, përjashtimi nga juridiksioni ipeshkvnor dhe bindja ndaj superiores së quajtur “mater”.
Shën Hilari i mbiquajtur “Athanasi i Perëndimit” do të kremtohet të shtunën më 13 janar. Ipeshkëv i Puatjesë, që në vitin 353 u bë mbrojtës i flakët i Koncilit të Niçesë që luftoi herezinë ariane. Vepra e tij më madhe mbetet “De Trinitate” – “Mbi Trininë Shenjte”.
Arritëm kështu tek e diela e ardhshme. Në këtë ditë Kisha do të përkujtojë Shën Feliçin e Nolës, ipeshkëv, martir. Varri i tij njihet nga tradita e krishterë si “Ara veritatis” – “Altari i së vërtetës” sepse edhe pas vdekjes bënte mrekullira duke nxjerrë në shesh të vërtetën dhe duke luftuar gënjeshtrat dhe shpifjet.








All the contents on this site are copyrighted ©.