Kalendari kishtar i 2 janarit përkujton shën Bazilin e Madh dhe Shën Gegën (Gregorin)
Nazanxienë
(02.1.2007 RV)Sot me 2 janar Kisha përkujton dy figura të mëdha të krishtërimit
lindor: Shën Bazilin e Madh dhe Shën Gegën (Gregorin) Nazanxienë, miq të mëdhenj,
që të dy ipeshkvij, mbrojtës të fesë dhe ripërtëritës të Kishës së asaj kohe.
I
pari njeri i veprimit, i dyti i adhurimi dhe i meditimit, por dy miq sikur të ishin
një shpirt i vetëm në dy trupa. Kështu mund të përshkruhen karakteret dhe marrëdhëniet
ndërmjet këtyre dy shenjtërve të kishës së hershme. Basili kishte lindur në 429
në Çesarè të Kapadocies, kurse Gega në 430 në Nazanxë. Miqësia e lidhur që në adoleshencë
ndërmjet këtyre dy shejtërve u thellua më tej gjatë studimeve në Athinë. Qysh në atë
kohë respekti që kishin për njëri-tjetrit ishte i atillë saqë Gega shkruante: “Na
shtynte e njëjta dëshirë për të nxënë [...]e pra midis nesh nuk kishte cmirë. Përkundrazi
çmonim stimulimin. Gara jonë ishte kjo: jo kush do të dilte i pari, por kush do t’i
mundësonte tjetrit të ishte i pari.” Bazili mbetet i mrekulluar nga jeta mungare
dhe në moshën 28-vjeçare vendos të bëhet vetë murg, duke themeluar edhe Rregullën
e Shën Bazilit, e pranishme në Shqipëri që nga shekulli 17 e me ndërprerje deri edhe
sot. Kurse Gega, i prirë më tepër për një jetë meditimi shugurohet meshtar nga
i jati, që ishte ipeshkëv i Nazanxës. Dhjetë vjetë më vonë do të jetë Bazili, tashmë
ipeshkëv i Çesarèsë, miku i tij i vjetër, ai që do ta shugurojë ipeshkëv Gegën. Janë
kohë të vështira për Kishën, kur herezia ariane po dëmton grigjën e Zotit. Bazili
përballet me guxim jo vetëm me herezitë por edhe vetë autoritetet. Perandorit Valent,
ndjekës i Arit, i cili e kërcënon për qëndrimin rebel që po mban, Bazili ipeshkëv
i përgjigjet: “Mbase nuk je ndeshur kurrë me një ipeshkëv.” Bazili ndërroi jetë
në vitin 379 ndërsa Gregori 10 vjet më vonë. Shën Gregori ka rëndësi për historinë
e kombit dhe të Kishës shqiptare sepse në veprën e tij “Fjalimi kundër Arianizmit”
na informon se rreth vitit 44 pas Krishtit Shën Andreu apostull përhapi ungjillin
në Greqi dhe Epir, i cili aso kohe përfshinte Janinën, Delvinën, pjesën jugore të
Vlorës dhe pjesën veriore të Trikalisë. (Shih: “Dizionario della Storia Ecclesiastica”,
Moroni, vol. 21,22, fq 307.)