2007-01-05 19:11:01

Nuk kam bashkëpunuar me shërbimet sekrete komuniste: deklaratë e kryeipeshkvit të ri të Varshavës.


(5 janar 2007 RV) Në Poloni nuk reshtin debatet mbi akuzën se imzot Stanislav Vielgush, 67 vjeç, emëruar nga Papa kryeipeshkëv i ri i Varshavës, ka bashkëpunuar me shërbimet sekrete të kohës komuniste. Sot, prelati, me një deklaratë 3 faqëshe në Agjensinë katolike polake KAI, pohon se “nuk ka kryer kurrë asnjë mision spiunazhi e nuk i ka bërë kurrë keq kujt as me fjalë e as me vepra”.
“Më kanë ngarkuar disa akte e sjellje kundër Kishës polake. Janë gënjeshtra - shkruan imzot Vielgush. Nuk ka asnjë dokument që ta provojë këtë, por vetëm deklaratat e një funksionari, i cili e ka gjykuar me mënyrën e vet si personin tim ashtu edhe krejt ngjarjet. Nuk dua të justifikohem – vazhdon prelati. Unë e di se nuk kam pasur asnjë lloj marrëdhënie me shërbimet sekrete të regjimit komunist polak.” Sipas tij, marrëdhëniet për të cilat akuzohet, kanë të bëjnë me udhëtime, që kryeipeshkvi i ri i Varshavës ka kryer jashtë shtetit, për të vazhduar punën e tij kërkimore në të mirën e Kishës. Materiali që flet për të, i gjetur në Institutin polak të Kujtesës Kombëtare përmban informacione të rreme.
Natyrisht, për çdo shqiptar problemi është mëse i njohur. Jemi të sigurtë se po të shihen dosjet e gjyqeve të shtetit kundër klerit, pjesa më e madhe e meshtarëve të persekutuar gjatë regjimit komunist, do të dilnin agjentë të huaj, me një moralitet të dyshimtë. Por janë akoma gjallë personat, që mund të dëshmojnë për ta.
Në një komunikatë, më 21 dhjetor, Salla e Shtypit të Vatikanit sqaronte qëndrimin e Papës Benedikti XVI përsa i përket imzot Stanislav Vielgushit. Aty shkruhej se, kur Ati i Shenjtë vendosi ta emërojë kryeipeshkëv metropolit të Varshavës, mori parasysh të gjitha rrethanat e jetës së tij, edhe ato që lidhen me të kaluarën. Papa ka besim të plotë në imzot Vielgushin, i cili sot në orën 16.oo mori në dorëzim kryeipeshkvinë, ndërsa hyrja zyrtare në katedralen e shën Gjon Pagëzuesit do të bëhet të dielën.








All the contents on this site are copyrighted ©.