2007-01-03 18:14:21

Moktada al Sadr mund të ketë qenë në ekzekutimin e Sadam Hyseinit e lajme të tjera.


(3 janar 2007 RV) Gazetat saudite “Al Riad” dhe “Al watan” botuan sot një lajm sipas të cilit, udhëheqësi shiit Moktada al Sadr ka qenë i pranishëm në ekzekutimin e Saddam Hyseinit. Sipas këtyre gazetave zbatimi i vendimit me vdekje i Sadam Hyseinit para fundit të vitit ka qenë një nga kushtet bazë vënë qeverisë së Al Malikit nga Al Sadri. Po ashtu një zëdhënës i qeverisë irakiane lajmëroi se janë hapur hetime për të gjetur personin që xhiroi dhe përhapi pamjet nga ekzekutimi i ish-diktatorit irakian. Gjithashtu po hetohet edhe sesi është futur në dhomën sekrete celulari që ka shërbyer për këto filmime.

Gjendja në Afganistan vijon të jetë e nderë. Në një operacion të përbashkët të ushtrisë afgane dhe forcave të NATO-s në provincën e Helmandit u vranë 11 luftëtarë afganë. Ljamin e dha një nga krerët e policisë lokale duke vënë në dukje se ndërmjet të vrarëve ishte edhe një prej komandantëve të talebanëve të Helmandit.

Autoritetet indoneziane kanë nisur kërkimet në një rreze të gjerë për avionin që u zhduk nga radarët të hënën e shkuar. Dje u përhap lajmi se ishin gjetur pjesë të avionit të rrëzuar por pak më vonë lajmi u përgënjeshtrua nga vetë autoritetet. Ndërkaq burimet e flotës detare indoneziane bënë të ditur se janë gjetur mbi një platformë naftënxjerrëse 12 të mbijetuar nga trageti që u mbyt të shtunën në afërsi të Borneos.

“Procesi i paqes me organizatën separatiste baske të ETA-ës ka mbaruar”- deklaroi për shtypin ministri i brendshëm spanjoll Alfredo Perez Rubalcaba, vetëm tri ditë pas njoftimit për shtyp të pezullimit të bisedimeve nga kryeministri Zapatero. Ndërprerja e procesit të paqes ndodhi si pasojë e atentatit të ETA-së në aeroportin e Madridit në të cilin u plagosën 19 vetë.

“Jo Beogradi por bashkësia ndërkombëtare duhet të gjejë një rrugëdalje për të zgjidhur problemin e së ardhmes së Kosovës” – u shpreh kryeministri serb Vojislav Koshtunica, në një intervistë dhënë gazetës serbe “Politika”. Po ashtu në Kosovë Avni Kosumi, punonjës i policisë u vra me armë zjarri ndërsa kthehej nga detyra së bashku me tre kolegë të tjerë. Ngjarja ndodhi ndërmjet fshatravae Babin Most dhe Stanovc.

Zyra federale e hetimeve (FBI) bëri të njohur dje një raport që flet mbi tridhjetë raste keqtrajtimesh të burgosurish në burgun amerikan të Guantanamos në Kubë. Raporti përmban edhe dëshmitë e disa oficerëve amerikanë, sipas të cilëve Pentagoni ka miratuar disa mënyra brutale hetuesie ndaj të burgosurve. Nga ana tjetër zëdhënësi i Pentagonit Xhon Karpenter, deklaroi se këto praktika nuk janë miratuar kurrë nga nivelet e larta drejtuese.

Në kufirin midis Somalisë dhe Kenies janë dëgjuar të shtëna me armë dhe aeroplanë etiopikë, mbështetetës të qeverisë somaleze po kryejnë vëzhgime në kërkim të luftëtarëve të kohorteve islamike, tashmë në tërheqje e sipër. Milicët islamikë e refuzuan amnistinë e ofruar nga qeveria e përkohshme e Mogadishos dhe u zotuan se do ta vazhdojnë luftën.










All the contents on this site are copyrighted ©.