2007-01-06 18:53:35

Krishti është shpëtimi i njeriut, shenjtëria e familjes dhe paqja për botën. Papa Benedikti XVI gjatë festave në kapërcyell të dy viteve.


(7 janar 2007) RealAudioMP3 Me Festën e sotme të Pagëzimit të Zotit tonë Jezu Krishtit, mbyllet periudha e festave që lidhen me fundin e një viti e me fillimin e një viti të ri. Papa Benedikti XVI, në të gjitha ndërhyrjet e tij, gjatë homelive e fjalëve që ka mbajtur, u ka kërkuar besimtarëve të njohin, në ngjarjen e Lindjes së Krishtit shenjën e shpëtimit të njeriut, të shenjtërisë së familjes e të paqes për botën.
Edhe pas dymijë vjetësh, qendra e rrezatimit të paqes që kërkon njerëzimi, qendra e shpëtimin nga e keqja me të gjitha aspektet e saj, nuk është zhvendosur nga nata e Betlehemit. “Shpëtimtari i të gjithëve” edhe një herë ka fytyrën e një foshnjeje, ka forcën e tij të brishtë, një nënë e një babë model për çdo familje, megjithëse sot modelet që po përhapen janë të tjera. Zemra e fjalëve të Papës është Zoti-Fëmijë që rrezaton të gjitha këto aspekte të jetës njerëzore. Në homelinë e natës së Krishtlindjes, më 24 dhjetorin e kaluar, Ati i Shenjtë theksoi:
Ai nuk vjen me pushtet e madhështi të jashtme. Ai vjen si fëmijë i pambrojtur, që ka nevojë për ndihmën tonë. Nuk do të na mposhtë me forcë. Na e heq frikën nga madhështia e tij. Ai na kërkon vetëm dashuri: për këtë bëhet fëmijë. Asgjë tjetër nuk do prej nesh, përveçse dashurinë, nëpërmjet së cilës mësojmë se si të hyjmë në ndjenjat e tij, në mendimet dhe vullnetin e tij – mësojmë të jetojmë me Të dhe të vemë në jetë sëbashku me Të edhe përvujtërinë e heqjes dorë nga disa gjëra, përvojë që është thelbi i dashurisë.
Dita e Krishtlindjes është dita e një pyetjeje që përforcon këtë koncept. Para 100 telekamerave të 60 vendeve të botës, Papa Racinger pyet: “Është akoma i nevojshëm një “Shpëtimtar” për njeriun që ka arritur në Hënë e në MArs e bëhet gati të pushtojë universin?, për njeriun që ka arritur të deshifrojë edhe kodet e mrekullueshme të ADN-së njerëzore, që lundron në oqeanin virtual të internetit dhe e ka kthyer Tokën, këtë shtëpi të madhe të përbashkët në një fshat global?. Përgjigjia është “po”, sepse pa Shpëtimtarin dhe mesazhin e tij universal të dashurisë, planeti mbetet në mjerim:
Akoma ka njerëz që vdesin nga uria e etja, nga sëmundjet e varfëria në këtë kohë bollëku e konsumizmi të shfrenuar. Akoma ka njerëz skllevër, të shfrytëzuar e të ofenduar në dinjitetin e tyre; ka njerëz viktima të urrejtjes raciale e fetare… Ka njerëz që e shohin veten e të afërmit e tyre, sidomos fëmijët, të martirizuar nga armët, nga terrorizmi e nga çdo lloj dhune në një epokë, në të cilën të gjithë kërkojnë e shpallin përparimin, solidaritetin e paqen për të gjithë.
Lindja e Mesme dhe Afrika, Azia, Evropa dhe dy Amerikat: Benedikti XVI kujton emergjencat e momentit dhe në mesazhin Urbi et Orbi, drejtuar Romës e botës, më 25 dhjetor, uron:
Të dashur vëllezër e motra, kudo që ndodheni, ju mbërriftë ky mesazh gëzimi e shprese: Zoti u bë njeri në Jezu Krishtin, lindi nga shën Maria Virgjër e rilind sot në Kishë. Është Ai që u sjell të gjithëve dashurisë e Atit Qiellor. Është Ai Shpëtimtari i botës! Mos kini frikë, hapjani zemrën, pranojeni, që Mbretëria e tij e dashurisë dhe e paqes të bëhet trashëgimi e përbashkët e të gjithëve. Për shumë mot Krishtlindjen!
Pas Krishtlindjes, festa e shën Shtjefnit. Por pse Kisha kujton gjakun e një martiri, një ditë pas gëzimit të lindjes së Jezu Krishtit? Shpjegoi Papa:
Kuptohet atëherë lidhja që ekziston ndërmjet ditëlindjes së Krishtit e ditëlindjes në Zotin të Shën Shtjefnit. Nëse Jezusi nuk do të kishte lindur në tokë, njerëzit nuk do të kishin mundur të rilindnin në Qiell. Pikërisht se ka lindur Kirshti, ne mund të rilindim!
Të dielën më 31 dhjetor është dita e familjes së Nazaretit. Nga dritarja e studios së tij, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tenzot, Benedikti XVI u drejtohet njerëz me fjalë që marrin edhe më tepër kuptim nga prania e Betlehmit në mes të sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan. Vetë Papa do të vizitojë pas Te Deumit të mbrëmjes, Betlehemin në shesh:
Familja e Shenjtë e Nazaretit është me të vërtetë “prototipi” i çdo familjeje të krishterë, e cila, e bashkuar nëpërmjet Sakramentit të martesës dhe e ushqyer nga Fjala e Ungjillit e Eukaristia, është e thirrur të realizojë misionin e mrekullueshëm për të qenë celulë e gjallë jo vetëm e shoqërisë, por edhe e Kishës, shenjë dhe mjet bashkimi për të gjithë njerëzimin.
Lutemi tani sëbashku për mbrojtjen e shën Marisë e të shën Jozefit për çdo familje, veçanërisht për ato në vështirësi. I ndihmofshin familjet, që të dinë t’u rezistojnë shtysave shkatërruese të një lloj kulture bashkëkohore, që minon bazat e vetë institucionit familjar.
Në homelinë e Meshës solemne, në Ditën Botërore të Paqes, festë e shën Marisë, Nënës së Zotit, më 1 janar 2007, ritingëllon, në fjalët e Atit të Shenjtë, teza qëndrore që përbahet në mesazhin e shkruar për këtë ditë. Teza, e shprehur në titullin e mesazhit, është e qartë: është njeriu “zemra e paqes”:
Përballë kërcënimeve të paqes, fatkeqësisht gjithnjë të pranishme... bëhet gjithnjë e më e rëndësishme puna e përbashkët për paqen. Kjo, kam shkruar në Mesazh, është njëkohësisht dhuratë dhe detyrë: dhuratë për t’ia kërkuar Zotit me lutje, dëtyrë për ta realizuar me guxim, pa u lodhur kurrë.
E pikërisht dje, Ati i Shenjtë u drejtoi thirrjen e tij edhe të gjithë krerëve të tjerë fetarë jo të krishterë, që t’i kthejnë sytë nga Krishti, pa pasur frikë prej Tij. Krishti – tha Papa – është dritë, e drita nuk mund të errësojë, por vetëm të ndriçojë. E duke filluar nga Krishti, mund të vijë ai humanizëm i ri për të cilin ka nevojë bota:
Shohim gjithnjë e më qartë se një rend i ri botëror ekonomik e politik nuk funksionon nëse nuk ka përtëritje shpirtërore, nëse nuk i afrohemi sërish Zotit e gjejmë Zotin mes nesh... Shohim gjithnjë e më tepër se nuk mund të krijojmë vetëm, nuk mund të gjejmë drejtësi e paqe, përveçse nën dritën e Zotit që na tregon fytyrën e Tij, që na shfaqet në grazhdin e Betlehemit e na shfaqet edhe në kryq.
Një javë plot me mendime shpirtërore gjithnjë të vlefshme, secili prej të cilëve i zhytur në një realitet shoqëror, njerëzor e politik, në kapërcyellin ndërmjet dy viteve.







All the contents on this site are copyrighted ©.