2007-01-04 19:03:07

Nga situata në Somali. Intervistë me At Karmine Kurçin.


(4.1.2007 RV) Afro 400 refugjatë somalezë që kishin kapërcyer kufirin pas luftimeve ndërmjet forcave etiopike dhe atyre të kohorteve islamike, u riatdhesuan, sipas një lajmi të Komisarit të lartë për refugjatët të Kombeve të Bashkuara. Por cilat janë arsyet që e shtynë Kenien të ndërmarrë masa kaq të ashpra. Na e shpjegon Atë Karmine Kurçi, drejtor i revistës “Nigrizia”

Përgjigje: Qeveria e Najrobit ka frikë se mos ndërmjet këtyre refugjatëve ka edhe milicë islamikë. Kishte frikë pra se mos këto militantë islamikë do të hynin, do të gjenin strehim dhe pastaj do të krijonin një situatë të nderë për t’u hedhur rishtas në Somali.

Pyetje: Duhet të themi se në këto orët e fundit kanë mbërritur edhe njësi detare amerikane në ujrat e Somalisë. Uashingtoni është i angazhuar që të mos i lërë fare të largohen këta milicë?

Përgjigje: Në këto çaste jo vetëm që ka anije që po patrullojnë bregdetin por dimë edhe se disa forca të njësive speciale janë dërguar nga Xhibuti në tokën somaleze në ndihmë të trupave etiopike. Mbi të gjitha po ndihmojnë forcat etiopike për kapjen e tre udhëheqësve të rëdësishëm, të cilët janë po ata që patën kryer atentatin ndaj ambasadës amerikane në Najrobi në 1998.

Pyetje: Dje, mes tjerash, Bashkimi Evropian miratoi bashkëfinancimin e një force afrikane në Somali për t’u përpjekur për të stabilizuar situatën....

Përgjigje: Etiopët urrehen nga populli somalez. Kenianët shihen me shqetësim. Ugandezët nëse nuk kanë një mandat të qartë nuk do të ndërhyjnë. Pra, është e vështirë të krijosh edhe një forcë në gjendje për të ndërhyrë. Të mos harrojmë se gjatë javëve të fundit në Somali kanë hyrë shumë armë nga Arabia Saudite, Jemeni dhe Eritrea. Pra, është e kotë që qeveria e tranzicionit të flasë për çarmatim. Ka gjasa që lufta të mos ketë mbaruar. Somalezët do të vazhdojnë ende të vuajnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.