2007-01-04 16:40:20

Papa Benedikti XVI takohet me të varfërit e mensës së Kole Opios në Romë në shenjë të përparësisë që ata kanë për Kishën e Krishtit.


(4 janar 2007 RV) RealAudioMP3 T’u shërbesh të varfërve me dashurinë e Krishtit, që nuk diskriminon as për arësye të racës, e as të fesë. Kështu u foli Papa Benedikti XVI vullnetarëve dhe të varfërve të mensës së Karitasit të Romës, në Kole Opio, të cilën e vizitoi sot paradite. Ati i Shenjtë shprehu vlerësimin e tij për punën e tyre dhe i dha mensës emrin e Gjon Palit II, i cili e pati vizituar 15 vjet më parë.
Një vend i pasur me bamirësi e humanitet në të cilin, siç bënte Jezu Krishti, u shërbehet njerëzve pa dallim race e kulture. Papa Racinger, i shoqëruar nga kardinali vikar i Romës, Kamilo Ruini, nga drejtori i Karitasit, mons. Guerino di Tora, por sidomos nga ngrohtësia e të pranishmëve dhe nga një atmosferë e jashtëzakonshme festive, u tregua shumë i kënaqur që shkoi në këtë mensë pikërisht në klimën e festave të fundvitit, kur strukturat katolike qëndrojnë hapur për të varfërit e Romës, ndërsa mbyllin dyert institucionet kryesore.
Me mijëra vetë u ngjeshën sot paradite brenda e jashtë mensës për të parë e përshëndetur Benediktin XVI, i cili falenderoi mëse një herë të pranishmit për mirëdashjen e tyre. Ati i Shenjtë përshëndeti në mënyrë të veçantë të gjithë ata që e frekuentojnë mensën, sepse gjejnë aty jo vetëm ushqimin, por edhe ngrohtësinë e humanitetin e vullnetarëve:
Në këtë Mensë – tha Papa – e cila në një farë mënyre mund të konsiderohet simboli i Karitasit të Romës, është e mundur të preket me dorë prania e Krishtit në vëllain që ka uri e në atë që i ofron ushqimin. Këtu mund të eksperimentohet fakti se kur duam të afërmin, njohim më mirë Zotin: në të vërtetë, në shpellën e Betlehemit, Zoti na u shfaq në varfërinë e një të sapolinduri, që kishte nevojë për gjithçka. Mesazhi i Krishtlindjes është i thjeshtë: Zoti erdhi mes nesh, sepse na do. Zoti është dashuri: jo një dashuri sentimentale, por një dashuri që bëhet dhuratë e plotë deri në flijimin mbi Kryq”.
Betlehem, kujtoi Benedikti XVI, do të thotë “Shtëpia e bukës”. E Jezusi është buka e qiellit, “ardhur për çdo njeri”, e që bëhet në një farë mënyre i dukshëm përditë në këtë mensë, pa dallim për asnjë. E duke përmendur Papën Gjon Pali II e vizitën e tij 15 vjet më parë, Papa Racinger shtoi:
“Njeriu që vuan është pjesë e jona”, thoshte Paraardhësi im i paharrueshëm, Gjon Pali II, emrin e të cilit ia kemi dhënë mensës pikërisht sot. Nga shpella e Betlehemit, nga çdo betlehem përhapet një lajm i mirë për të gjithë: Jezusi na do e na mëson si të duam. Përgjegjësit, vullnetarët e të gjithë ata që frekuentojnë mensën mund ta eksperimentojnë bukurinë e kësaj dashurie; mund ta ndjejnë thellë gëzimin që vjen prej saj, një gëzim natyrisht i ndryshëm nga gëzimi zhgënjyes i reklamave.
Të mallëngjyer operatorët e mensës përshëndetën edhe ata Papën. Mons. Guerino di Tora, drejtori i Karitasit të Romës e quajti vizitën e Atit të Shenjtë “dhuratë për të varfërit dhe për të gjithë vullnetarët që çdo ditë dëshmojnë me gjeste konkrete dashurinë për të afërmin”.Në fjalët e tij, përkushtimi i vullnetarëve dhe dëshira për të lehtësuar plagët e kryeqytetit italian:
Për këtë, që nga hapja e saj, mensa ka qenë vend takimi, ku bashkohet komuniteti i krishterë e ku merr në ngarkim të afërmin më të vobektë, e mirëpret, e dëgjon, njeh nga fjalët e tij vuajtjen në kryq, braktisjen, të ftohtët, urinë, drogën, burgun, emigracionin, humbjen e të dashurve, të kaluarën që duhet harruar… Një punë që tani, pas shumë vitesh, sheh frytet e programeve të politikës shoqërore bërë nga entet punblike dhe organizatat private, të cilat nën shtysën e shoqërisë civile, me Kishën e Romës në linjën e parë të frontit, e konsiderojnë të varfërin para së gjithash, njeri, me dinjitetin e tij njerëzor.
Papës Benedikti XVI iu dhurua tesera numer 1 e Karitasit, për të ngrënë në mensë bashkë me të varfërit, një batanije, simbol i pasigurisë, një përparëse, simbol i punës së vullnetarëve dhe një vizatim i bërë nga një vajzë e vogël emigrante, që banon në një strukturë të Karitasit. Papa Racinger, nga ana e tij dhuroi 10 mijë batanije e 2 mijë xhaketa të rënda dimri.
Duke përshkuar ambientet e mensës së Kole Opios, Ati i Shenjtë përshëndeti të rinjtë e Qendrës Monti-Eskuilino, vizitoi Qendrën e Pritjes, Sallën e ngrënies dhe Betlehemin artistik, që vullnetarët e Karitasit e kanë ndërtuar për nder të të varfërve që frekuentojnë mensën.
Në hyrje të saj, Papa zbuloi dhe bekoi një pllakë përkujtimore të vizitës së Papës Gjon Pali II më 20 dhjetor 1992. Në atë kohë, Karitasi i Romës ishte i binjakëzuar me Karitasin e Tiranës dhe në takimin me Gjon Palin II qenë të pranishëm edhe vullnetarët e Karitasit të kryeqytetit të Shqipërisë. Atëherë njëra nga dhuratat qe një pako me ushqime, që dërgohej në Shqipëri për të ndihmuar popullsinë të kalonte periudhën e emergjencës post-komuniste. Papës ia dhuruan një vullnetare nga Karitasi i Tiranës dhe një vullnetar nga Karitasi i Romës. Vullnetarja në fjalë është tani redaktore e programit shqip të Radio Vatikanit. Të dëgjojmë kujtimin e Klaudia Bumçit:
Ishte një ditë e ftohtë si kjo e sotmja, ajo e 20 dhjetorit të 15 vjetëve më parë. Rreth 30 vetë, praktikisht krejt grupi i Karitasit të Tiranës, i sapothemeluar, ndodhej për një vizitë një mujore në Romë, ftuar nga Karitasi i Romës. Në atë kohë, ai drejtohej nga i ndjeri mons. Luigji Di Liegro, të cilin vetë Papa Gjon Pali II e pati përkufizuar si “profet të bamirësisë”, dhe ishte i binjakëzuar me Karitasin e Tiranës. Edhe atëherë, mensa ishte mbushur plot e përlot me njerëz, disa prej të cilëve i njihja personalisht, pasi si vullnetarë kishin ardhur në Shqipëri për të ndihmuar në periudhën e emergjencës, që po kalonte populli shqiptar. Komunizmi sapo kishte rënë, duke e lënë Shqipërinë pa bukë. Puna kryesore e Karitasit në ato vite ishte shpërndarja e pakove me ushqime dhe me rroba për këdo, sepse askush nuk mund të përjashtohej nga lista e atyre që në Perëndimin e rehatshëm quhen “të varfër”.
Mons Luigji Di Liegro deshi që njëra nga dhuratat të ishte pikërisht një pako me ushqime, nga ato që do të niseshin për Shqipëri. Nga Karitasi i Romës, do t’ia çonte pakon Papës, Euxhenio Peci, një vullnetar, i cili punoi në Shqipëri si përfaqësues i Karitasit të Romës bashkë me një murgeshë të Dashurisë Hyjnore, të ndjerën motër Antonieta Kucolin për krejt periudhën e binjakëzimit. Dikush erdhi dhe i tha përgjegjësit të atëhershëm të Karitasit të Tiranës, Cuk Vilës se njëri prej nesh duhej të shkonte tek Papa Gjon Pali II, i cili kishte kryer nga podiumi fjalimin e vet. “Të shkojë Klaudia” tha ai, duke më gjetur krejtësisht të papërgatitur. Euxhenio më jep kurajo duke më thënë se në fund të fundit, Papa ishte njeri si gjithë të tjerët, por mua më dridheshin këmbët tek bëja ato pak hapa në korridorin e krijuar për të shkuar tek Gjon Pali II. Emocioni i jashtëzakonshëm më la vetëm t’i thoja “Atë i Shenjtë” e t’i puthja dorën, ndërsa mons. Luigji Di Liegro pas Papës, i shpjegonte se kush ishim ne që po i dhuronim këtë pako. A m’u duk, a vërtet pas atyre fjalëve, Papa m’i mbajti duart më gjatë në të vetat. Edhe ai shtrëngim i thjeshtë tregonte sa për zemër e kishte atë vend të vogël në bregun tjetër të Adriatikut, që quhej Shqipëri e nga i cili, deri në atë moment, vinin lajme persekutimesh të klerit. Një kuartet harqesh, edhe ai i ardhur nga Shqipëria, gjallëroi krejt takimin me meloditë e muzikës klasike. Për të gjithë ne, ai takim ka mbetur i paharruar e qe një nxitje për të shkuar edhe në fshatin më të largët të vendit, për të çuar ata pako të bekuara nga Papa.

 
Që sot, mensa e Kole Opios mban emrin Gjon Pali II. Në fund të fjalës së tij, Papa Benedikti XVI iu lut Zotit që t’i mbrojë në veçanti të gjithë operatorët e Karitasit të Romës, të cilët kryejnë një vepër të madhe solidariteti në mensën e Kole Opios e në pika të tjera të qytetit.
Shpirti i Shenjtë – përfundoi Papa – t’u japë jetë zemrave të përgjegjësve e të gjithë operatorëve e vullnetarëve, që ta kryejnë shërbimin e tyre me përkushtim gjithnjë e më të vetëdijshëm, duke u frymëzuar nga stili i vërtetë i dashurisë së krishterë, që Shenjtorët e bamirësisë e kanë përmbledhur në moton: e mira duhet bërë mirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.