2006-12-31 18:20:43

Familja njerëzore të marrë si shembull Familjen e Nazaretit, thekson Papa Benedikti XVI në Lutjen e Engjëllit të Tenzot.


(31.12.06 RV)RealAudioMP3 Në Lutjen e fundit të Engjëllit të Tenzot për këtë vit, Papa Benedikti XVI kërkoi që çdo familje të marrë si shembull familjen e Nazaretit, duke i rezistuar forcave që duan ta shkatërrojnë e ta minojnë shenjtërinë e saj. Pikërisht sot në ditën që Kisha ia kushton Familjes së Shenjtë, Papa u uroi mijëra njerëzve që mbushnin në mesditë sheshin e Shën Pjetrit, të kalojnë një fund viti të qetë:
Lutemi tani sëbashku për mbrojtjen e shën Marisë e të shën Jozefit për çdo familje, veçanërisht për ato në vështirësi. I ndihmofshin familjet, që të dinë t’u rezistojnë shtysave shkatërruese të një lloj kulture bashkëkohore, që minon bazat e vetë institucionit familjar. I ndihmofshin familjet e krishtera të jenë, në çdo anë të botës, imazh i gjallë i dashurisë së Zotit.
Fjala e Papës u dëgjua në një kornizë me të vërtetë magjepsëse. Në sheshin e Shën Pjetrit spikat Betlehemi i ndërtuar si çdo vit pranë pemës së Vitit të Ri, në qendër. Pikërisht aty duket një model familjeje, së cilës nuk i ka kaluar moda që prej 2 mijë vjetësh. E pikërisht tek ajo familje duhet t’i kthejnë sytë familjet e sotme, theksoi Papa:
Familja e Shenjtë e Nazaretit është me të vërtetë “prototipi” i çdo familjeje të krishterë, e cila, e bashkuar nëpërmjet Sakramentit të martesës dhe e ushqyer nga Fjala e Ungjillit e Eukaristia, është e thirrur të realizojë misionin e mrekullueshëm për të qenë celulë e gjallë jo vetëm e shoqërisë, por edhe e Kishës, shenjë dhe mjet bashkimi për të gjithë njerëzimin.
Jezusi – shpjegoi më pas Ati i Shenjtë – ka qenë një fëmijë që i ka dëgjuar prindërit, të cilët e kanë edukuar, para së gjithash, me shembullin e tyre. Prej tyre, pohoi Benedikti XVI, Jezusi mësoi se si t’i bindej vullnetit të Zotit, por edhe se lidhja shpirtërore vlen më shumë se sa lidhja e gjakut. Po të shohim Ungjijt, nuk gjejmë fjalime mbi familjen, por një ngjarje, që vlen shumë më tepër se çdo fjalë, tha Papa:
Zoti deshi të lindë e të rritet në një familje njerëzore. Në këtë mënyrë e ka shuguruar si rrugë të parë e të zakonshme për takimin e tij me njerëzimin. Në jetën e kaluar në Nazaret, Jezusi e ka nderuar Virgjërën Mari dhe Jozefin e drejtë, duke mbetur nën autoritetin e tyre për gjithë kohën e fëmijërisë dhe të adoleshencës. Në këtë mënyrë ka vënë në dukje vlerën primare të familjes në edukimin e personit.
Në përfundim të Lutjes së Engjëllit të Tenzot, Ati i Shenjtë përshëndeti të pranishmit në gjuhë të ndryshme, falenderoi Zotin për vitin që kaloi dhe u uroi të gjithëve Vitin e Ri 2007.








All the contents on this site are copyrighted ©.