2007-01-02 18:30:17

Bilanci i veprimtarisë së Papës Benedikti XVI në gjysmën e dytë të vitit 2006.


(02.01.2007 RV) RealAudioMP3 Po transmetojmë sot pjesën e dytë të bilancit të veprimtarive papnore për vitin 2006, pjesën që përshkruan aktivitetin e Papës Benedikti XVI në periudhën korrik 2006 – dhjetor 2006. Pjesën e parë e keni dëgjuar në ditët e fundit të vitit që sapo kaloi.

Pas përfundimit të udhëtimit në Spanjë të Benedikti XVI zëdhënësi i Selisë së Shenjtë dhe përgjegjës i Sallës së Shtypit Joakim Navarro Valls, një nga protagonistët e papnisë së Gjon Palit II largohet nga detyra, duke shprehur mirënjohje të thellë të Selinë e Shenjtë. Zëvendësohet nga drejtori i Radios së Vatikanit Atë Federiko Lombardi, S.J., i cili vijon të mbajë edhe postin drejtues së Radios së Papës si edhe të qendrës televizive vatikanase.
Krejt papritmas, me 12 korrik hezbollahët libanezë sulmojnë trupat izrealite në kufi, duke shkaktuar përgjigjen e ashpër të Tel-Avivit kundër Libanit me sulme nga toka, ajri dhe deti. Papa Racinger bën thirrje që të ndalen luftimet:
“Në emër të Zotit u drejtohem të gjithë përgjegjësve për këtë vorbull të re dhune në mënyrë që menjëherë të lëshohen armët nga çdo palë. Qeveritarëve dhe institucioneve ndërkombëtare iu kërkoj të mos kursejnë asnjë përpjekje për arritjen e këtij armëpushimi të nevojshëm dhe që të fillojë kështu të ndërtohet, nëpërmjet dialogut një bashkëjetesë e gjatë dhe e qëndrueshme për të gjithë popujt e Lindjes së Mesme.”

Gjatë 30 ditë konflikt të shumtë janë ndërmjetësuesit që kërkojnë një rrugëdalje. Me këtë synim në Lindje të Mesme shkon i dërguari i posaçëm i Vatikanit kardinali Eçegaraj, duke nënvizuar kësisoj edhe një herë kujdesin e veçantë të Selisë së Shenjtë për vendin e kedrave, i banuar ende nga një shumicë popullsie të krishterë.


Shtator
Në qendër të muajit shtator është vizita e Atit të Shenjtë Benediktit XVI në atdheun e vet në Gjermani. Papa Racinger ka kështu rastin të vizitojë edhe njëherë vendin ku ka lindur e universitetin ku ka dhënë mësim. Në intervistën dhënë Radio Vatikanit dhe tri televizioneve gjermane me 13 gusht, pak javë para vizitës në Gjermani, Ati i Shenjtë pat theksuar se: “nuk mund të fillohet një bisedë duke thënë 'jo'”. Por fjalimi “Besimi, arsyeja dhe universiteti. Kujtime dhe reflektime” i Benediktit XVI mbajtur në universitetin e Regensburgut shkakton një valë të re urrjetjeje të botës islamike ndaj Selisë së Shenjtë dhe perëndimit në përgjithësi. Shkaku është citimi i një fraze të perandorit bizantin Manuel II Paleolog në të cilën akuzohet Muhameti për raportin ndërmjet fesë dhe dhunës. Vetë Papës në audiencën e së mërkurës i duhet të shpjegojë rishtas domethënien e atij citimi:

“Qëllimi im ishte krejt tjetër: duke u nisur nga ajo që Manueli II thotë më pas [...], me një shprehje shumë të bukur përsa i përket arsyes që duhet të udhëheqë në transmetimin e besimit, doja të shpjegoja se jo besimi dhe dhuna, por besimi dhe arsyeja shkojnë bashkë”.

Ndërkaq bashkësia myslimane shqiptare, në gjurmët e traditës së bashkëjetesës paqësore ndërmjet tri besimeve, reagon pozitivisht pa u përzier në vorbullën e urrejtjes që ka përfshirë vendet myslimane.

Tetor
I fundmi i tri dokumenteve të dikastereve romake titullohet “Lufta kundra korrupsionit” dhe është përbledhje përfundimesh dalë nga konferenca ndërkombëtare me të njëjtin titull organizuar në Vatikan nga 2-3 qershor nga Këshilli Papnor për Drejtësinë dhe Paqen. Dokumenti bëhet publik me 5 tetor. Në të Kisha shpreh parimet bazë për t’iu kundërvënë dukurisë së korrupsionit dhe pasojave të tija që dëmtojnë qoftë ekonomikisht por edhe shpirtërisht shoqërinë duke dobësuar institucionet. Ndërmjet tjerash dokumenti nënvizon karakterin ndërkombëtar të korrupsionit.

Nëntor
“Nuk ka absolutisht karakter pedagogjik” por është vetëm “shprehje e kërkimeve të mija personale”, prandaj, “cilido është i lirë të më kundërshtojë” mjaft që “t’i kushtojë [librit] atë pak simpati fillestare pa të cilën nuk është i mundur asnjë mirëkuptim.” Me këto fjalë shprehet Papa Racinger në parathënien e librit të vet “Nga pagëzimi në Jordan te shndërrimi i Jezusit nga Nazareti”.
Por kulmi i aktiviteve të Selisë së Shenjtë për nëntorin arrihet me vizitën e Benediktit XVI në Turqi. Vizita, me ftesë të Patrikut ekumenik Bartolomeut I, zhvillohet nga 28 nëntor deri me 1 dhjetor. Pas kthimit në Vatikan, Ati i Shenjtë do ta përkufizojë si një vizitë emblematike gjatë së cilës është nënshkruar edhe “Deklarata e Përbashkët” me vëllezërit ortodoksë.

“Zoti i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm ndihmoftë popullin turk, qeveritarët e tij dhe përfaqësuesit e feve të ndryshme për ndërtimin së bashku të një së ardhmeje paqësore, në mënyrë që Turqia të jetë një urë miqësie dhe bashkëpunimi vëllazëror ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes.”

Në Stamboll Papa Racinger, përveç takimit me presidentin dhe kryeministrin turk, viziton edhe Xhaminë Blu – ish-bazilika e Shën Sofisë, prej nga i drejton një lutje “Zotit të vetëm të qiellit e të tokës”, duke i dhënë shtytje edhe njëherë dialogut me islamin, ndërprerë pas fjalimit të Regensburgut.







All the contents on this site are copyrighted ©.