2006-12-31 18:18:57

Gëzuar Vitin e Ri 2007 me dritën, dashurinë e paqen e Jezusit Zot.


(31.12.06 RV) Nga redaksia e programit shqip e Radio Vatikanit gjithë shqiptarëve dhe dëgjuesve të Radio Vatikanit kudo që ndodhën e kremtojmë nëpër botë Urime më të përzemërta për një mbarim të mirë të këtij viti dhe fillim të mbarë të Vitit të Ri: qoftë vit i gëzimit, i paqes, drejtësisë e begatisë.
Cdo vit sjell me vete gëzime e dhimbje, realizime e dështime, perspektiva e çështje që presin zgjidhje. Po sidoqoftë, ende pa e kapërcyer mirë kufirin ndërmjet dy vitesh, sot t’ia lartojmë lutjen e falënderimit Zotit për të mirat që ka bërë e për çdo çast që kemi përjetuar gjatë vitit që po përfundon. Po kështu ti lutemi të na japë forcë të vijojmë udhën e jetës në vitin e ri, të bindur se përmes planeve të mistershme të shtegtimit tonë tokësor, prej Zotit na vjen ngushëllimi, gëzimi e paqja dhe çdo e mirë që mund të dëshirojmë. Hyji është Ai që pret e don çdo njeri, secilin prej nesh. Në Të e kemi piknisjen dhe cakun e jetës.
Sonte, ndërsa në orët e mesnatës së 2006-shit ia lënë vendin Vitit të ri 2007, ndërsa njerëzit trokasin gotat për t’i uruar njëri-tjetërit një motmot të ri të gëzuar e në qiell ndizen yjet e dritat e fishekzjarreve, Papa Benedikti XVI, në heshtje të thellë të kapelës së tij private, do të lutet që Viti 2007 të jetë viti i paqes, i “ndërtimit të njerëzimit të vërtetë”, sikur ka shkruan në mesazhin e tij papnor për Ditën Botërore të Paqes që kremtohet pikërisht nesër, ditën e parë të vitit të ri.
Pritja e Vitit të Ri në lutje nga ana e Papës, prej shumë vitësh tashmë është bërë traditë qysh nga Gjoni XXIII e deri më sot. Kështu, në orën e qetë të mesnatës, Papa Benedikti XVI do t’i japë lamtumirën një viti të ngarkuar me shqetësime, me frikë e konflikte, si lufta në Irak, Liban dhe situata të vështira në Lindje të Mesme e shumë vise e Shtete tjera të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine e të Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.