2007-01-02 15:39:19

Personalitete komentojnë mesazhin e Papës për Ditën Botërore të Paqes.


(02.01.07 RV) RealAudioMP3 Në Mesazhin e tij për Ditën e 40-të Botërore të Paqes, që u kremtua dje, Papa Benedikti XVI shkruan: “Jam i bindur se duke respektuar njeriun, promovohet paqja e duke ndërtuar paqen vendosen premisat për një humanizëm të vërtetë e tërësor. Në këtë mënyrë, përgatitet një e ardhme e qetë për brezat e rinj”. Dita e sivjetme e paqes kishte për temë: “Njeriu, zemra e paqes”. Por ç’do të thotë paqe? Të dëgjojmë kardinalin Rafaele Martino, president i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen:
Paqja nuk është mungesë lufte, është shumë më tepër se mungesë lufte. Paqja është dialog, paqja është zhvillim, në të cilin njeriu mund të ndërtojë të ardhmen e vet, mund të kontribuojë në përparimin e bashkësisë ku jeton: kjo është paqja.
Paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme presupozon respektimin e të drejtave të njeriut. Të drejtën e barazisë ndërmjet burrit e gruas, të drejtën për t’u ushqyer, për ujin, për shtëpinë, për shëndetin, të drejtën për të shprehur fenë. Njeriu nuk mund të përdoret sipas qejfit e askush nuk mund të bëhet zot i jetës së tjetërkujt. E megjithatë, në shoqërinë tonë, krahas viktimave të konflikteve të armatosura, të terrorizmit e të formave të ndryshme të dhunës, shkruan Papa, ekzistojnë viktima të tjera, të heshtura, të shkaktuara nga uria, nga aborti, nga eksperimentimi me embrionet e nga eutanazia. Si të mos shohim në gjithë këtë një atentat kundër paqes? Olimpia Tarcia, zv.presidentja e Konfederatës italiane të konsultoreve të krishtera dhe një ndër themelueset e Lëvizjes për jetën:
Unë kujtoj se Nënë Tereza, kur iu dha çmimi Nobel për paqen, pati guximin t’u thoshte të gjithë qeveritarëve të botës: “Aborti është kërcënimi më i madh për paqen në botë, sepse nëse i lejojmë një nëne të vrasë birin e vet, kush më pengon mua apo ty të vrasim?”
Por pse njerëzit janë shumë të ndjeshëm ndaj urisë e luftës, por jo edhe aq ndaj abortit dhe eutanazisë? Përsëri Olimpia Tarcia:
Nuk jam e bindur që nuk ekziston kjo ndjeshmëri mes njerëzve. Unë mendoj se për këto tema ekziston një manipulim i madh ideologjik. Mendoj se ekziston një grup i vogël që i shërben një kulture kundër jetës, e këtë e shohim edhe për çështjen e eutanazisë: përdoret një rast dramatik si flamur ideologjik për të përgatitur opinionin publik mbi nevojën e një ligji, të rregullave për këtë punë etj. Por këtu kemi një të drejtë të natyrshme, e cila vjen para çdo jurisprudence: e drejta për jetën.
Edhe një tejtër element i mesazhit të Papës Benedikti XVI ka të bëjë me paqen: qëndrimi ndaj çdo gjëje që ka krijuar Zoti. “Përvoja tregon – lexohet në mesazh – se çdo qëndrim, që nuk respekton ambientin, i sjell dëme bashkëjetesës njerëzore e anasjelltas”. E Benedikti XVI përmend garën për të zotëruar burimet energjitike, shkak pabarazie e antagonizmash. Rikardo Kasholi, president i Qendrës Evropiane për studimet mbi popullsinë, ambientin e zhvillimin:
Nga njëra anë, kemi vende që aktualisht rriten me shpejtësi marramendëse: Kina, India, Brazili për shembull, të cilat natyrisht kanë një nevojë të madhe për energji. Nga ana tjetër, kemi vende të tjera – praktikisht krejt Afrika Subsahariane – të cilat kanë vështirësi në arritjen tek burimet energjitike me kosto të lartë. Harta e mungesës së energjisë është pa dyshim e njëllojtë me atë të urisë.
Thirrja që bën Ati i Shenjtë në përfundim të mesazhit për çdo të krishterë, është që të impenjohet të jetë veprimtar i palodhur i paqes e mbrojtës i pamposhtur i dinjitetit të njeriut. Të dëgjojmë Enco Biankin, prior i Bashkësisë së Bozes:
Ne, kur mendojmë për paqen, jemi të prirur të besojmë se paqja është një ngjarje shoqërore, eventualisht fryt i marrëveshjeve e pajtimeve shoqërore. Kjo është e vërtetë, por për një paqe të qëndrueshme, duhet që personi, secili prej nesh, të jetë veprimtar i paqes në jetën e përditshme. Secili prej nesh mund të jetë një njeri që mbjell luftë e dhunë, ose një njeri që fabrikon e sjell paqen. Paqja është dhuratë e Zotit, por edhe detyrë e jona, një detyrë personale për çdo njeri e për çdo të krishterë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.