2007-01-03 15:56:18

Papa Benedikti XVI: T'ia hapim zemrat dhe mendjet Krishtit, duke kundërshtuar reduktimin e figurës së Tij. Audienca e parë e vitit 2007.


(3 janar 2007 RV) RealAudioMP3 Me Vitin e Ri që sapo ka filluar, të rinovojmë impenjimin për t’ia hapur Krishtit zemrën dhe mendjen, duke kundërshtuar format e ndryshme të refuzimit të Zotit, si për shembull, reduktimin e figurës së Jezusit. Kjo është këshilla që u dha besimtarëve Papa Benedikti XVI në audiencën e parë të përgjithshme të vitit 2007, e cila u mbajt sot paradite në Sallën e Palit VI në Vatikan.
Katekizmi i Atit të Shenjtë u përqëndrua krejtësisht në figurën e Jezu Krishtit, para të cilit, siç tha Papa, nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Në Foshnjën e Betlehemit çdo njeri mund të zbulojë se duhet pa interes prej Zotit, theksoi Benedikti XVI, duke vazhduar se lindja e Birit të Zotit mes njerëzve është një ngjarje që e ka ndryshuar një herë e përgjithmonë historinë e njeriut:
Në dritën e Krishtlindjes, i shfaqet secilit prej nesh mirësia e pafund e Zotit. Në Jezusin, Ati qiellor përuroi një marrëdhënie të re me ne, na bëri “bij në vetë Birin e vet”.
Papa Racinger përmendi më pas shembullin e shkrimet e Shën Gjonit, Apostull i zgjedhur i Zotit, i cili shpjegon se si secili prej nesh është bir i Zotit nëpërmjet Jezu Krishtit. Në Krishtlindje dallohet qartë e kuptohet mirë fakti se “Zoti na do”. “Ne duam – thotë shën Gjoni – sepse ai na ka dashur i pari”. Ky mister u është besuar duarve tona. Ne, duke pasur përvojën e dashurisë hyjnore, jetojmë duke kërkuar Mbretërinë e Zotit e drejtësinë e tij. E megjithatë, gezimi i Krishtlindjes nuk duhet të na bëjë të harrojmë se ekziston edhe e keqja, ekziston pushteti i errësirës që përpiqet të mjegullojë shkëlqimin e dritës hyjnore. Shpjegoi Papa:
Është drama e refuzimit të Krishtit, e cila, si në të kaluarën, shfaqet e shprehet edhe sot në mënyra të ndryshme. Ndoshta edhe më të fshehta e të rrezikshme janë format e refuzimit të Zotit në epokën bashkëkohore: që nga mospranimi i hapur tek indiferenca, që nga ateizmi që pretendon të bazohet tek shkenca deri tek paraqitja e një Jezusi të modernizuar, o madje edhe postmodern. Nje Jezus thjesht njeri, i reduktuar në një lloj “mësuesi të thjeshtë urtie” dhe i privuar nga hyjnia e tij; ose një Jezus kaq i idealizuar, saqë duket nganjëherë si personazh përrallash.
Por Jezusi, vazhdoi Papa, nuk lodhet e u propozon të gjithëve Ungjillin e tij, duke e ditur se është shenjë kundërshtie, në mënyrë që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Vetëm Foshnja në grazhdin e Betlehemit zotëron sekretin e vërtetë të jetës. Pikërisht për këtë Ajo kërkon një vend për vete ndërmjet nesh, në shtëpitë e në qytetet tona. Para Saj, theksoi Ati i Shenjtë, nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Fjalë, që u shoqëruan me një thirrje për vitin 2007:
Në fillim të këtij viti të ri të rigjallërojmë impenjimin për t’ia hapur Krishtit mendjen edhe zemrën, duke i treguar vullnetin tonë të sinqertë për të jetuar si miq të vërtetë të tij. Do të bëhemi kështu bashkëpunëtorë të planit të tij të shpëtimit dhe dëshmitarë të gëzimit që Ai na jep, për ta përhapur me shumicë rreth nesh.
E Papa Racinger tregon edhe se cila duhet të jetë sjellja që duhet të kemi për ta marrë në zemër Foshnjën Hyjnore. Na ndihmon për këtë – shpjegoi Ati i Shenjtë – thjeshtësia e barinjve dhe kërkimi i vazhdueshëm i Mbretërve Dijetarë, na jep shembull përvujtëria e shën Marisë dhe maturia e urtë e shën Jozefit. Por jo vetëm këta. Papa kujtoi dymijë vjetët e historisë së krishterimit, të cilat janë plot me shembuj burrash e grash, që i kanë besuar misterit të Krishtlindjes, ia kanë hapur krahët Emanuelit, duke u bërë ata vetë më pas fanarë drite dhe shprese për të tjerët. Kjo është shenja, që na tregon se dashuria e Jezusit i lidh ata që e presin krahëhapur me një miqësi të qëndrueshme me Hyjin.
Në shoqëri me Jezusin – përfundoi Benedikti XVI, duke folur pa letër – rruga e vështirë bëhet rrugë gëzimi. Të ecim sëbashku me Jezusin e kështu ky vit do të jetë i lumtur e i mirë.
Gjatë përshëndetjeve, Papa u kushtoi një moment të veçantë murgeshave të Bashkimit “Shën Katerina nga Siena” të Misionareve të Shkollës, të cilat kanë këto ditë kapitullin e tyre të përgjithshëm. Misteri i mishërimit të Hyjit, të cilin e meditojmë në këtë kohë liturgjike, u tha atyre Ati i Shenjtë, ju udhëheqtë drejt një besnikërie gjithnjë e më të qëndrueshme ndaj misionit tuaj në Kishë.








All the contents on this site are copyrighted ©.