Nata e Dëftimit të Zotit. Të reflektojmë sëbashku me Papën Benedikti XVI.
(5 janar 2007 RV)Të dashur dëgjues, sonte
është nata e festës së Dëftimit të Zotit, Ujit të Bekuar. Nesër Kisha përkujton ardhjen
e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit e momentin e adhurimit të Foshnjës
Hyjnore nga ana e tyre. Papa Benedikti XVI do të kremtojë nesër në orën 10 në Bazilikën
e Shën Pjetrit në Vatikan, Meshën Solemne të Dëftimit të Zotit, që do të ndiqet drejtpërdrejt
nga Radio Vatikani. Melkiori, Balatasari e Gaspri u nisën në kërkim të diçkaje
për t’u siguruar se intuita e tyre shkencore qe e drejtë. Sipas tyre, ngjarja qiellore
që vunë re, ylli kometë që ndoqën ishte shenjë lajmesh të mira. Nuk e dinin Dijetarët
se kurioziteti i tyre do t’i çonte para Birit të Zotit, para Foshnjes Hyjnore. Në
Jeruzalem njerëzit u shqetësuan: kush janë këta të tre e ku shkojnë? Herodi u terrorizua:
pra profecitë e vjetra që ai vetë i konsideronte përralla po u realizokan! Mesia do
t’i marrë vendin, Zotin e paska konkurrent? Meshtarët e Tempullit e skribët e dinë
vendin ku do të lindë Mesia, por kontrollojnë më kot Shkrimet: nuk do të dalin nga
pallatet për ta verifikuar profecinë. Të mbetur vetëm, Mbretërit Dijetarë, paganë
e pa Zot, ndjekin kometën e mbërrijnë para shën Marisë e birit të saj. Kërkonin përgjigje
për teoritë e tyre e gjejnë Zotin. Nesër, për të gjithë ju që kërkoni Zotin në jetën
e përditshme, duke bërë punë të tjera, në dukje jo aq të rëndësishme, nesër është
festa juaj, është festa jonë. Është festa e të gjithë atyre që nëpërmjet artit, shkencës,
filozofisë i bëjnë pyetje vetes e përpiqen të kapërcejnë kufizimet e teorive. Mbretërit
Dijetarë njohin në të sapolindurin e brishtë Zotin e panjohur për ta, dhe i ofrojnë
kem Mbretit, i ofrojnë ar –shenja e kundërshtive që zbulon zemrat e secilit, dhe i
ofrojnë mirrë që përdorej për të vdekurit, si shenjë e kryqit që ishte në fatin e
Jezu Krishtit. Vitin e kaluar, pikërisht më 6 janar, Papa Benedikti XVI reflektonte
në këtë mënyrë: Mbeten në hije pallatet e pushtetit në Jeruzalem, ku lajmi mbi
lindjen e Mesisë çohet paradoksalisht nga vetë Mbretërit Dijetarë, dhe sjell jo gëzim,
por frikë dhe reagime të urrejtshme. Plan i mistershëm hyjnor: “drita erdhi në botë,
por njerëzit preferuan errësirën ndaj dritës, sepse veprat e tyre janë të këqia”.