2007-01-01 18:34:03

“Terrorizmi dhe padrejtësitë janë kërcënim sot për paqen në botë. Paqë në Tokën Shenjte vetëm nëse respektohen të drejtat njerzore”.


(1.1.2007 RV) RealAudioMP3 I shoqëruar nga Sekretari i Shtetit Kardinali Tarçizio Bertone, kryetari i Këshillit Papnor Drejtësoi dhe Paqe Kardinali Rafaele Martino; Imzot Leonardo Sandri, kryeipeshkëv titullar i Cittanova-s, zëvendës i Sekretarisë së Shtetit; nga Imzot Dominik Mambert, kryeipeshkëv titullar i Sagonës e tjerë, Ati i Shenjtë Benedikti XVI kremtoi Meshën Shenjte me rastin e Solemnitetit së Marisë Nënë e Zotit dhe Ditës së 40-të Botërore të Paqes në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.


Në mesazhin e Ditës së 40-të Botërore të paqes Ati i Shenjtë u drejtoi urimet e paqes qeveritarëve dhe përgjegjësve të kombeve si edhe të gjithë burrave dhe grave vullnetmirë mbi tokë, duke u ndalur në mënyrë të posaçme tek ata që vuajnë dhe ata që jetojnë nën frikën e dhunës dhe kërcënimin e armëve. Urime të veçanta Benedikti XVI u bëri fëmijëve që “me pafajësinë e tyre pasurojnë njerëzimin me mirësi dhe shpresë”. Më pas Ati i Shenjtë theksoi se pikërisht, nisur nga fëmijët e shfrytëzuar nga të rriturit dhe nga ligësia e tyre, kishte dashur që Dita Botërore e Paqes të përqëndrohej mbi temën: “Qenia njerëzore, zemër e paqes”.
Më tej rivlerësimi i dinjitetit të njeriut, i lirive si edhe i detyrave të individit kundrejt shoqërisë ishin në qendër të mesazhit të Atit të Shenjtë. “Pikërisht pse është krijuar në shëmbëlltyrën e Zotit, - tha Papa - qenia njerëzore ka dinjitetin e një personi. Nuk është vetëm “diçka” por është edhe “dikush” e në të njëjtën kohë, njeriu është i thirrur nga Krijuesi i tij për një detyrë hyjnore.
Nga ana e tjetër Papa nënvizoi se paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme është e bazuar mbi respektimin e të drejtave të njeriut. Por nëse këto të drejta mbështeten te një konceptim i ulët i qenies njerëzore, atëherë kuptohet se edhe këto të drejta do të jenë të paqëndrueshme e të ligështa.
Gjithashtu, gjatë homelisë Benedikti XVI komentoi liturgjinë duke u përqendruar tek figura e Virgjërës Mari dhe natyra hyjnore dhe njerëzore e Birit të Zotit:


“Në liturgjinë e sotme qëndron madhështore figura e Marisë, Nëna e vërtetë e Jezusit, Njeri-Zot. Solemniteti i sotëm nuk kremton vetëm një ide abstrakte por një mister dhe një ngjarje historike: Jezu Krishti, person hyjnor, lindi nga Maria Virgjër, e cila është në vështrimin më të plotë, nëna e Tij.


Duke folur mbi figurën e Virgjërës Mari , Benedikti XVI vuri në dukje edhe dy tipare themelore të Nënës së Zotit: Maria si nënë dhe Maria si virgjër; Maria virgjër, por edhe Maria Nënë, dy aspekte këto të pandashme nga njëri tjetri. Më pas Ati i Shenjtë ftoi që viti i ri të fillohet duke shikuar nga Virgjëra Mari:


“Le të fillojmë pra duke sjellë vështrimin nga Maria këtë vit të ri, që po e marrim si një “talent” i çmueshëm që duhet vënë në punë, si një rast i paçmueshëm për të ndihmuar në realizimin e Mbretërisë së Hyjit .


Përpjekjet e përbashkëta për paqe janë një nevojë e domosdoshme dhe një kërkesë e kohës, vijoi më tej në homelinë e meshës Papa Racinger:


“Përballë kërcënimeve të paqes, fatkeqësisht gjithnjë të pranishme, përpara situatave të padrejtësive dhe të dhunës, që vazhdojnë të ekzistojnë në zona të ndryshme të globit, përballë konflikteve të vazhdueshme të armatosura, shpesh të harruara nga opinioni publik, dhe rrezikut të terrorizmit që turbullon qetësinë e popujve, bëhet gjithnjë e më e rëndësishme puna e përbashkët për paqe.”


Pjesa e ungjillit të sotëm (Lk 2, 16-21), – vijoi Ati i Shenjtë – përshkruan skenën kur barinjtë të lajmëruar nga engjëlli i Zotit shkojnë në shpellë për të adhuruar Foshnjën.
Sigurisht një skenë idiliake krejt e ndryshme prej asaj që po përjeton Toka Shenjte në këto kohë trazirash:


“Si të mos e sjellim edhe një herë vështrimin nga situata dramatike që karakterizon pikërisht atë Tokë ku lindi Jezusi? Si të mos lutemi me këmbëngulje që edhe në atë zonë të mbrrijë sa më parë dita e paqes? Dita në të cilën të zgjidhet përfundimisht konflikti që po zgjat tashmë prej shumë kohe? Një marrëveshje paqeje që të jetë e qëndrueshme duhet të mbështetet mbi respektin e dinjitetit dhe të së drejtave të çdo personi.”


Në fund të homelisë Papa Racinger u lut që Maria , Nëna e Zotit të na ndihmojë të presim krahëhapur Birin e saj, dhe në Të, paqen e vërtetë. “Le t’i kërkojmë të na ndriçojë sytë që të mund të njohim Fytyrën e Krishtit tek fytyra e çdo qenieje njerëzore, zemër e paqes”- përfundoi Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.