2006-12-31 18:06:42

Atë Gjergj Fishta OFM ( 1871-1940) në 66 vdjetorin e vdekjes.


(31.12.06. RV) AT GJERGJ FISHTA, FIGURË E MADHE E KOMBIT
Dr. Ndue Zef Toma
Universi artistik i Fishtës Një ndër majat më të larta të relievit të letërsisë shqiptare është, padyshim, vepra e At Gjergj Fishtës. Ndonse kanë kaluar 65 vjet nga dita kur ai mbylli sytë përgjithmonë, të rrahurat e zemrës së tij për popullin e Atdheun i ndjejmë edhe sot në krijimtarinë e pavdekshme që na ka lenë. Kur përceptojmë epopenë madhështore "Lahuta e Malsisë", këte "Iliadë" të shqiptarëve, siç e kanë quajtur studiuesit e huaj, përjetojmë thellë ndjenjat e shpirtit heroik të Fishtës. Në "Mrizin e Zanave" ndiejmë vibrimet e holla të unit lirik të tij, që ngazëllehet nga soditja e flamurit kombëtar, që valëvitet si krah engjëlli në fluturim në sfondin e kaltër të Atdheut të çliruar, pas natës së gjatë të robërisë osmane. Të ngrohet shpirti nga zjarri i dashurisë së zemrës së tij për gjuhën shqipe, tiparet e së cilës i krahason me gjumin e embël të foshnjes së pafaj, me dritën e shpresës, me të qeshurën e çiltër të njeriut të mirë, por edhe me shkrepjen e rrufesë e me tronditjen e tërmetit. A mund të shprehet emocionalisht më kapshëm butësia e brishtia e gjuhës shqipe se sa kur përfytyrohet si një fllad i lehtë pranveror që lëmon gjinjtë e trëndafilit? A nuk na duket se ndjejmë në lekurën tonë shpimin e gjëmbave të mprehtë të satirës së Fishtës, kur lexojmë "Anzat e Parnasit" e "Gomarin e Babatasit"?


Nga të gjitha këto që thame arrijmë në përfundimin se, kur futemi në univrsin artistik të Fishtës, bindemi plotësisht se zemra e tij rrahu fort për Shqipërinë gjatë gjithë jetës, deri në frymëmarrjen e fundit, kur përpara saj bëri betimin solemn, si biri para nënës:


Dersa t’mundem me ligjrue


E sa gjallë me frymë unë jam,


Kurrë, Shqipni, s’kam me t’harrue,


Edhe në vorr me t’përmend kam.


 
Paradokse e (zh)vlerësimit

Personalitet jo i zakonshëm, me talent e aftësi të rralla, me energji e prirje të gjithanshme, Fishta tërhoqi që herët vëmendjen e bashkëkohësve, brenda dhe jashtë vendit. Ai qe jo vetëm poet i përmasave të mëdha, por edhe njeri i veprimit shoqëror e politik, atdhetar i flaktë, tribun i popullit, mbrojtës i vendosur e sypatrembur i çështjes kombëtare, për të cilen ngriti zërin në shumë mbledhje ndërkombëtare, si perfaqësues i Shqipërisë, duke stigmatizuar fqinjët grabitqarë dhe fuqitë e mëdha që qëndronin pas tyre.


Megjithatë, sot është koha që pohime të tilla nuk duhet të mos deklarohen, po të provohen me argumente të pakundërshtueshme, për arsye se, deri tani, jeta dhe vepra e Fishtës kanë kaluar dy periudha vlerësimi:


Në të parën, sa qe gjallë, Fishta arriti apogjeun e vlerësimit, duke u ngritur në piedestalin e lartë të Poetit Kombëtar.


Në të dytën, vetëm katër-pesë vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës u përbaltën në mënyrën më të pashembullt, me synimin që ai të varrosej njëherë e përgjithmonë, ose, e shumta, të mbetej si një njollë e zezë dhe e turpshme në historinë e letërsisë shqiptare.


Të hiperbolizosh vlerat e tua kombëtare, është një veprim i kuptueshëm, ndonse jo i drejtë; kurse t‚i zvogëlosh ato, t‚i mohosh, apo, çka është edhe më keq, të arrish deri aty sa t‚i përçmosh, t‚i përbaltësh, siç u veprua me Fishtën, është veprimi më i pakuptueshëm, më paradoksal, që mund të mendohet!


Është thenë se personalitetet e mëdha kalojnë nëpër tri periudha vlerësimi: në të parën, himnizohen, pastaj mohohen, për të arritur, më në fund, në përcaktimin e vlerave objektive të tyre. Në qoftë se kjo është e vërtetë, kohës sonë i bie detyra e vështirë dhe më e rënda me një përgjegjësi të madhe e vendosjes së Fishtës në piedestalin që i takon. Kuptohet se kjo është një punë shumë e mundimshme, gjatë së cilës u duhet rikthyer të gjitha atyre që janë thënë për té, mirë apo keq qoftë, duhet "rilexuar" vepra e Fishtës, për t‚u thelluar në analizën e poetikës dhe të problematikës, për të nxjerrë së andejmi mesazhin që u solli bashkëkohësve, kur u botua si dhe atë që marrim né sot prej saj.


Natyrisht, nuk kam asnjë iluzion se mund të plotësohet një detyrë kaq e vështirë dhe me një përgjegjësi të madhe në caqet e këtij artikulli modest popullarizues. Kryerja e saj në nivelin e dëshiruar mund të arrihet me përpjekje të përbashkëta të forcave shkencore më të afta, me studim të gjërë të monografive, ku vepra e Fishtës të vështrohet nga të gjitha anët. Duke shfaqur ndonjë mendim për vlerësimet dhe zhvlerësimet që i janë berë Fishtës në dy periudhat që përmendëm, deshëm vetëm të ndihmojmë sadopak për të sensibilizuar studimet tona për t‚u përqendruar mbi këtë figurë të madhe të letërsisë shqiptare, që të përcaktojmë drejt vendin dhe rolin që luajti në pasurimin dhe në zhvillimin e saj. Mendoj se koha kërkon me ngut të hidhet dritë mbi disa vlerësime kontradiktore, diametralisht të kundërta, që janë bërë për Fishtën dhe veprën e tij.


Nga njëra anë është thënë se është poet i madh, Homeri apo Tirteu i Shqipërisë. Nga ana tjetër është mohuar talenti poetik i tij, është denigruar si vargëzues i rëndomtë, madje është edhe akuzuar si përvetësues ikrijimtarisë popullore, pra si plagjiat i saj.


Cila është e vërteta shkencore?

Kryevepra e Fishtës, "Lahuta e Malsisë", nga njëra anë është vlerësuar si apologjia artistike më e fuqishme që i është bëre Atdheut të rrudhur e të copëtuar nga fqinjët grabitqarë, nga ana tjetër është akuzuar për frymë shoveniste?


Përsëri: Cila është e vërteta shkencore? Tokat e kujt synon Fishta të rrëmbejë, i shtyrë nga shovenizmi i tij? A nuk kanë parasysh autorët e akuzes se shovenizmit se né jemi i vetmi vend në Evropë i rrethuar nga të gjitha anët me vetveten? A mund të quhet shovenist Fishta pse denoncoi padrejtësitë që i janë bërë Atdheut tonë nga armiqtë dhe nxori në shesh ëndrrat e tyre për të copëtuar e për të rrëmbyer përsëri trojet tona?


Nga njëra anë është thënë se Fishta gjatë gjithë jetës ka luftuar për të drejtat e Shqipërisë e të shqiptarëve, nga ana tjetër është trumbetuar me forcë e kundërta: se ai ka qenë i shitur jo tek një po tek shumë të huaj, madje, për të mos lënë pikë dyshimi, është thënë se vetë Fishta ka pohuar publikisht se nuk është shqiptar! A mund të besohet një gjë e tillë?! Këto duhen ndriçuar.


Për Fishtën është thënë, përsëri pa asnjë argument, se ka pasur paragjykime fetare edhe krahinore, që ia kanë mjegulluar vështrimin atdhetar. Mirëpo, edhe me një arsyetim fare të thjeshtë, kam përshtypjen se akuza të tilla bien menjëherë.


Po të kishte pasur Fishta paragjykime fetare, si do të shpjegohej që personazhe të shumtë të krijimtarisë së tij janë "të fesë tjetër", madje dhe kryeheroi i kryeveprës së tij, Oso Kuka, të cilin e ka përjetësuar në një nga tablotë më madhështore dhe më emocionuese të letërsisë shqiptare, edhe ky është i "fesë tjetër"?


Po të kishte pasur paragjykime krahinore At Fishta, si shpjegohet që binomi poetik, që përshkon nga fillimi në fund krijimtarine e tij ka gjymtyrë vëllezërit Toskë e Gegë, të cilët me të njejtin krahasim i karakterizon me dy rrufe që çajnë qiellin si shpata dhe zharisin armiqtë?


Po të kishte pasur Fishta vizion të ngushtë provincial, si do të shpjegohej që ndërmjet pseudonimeve të shumta që përdori, me i parapëlqyeri prej tij qe Gegë Toska me të cilin nënshkroi kryevepra të tilla si "Gomari i Babatasit"?


Jo, jo! Akuza të tilla janë fare të pathemelta! Siç ka vërejtur me mprehtësi shumë kohë më parë Prof. Eqrem Çabej, vështrimi artistik i Fishtës ishte i tillë që niste tek malësori i moçëm Marash Uci dhe vinte gjithnjë duke u shtrirë, deri sa arrinte tek Abdyl Frashëri, tek Lidhja e Prizrenit, për të rrokur, më në fund, tërë Shqipërinë, të gjitha trojet tona etnike nga Veriu në Jug, nga Perëndimi në Lindje.


Këto janë vetëm pak gjëra nga shumë e shumë të tjera që janë thënë për Fishtën në të dy periudhat: të vlerësimit dhe të denigrimit të tij. Në këtë mënyre figura e madhe e Fishtës është veshur me një mjegullnajë, që duhet të zhdavaritet nga kritika dhe nga shkenca letrare objektive.


Nga sa është thënë deri sot për Fishtën del se vlerësimet e larta që i janë bërë përgjithësisht janë konkluzione të nxjerra nga analiza e jetës dhe e veprës së tij, kurse mohimet dhe denigrimet, deklarata aprioristike të paargumentuara. Le të arsyetojmë mbi ndonjërën prej tyre. Në rast se Fishta nuk do të ishte poet i madh, si mund të flasin me superlative për te autoritete të tilla të artit e të shkencës, vendas dhe të huaj, si virtuozi i fjalës poetike Lasgush Poradeci, që e quan me gjuhë metaforike "shkëmb të tokës dhe shkëmb të shpirtit shqiptar", që shpreh me art ndjenja dhe ideale të mëdha atdhetare? Në rast se nuk do të ishte gjeni i letrave shqipe, nuk do të ishin mahnitur aq shumë nga vepra e tij Aleksander Xhuvani e Maksimilian Lamberci, Eqrem Çabej e Norbert Jokli, Faik Konica e Anton Harapi, Jolanda Kodra e Kolë Kamsi, Gabriele d‚Anunzio e Kostaq Cipo. Nuk ka dyshim se mendimet e tyre janë shprehje e çiltër e ndjenjave që u ka përftuar vepra e Fishtës.


A mund të besohet se Fishta ishte i shitur tek të huajtë, pra antikombëtar, kur në momentet më të vështira, në mbledhjet më të rëndësishme ndërkombëtare në Paris, në Athinë, në Stamboll, kur fatet e Atdheut ishin në rrezik, ai u dërgua si përfaqesues i vendit tonë për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve?


Prandaj, shkenca dhe kritika letrare kanë mundësi dhe detyrë parësore të rrëzojne me argumente këto fyerje qellimkëqia dhe në të njëjtën kohë, të zbulojnë fondin e pasur të vlerave artistike, shoqërore e politike të këtij personaliteti të gjithanshëm të kombit tonë, për të cilat kemi aq shumë nevojë sot.
 
Nga buronte urrejtja për Fishtën?

Duke pasur bindjen e palëkundur se Fishta është një figure ndër më të ndritura të kombit, natyrshëm lind pyetja: ku e kishte burimin gjithë ajo urrejtje patologjike kundër tij, që çoi në trillime e shpifje aq monstruoze e njëherësh, banale sa të mos besoheshin?


Megjithëse për këtë problem deri tani janë dhënë disa shpjegime, kam bindjen se përbaltja e Fishtës u bë për arsye të koniukturave politike. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Në vitet e para, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Jugosllavia ishte "miku" ynë i ngushtë, nuk mund të qëndronte Fishta dhe vepra e tij, që demaskonte nga fillimi deri në fund padrejtësitë dhe coptimin e trojeve tona nga sllavët. Pastaj, në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik nuk mund të qëndronte Fishta dhe vepra e tij, që e shihte Rusinë si tutor të armiqve tanë dhe këta të fundit i cilësonte shprehimisht "klyshë të Rusisë".


Në kohën kur dy miqësitë e sipërme u kthyen në armiqësi, Fishta as atëherë nuk mund të rehabilitohej më, për arsye se ishte hedhur shumë baltë mbi të.
 
Rruga për tek Fishta

Në fund të këtij njëzetëshekulli që po përcjellim, rruga për tek Fishta u hap. Hapat e parë në këtë rrugë u hodhën nga një turmë e madhe njerëzish që e prisnin me padurim këtë ditë, ndërmjet të cilëve spikatën Injac Zamputti, Pal Duka-Gjini (At Danjel Gjeçaj), At Zef Pllumbi, Aurel Plasari, Engjëll Sedaj, Sabri Hamiti, Tonin Çobani, Stefan Çapaliku, etj. Që atëherë kanë filluar të organizojnë veprimtari shkencore dhe të shkruajnë artikuj përkujtimorë me raste përvjetorësh të lindjes dhe të humbjes së tij.Ribotohen vepra pak të njohura për publikun. Megjithëse të gjitha këto janë të dobishme dhe organizatorët e tyre meritojnë përgëzime, mendojmë se puna për të arrijtur tek zbulimi i plotë i vlerave të Fishtës mund dhe duhet organizohet më mirë.


Së pari, kusht i domosdoshem është botimi shkencor i veprës së plotë të Fishtës. Nuk ka se si të bëhet studimi pa pasur në dorë objektin e plotë të tij.


Së dyti, Fishta duhet të zërë vend denjësisht në programet shkollore, si një nga autorët më përfaqësues të letërsisë shqiptare.


Së treti, në këtë periudhë, kur ende nuk kemi punime të plota shteruese, kritikët dhe studiuesit tanë më të përgatitur mund të përmbushnin nevojat e tanishme të ngutshme që ka shkolla dhe publiku lexues për njohjen dhe interpretimin e veprës së Fishtës.


Natyrisht, puna e deritanishme ka qenë e dobishme dhe do vazhduar me veprimtari dhe shkrime, edhe të thjeshta, si kjo skicë jetëshkrimore që po paraqesim në mbyllje të këtij artikulli.
 
Pak biografi

Rrjedha e jetës, krahas rregullsive, sjell me vete edhe mjaft rastësi, roli i të cilave në zhvillimin e mëtejshëm të saj, shpesh herë nuk mund të parashikohet. Kështu, askujt nuk mund t‚i shkonte nëpërmend se fëmija që lindi me 23 tetor 1871 dhe që u pagëzua Zef, do të vinte një ditë që do të bënte të njohur në gjithë vendin dhe me përtej fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës, të padëgjuar fare deri atëherë. Askush nuk mund të parashikonte në atë kohë se nga ky Zef i vogël do të dilte më vonë At Gjergj Fishta i madh.


Zefi i vogël , i dalluar që herët për shkathtësi dhe zgjuarsi, tërhoqi vëmendjen e famullitarit, prandaj e çuan në kolegjin françeskan të Shkodrës e pastaj në Troshan, për ta përgatitur për frat. Pas mbarimit të shkollës fillore e dërguan për studime të mëtejshme në Bosnje, ku u laurua për filozofi dhe teologji. Atje, ndërroi emnin e pagëzimit (sipas rregullit të urdhërit françeskan), duke u quajtur tani e tutje Gjergj. U bë frat dhe tha meshën e parë me 25 shkurt 1894.


Pas kthimit nga Bosnja, punoi për disa vjet si profesor në kolegjin françeskan të Troshanit, pastaj, disa vjet tjera shkoi si famullitar në Gomsiqe. Atje ai i kushtoi vëmendje të veçantë njohjes dhe përvetësimit të frazeologjisë popullore, të cilën do ta përdorte më vonë me mjeshtri të rrallë në kryeveprën e vet "Lahuta e Malsisë".


U shqua si pjestar i shoqërisë letrare "Bashkimi" e cila qe themeluar më 1899 nga Imz. Preng Doçi. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe, që kemi sot. Më 1902 qe zgjedhur drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, në të cilën futi për herë të parë shqipen si gjuhë mësimi. Më 1913 po në Shkodër, themeloi dhe drejtoi sa qe gjallë revistën "Hylli i Dritës". Në vitet 1916-1918 krijoi dhe drejtoi "Postën e Shqipnisë". U emrua kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, më 1919. U zgjodh deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit shqiptar më 1921. U dërgua anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën Ndërballkanike në Athinë më 1930, pastaj më 1931 në Stamboll dhe prap në Bukuresht më 1932. Më 1931 qe ftuar dhe qe caktuar anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në New Jork, ku përfaqësoheshin 60 shtete.


Veprimtaria letrare e Fishtës është e gjerë dhe e gjithanëshme. Lëvroi të gjitha gjinitë e zhanret: lirikën, epikën, dramën, satirën, publicistikën, polemikë e oratori, vepra agiografike, përktheu e përshtati nga letërsia botërore. Ishte shumë aktiv në jetën letrare, shoqërore e politike të kohës. Kjo shprehet në bashkëpunimin me të gjitha revistat e gazetat që dilnin, në të cilat botoi mbi 200 e sa shkrime. Krijimtaria poetike e Fishtës arrin në rreth 50.000 vargje, kurse në prozë mbi 700 mijë faqe. Vetëm "Lahuta e Malsisë" ka 30 kangë me 15.563 vargje. Fishta botoi rreth 40 vepra sa qe gjallë dhe 30 tjera i la të pabotuara. Veprat kryesore të Fishtës janë: "Lahuta e Malsisë", "Anzat e Parnasit", "Mrizi i Zanave", "Vallja e Parrizit", "Gomari i Babatasit", "Juda Makabe", "Mojs Golemi i Dibrës dhe Deli Cena", "Shqyptari i gjytetnuem", "Ifigjenia në Aulli".

 Për këtë veprimtari letrare, shoqërore e politike, Fishta qe nderuar me dekorata, si:


Kurorë Argjëndi, nga Klubi "Gjuha shqipe" i Shkodrës (1911).


Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke (1912).


Dekorata Ritterkreuz, nga Mbreteria e Austrisë (1912).


Penë floriri, nga qyteti i Beratit (1913).


Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI (1925).


Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan (1929).


Dekorata Phoenix, nga Greqia (1931).
 
At Gjergj Fishta vdiq në Shkodër me 30 dhetor 1940.

....si Shqipnia vend nuk ka!


(fragmente nga krijimtaria)




GJUHA SHQIPE


Porsi kanga e zogut t’verës,


Që vallzon në blerim t’prillit,


Porsi i ambli fllad i erës,


Që lmon gjijtë e drandofillit,


Porsi vala e bregut detit,


Porsi gjama e rrfesë zhgjetare,


Porsi ushtima e një tërmeti,


Njashtu asht gjuha jonë shqiptare.
 

 
SHQIPNIA E LIRË



Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,


Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë


Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,


Prej Tivari në Manastir,


Edhe Flamuri Shqipnisë


Si flakë mnijet e Perëndisë


Do t’valvitet në Kaçanik.


 
HIMNI I FLAMURIT KOMBËTAR

Porsi fleta e Ejllit të Zotit


Po rreh Flamuri i Shqipnisë


E thrret t’bijtë e Kastriotit


Me u mbledhë tòk ndër çetë t’ushtrisë.


Bini Toskë, ju bini Gegë,


Si dy rrfé, që shkojnë tue djegë!


A ngadhnjyes a t’gjithë Dëshmorë,


Trima mbrendë! Me dorë, me dorë!....


 
NJË GJAMË DESPRIMI

Me parzmet tona n’ata t’hershmit mota,


Mburojë iu bamë Evropës, pa dijtë shka asht tuta


Atbotë kur pallën Skanderbeg Kastriota


Sillte si rrfeja, e përmbi shtroje te buta


Dridhej një Sulltan, që aso here


Bante m’u dridhë botën mbarë prej mnere.


Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,


Shtegun me kurma shqiptarësh ia zumë


Tartarit, e prej Evrope larg rrezikun


Për disa kohë e mbajtëm, e poshtnuem,


Por kurrë Evropa në ndihmë një ushtar s’na nisi,


Kurr punët mbas fjalëve që na dha s’ujdisi.


........


E mallkue kjoftë Evropa! Atë e vraftë Zoti,


E shoftë me fise, popuj e qytete


Edhe premtoftë që dersa t’endet moti,


Kurrë lufta mos iu daftë për tokë e dete.


Selitë e saj grimë me grimë u thejshin,


Me gjak t’popujve t’vet sunduest iu ushqejshin!


Pse krahët pa dhimbë Shqipnisë me ia thye


E prej Lirie me ia ndalun hovin?


Gopsia e kujt n’Malsi ka mujtë m’ushqye?


Po a Hoti e Gruda mund ta mbajnë Moskovin?


Nuk duhet jo, që të mëkambet Shqiptaria,


Qé pse po i lshohet Malit t’Zi Malsia.


........
 
ATDHEU

Në ty mendoj kur agon drita,


Kur bylbyli mallshëm kndon,


N’ty mendoj kur soset dita


Terri botën kur e mblon.


Veçse ty të shoh në andërr,


Veçse ty, t’kam n’mendim,


Ndër t’vështira ti m’je qandër,


Për ty i lehtë m’vjen çdo ndëshkim.
 
NGA PUBLICISTIKA E FISHTËS:

"Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizim të një shteti civil një njeri malok, matrahul, që mezi, ndoshta, ka krye dy a tri klasë fillore dhe që djersitet kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradita shpijake dhe edukata familjare, që shumë kend ndër ta, e ban krejt të neveritshëm dhe ekscentrik. Ky, babën gjaksë, gjyshin katil, stërgjyshin mizuer; rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intrigantë batakçi, me vagabondë, rrugaçë, me njerëz hasëm të kulturës e të qytetnimit, si mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e një kombi ende primitiv ? Për me sundue një shtet nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçilleku, rrena, tradhtia. Duhet nderë, dije, urti, burrni, qé se çka duhet. Po, por dija, urtia, ndera, burrnia mësoheshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë e jo ndër kafeshantana të Evropës e në mejhanë e paçaxhihane të Tiranës, tue luejtë tavëll e bixhoz e tue pi mastikë. Po qe e vërtetë që një grup njerëzish këso dore mund të mëkambin shtete konstitucionale e mund të bajnë të lumtun popuj e fise, atëherë kisha me dashtë me thanë se historia nuk asht mâ "magistra vitae" e se virtyti, dija, burrnia, urtia nuk janë themelet mbi të cilat mbahen shtetet e qytetnueme".


*** Portreti i nëpunësit të shtetit, që synon vetëm të zhvatë sa ma shumë prej tij, për me sigurue për vete një jetë të qetë e të rahatshme: "....Ju kryetar këtu, drejtor atje, mbasandej, kur të huejtë na u hoqën deret, Ju sot senator, nesër deputet, mbasnesër ministër, tjetërmbasnesër prefekt, prap ministër, prap deputet: me kësulë në njanin sy, endu-çendu në shpinë të automobilit: tungatjeta! Në të djathtën, selamalekum! Në të majtën; ky hiq kësulën, ai hiq kapelen: zgërdhiju njanit; gërmushju tjetrit - Ministër, madje!..."


*** Ja si i përshkruan meskinitetet e klikave të atëhershme:
"U shpërnda, pra, parlamenti dhe ish-parlamentarët e Shqipnisë kthyen ndër kafe e mejhane të qyteteve e të fshatrave të veta, ku menjëherë filluen veprimin e vet: kafe,llafe, mastikë, tavëll, bixhoz. -"Jo, unë jam nacionalist. Ata janë "tradhëtorë", të poshtër, të shitur, maskarenj. Une kam shpëtue Shqipninë në ditën ma të ligë. Unë e mbys opozitën. Ahmet Zog e s‚ka! Kam bërë Hukukun në Stamboll; kam Malsinë në dorë; kam Zadrimën me vete; ia kam bâ e kthye opozitës...".


*** Kështu u heq maskën prapaskenave parazgjedhore: "Ahmet Zogu lëshoi zagarët e vet elektorale në të katër qoshet e Shqipnisë. T’u lëshuen, bre bir sâme, prefekt e nënprefekt, t’u shpërvolën kryetarë bashkishë, krahinorë, se-kretarë e t’u zgaqën kopista e arkivista...."


*** Ja si i stigmatizon feudalët e mbrapambetun, që damtonin çështjen kombëtare: "...Ky asht një analfabet, gjysë idiot, dembel, shumë herë sarahosh, gati gjithmonë kumarxhi, njeri pa fytyrë; pse, sadoqë poligam, prej tij s‚ka guxue vajzë me dalë te dera, djalë me u endë sokakut, nuse me shkue te burri. Mendjemadh, dorështrejtë, qelepirxhi, ky, për një çiflik, për një rybe, ka pështy në Fé e në Atdhe, i ka ra mohit kombësisë së vet, kè, shqiptar tue kenë, e quejti veten "turk"... Ma tepër ka vra njerëz me u pushtue tokën; ka vra bujqit e vet për me u grabitë gjinden e shpisë, për me u marrë bagëtinë, për shêj pushke. Myzeqari prej tij s‚ka guxue me mbajtë armë, me shkue në kal të shalës, me ngreh oxhak mbi pullaz të shpisë...".
 
VLERËSIME PËR FISHTËN DHE VEPRËN E TIJ

** "Me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se, sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e spartanëve, njashtu edhe epopeja e "Lahutës", odet dhe elegjitë e "Mrizit të Zanave" e të poezive të tjera, kanë mbjellë në zemër të djelmnisë sonë dashurinë e pamasë për truallin e të parëve dhe për gjuhën amëtare. Njikëto dy ideale: atdhedashtnia dhe ruajtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi dhe përparimi i saj kanë qenë polet, rreth të cilave shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës".
 
Prof. Aleksander Xhuvani

** "Fishta është "shkëmb i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar".


"Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!"
 
Lasgush Poradeci

** "At Gjergji ka qenë për ne, deri ditën që mbylli sytë, patriarku i letrave shqiptare e poeti ma i madh i vendit tonë."
 
Kostaq Cipo

** ”Kot përpiqën grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se "Lahuta".
 
Faik Konica

** Fishta "Poeti i Madh i popullit të shquar shqiptar".
 
Gabriele d‚Anunzio

** "Patër Fishta njihët si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli... Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora."
 
Erwin Stranik
** "I rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta".


..."Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna."
 
Prof. Dr. Maximilian Lambertz

** "Shqipnia qe ideali i tij, për te punoi, për te vuejti e me emnin e saj në gojë dha frymën e fundit."
Prof. Karl Gurakuqi

** "Patër Fishta...me veprat e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar, ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare dhe më i kulluari shkrimtar i Arbërisë."
 
Anton Baldacci

** "Një ndër gurrat e trajtimit të tij (të Fishtës) letrar kjenë jo vetëm klasikët e letërsisë greke, latine, franceze e sllave, por edhe klasikët gjermanë, spanjolë e anglezë..."
 
At Pal Dodaj

"....prodhimi poetik e letrar i Fishtës, prodhimi i pasun, i ndryshëm, origjinal, i frymëzuem prej botës fizike e morale të Atdheut.


....çmohet edhe si prozatuer elegant: sidomos në prozën politike e polemike asht i gjallë, i kjartë e shumë i rrebët."


Prof. Kol Kamsi

"Poemi epik "Lahuta e Malsisë" asht një vade mecum i çdo atdhetari."
 
Don Kolec Prennushi

** "Lahuta e Malsisë" mund të qëndrojë përkrah veprave poetike më të shquara të popujve të tjerë."
 
M. A. Freün von Godin (albanologe gjermane)


** "Tingulli i lirës së tij (Fishtës) gjithmonë i gjallë, ka për të vazhdue të mbajë në kambë kombësinë e gjuhën tonë."
 
Prof. Filip Fishta

** "Pas vdekjes Fishta...nisi të jetojë ma me gjallni në shpirtin e në zemrën e kombit: u përjetsua nga Kombi që ai përjetësoi në vepra të pavdekshme."
 
At Viktor Volaj

** "Kam ardhur të gjej letrarin shqiptar dhe gëzohem se gjeta oratorin, filozofin e pedagogun."


Një shkrimtar francez, pas takimit me Fishtën.


** "At Gjergj Fishta nëpër ma të mëdhatë qytete të botës, përpara mija e mija poetësh, njerëzish të naltë, shkencëtarësh, diti me qitë në pah e me naltsue vetitë ma të rralla të kombit shqiptar, historinë lumniplote e traditat shekullore të tij."
 
Nush Topalli

** "At Fishta asht e duhet të mbetet poeti i forcës, i njaj force primordiale e kaotike. Përshkrimet e tij kanë gjithmonë një ngjyrë apokaliptike, e ndër to, një frymë misterioze përplas njerëz e sende."
 
Prof. Pashko Gjeçi

** "Mbreti i poetëve shqiptarë, Patër Gjergji qe i pari që vuri në shkollë gjuhën shqipe dhe mbrojti me trimëri të drejtat e Kombit tonë në çdo konferencë ndërkombëtare dhe është i pari që me vepren e vet poetike i fali shqiptarit epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për liri.


...At Fishta...nuk jetoi në "kështjellen e fildishtë", por u hodh me entuziazëm djaloshar nga një mision në tjetrin për të mirën e kulturës e të racës shqiptare...


Fishtën, me temperament thjesht klasik nuk do ta frymëzonte asgjë me parë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut."
 
Lefter Dilo

** "Fishta, tue kuptue mirë randësinë që ka bashkimi, edhe si plotësim në mungesën e fuqive, deshi t‚u vinte breznive ma të lashta bashkimin si veti të trashegueme, megjithëse jo aq të spikatun, me të cilin të parët tonë përballuen çdo rasë e peripeci."
 
At Konrrad Gjolaj

** "Fishta është "një nga ata njerëz të rrallë që duken në qiellin e një kombi e lënë pas vetes një dritë, që ngroh zemrat e brezave të shumë shekujve."
 
Terenc Toçi

** "Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm e të fuqishëm, e porsi një piktor i zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue e riprodhue në një mënyre e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale."
 
At Anton Harapi

** "Lahuta asht një pinakotekë e artit kombëtar, ku poeti pikturon gjallë tipat, personat, skenarët e kostumet; një depozitë motivesh kombëtare u lihet piktorëve shqiptarë."


** "...At Fishta, ky gjeni me rrënjë në tokën amëtare të popullit shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte mbi letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtërore të kombeve të Evropës u ngjit deri në majat më të larta të kulturës."
 
Prof. Dr. Norbert Jokl

** "...me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen. Me At Gjergjin zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi....


Stili i At Gjergjit, stil burrash e krejt shqiptar, të ushton hijshëm e fuqishëm në të njëjtën kohë. Sado që studimet e veta i bani të gjitha në gjuhë të huaja, sado që zotnonte ma së miri italishtën, frengjishtën, slavishtën e latinishtën, shkrimeve të tij kaq u vjen era shqip, sa me t‚u dukë se nuk ka ditë veç gjuhën e vet. Poezinë e tij e shijon jo vetëm njeriu me shkollë, por edhe i pashkolli."
 
At Mark Harapi S.J.
**********
E keqja mâ e madhe qi i ka ardhë Fishtës prej vjetëve të komunizmit âsht qi sot, mbas gjashtëdhetë e sa vjetësh prej dekës së tij, të gjithë e admirojnë por pak kush e lexon.
Nga: Dr.Ardian Ndreca
Kush âsht P. Gjergj Fishta per brezin mâ te ri?
E keqja mâ e madhe qi i ka ardhë Fishtës prej vjetëve të komunizmit âsht qi sot, mbas gjashtëdhetë e sa vjetësh prej dekës së tij, të gjithë e admirojnë por pak kush e lexon.
Fishta âsht nji fenomen i papërsëritshëm për shpirtin shqiptar, pse ai ka mbërrit me kene njiherit poet, njerí i Zotit, humanist, patriot, burrë i virtytit e i vlerave qytetare – e këto cilësina, ndër ne, janë të rralla, te nji njerí i vetëm.
Shuma e vargjeve të Fishtës âsht realiteti shqiptar i çdo kohet, prandej asnji njerí i letrave shqiptare nuk mund të hjedhin nji rresht pa e pasë lexue fund e maje veprën e tij. Shumëkush sot, po t’a lexonte Fishten - jo se do të mësonte me shkrue – por të paktën do të bindej qi âsht mâ mirë mos me shkrue mbas Fishtës.
Guralecat e letersise shqipe s’kane mujtë me i bâ gja atij Mojzehi të gjuhës qi âsht Fishta, por shumë keq mundet me i ba injoranca e brezave te sotshme tue mos e lexue atë.
Pse duhet lexue Fishta? Ai duhet lexue pse âsht nji klasik i letërsise tonë, e nji klasik s’prane kurre së thanuni atë qi ka për të thanë – në çdo kohë e secilit prej nesh. Klasiku âsht ai – për cilin ti ndien qi e çojne në qiell, por kur e lexon- ti vete njitesh në qiell. sht fat me e lexue Fishten tue kenë në gjendje me e shijue, por me e shijue duhet të paktën me pasë dishirin me u drejtue kah arti i tij. Fishta âsht nji shkrimtar i tille – qi po u lexue njihere – njeriu kupton se çka jane kenë librat tjere qi ka lexue para tij. Në fakt tanë letërsija shqipe – para e mbas Fishtes – nuk âsht tjetër veçse nji pregatitje e nji jehone e këtij fenomeni sublim të shpirtit njerzór.
Fishta âsht i papërkthyeshme – pse shpirti i tij nuk ka zâdhanës, ai, si Mojzehi, ka qitë gjuhën e letrat shqipe prej robnisë e me pendën e tij ka bâ me burue mâ të kulluemin ujë – qi ka për të shue përherë etjen e atyne qi dojnë atdhé, kulturë e besim në Zotin. Lahuta e tij âsht skulptura epike e gjuhës shqipe, vepra e tij satirike âsht portreti mâ realist i shqiptarit të gjithmonshëm, lirika e tij âsht i vetmi vend ku qielli i toka shqiptare bashkohen në tinguj të ambel muziket të amshueme. Prandej, mbas Fishtes âsht e veshtire me thanë ndonji gja të ré në letërsinë tonë.
Të gjitha përpjekjet me e “përshtat” Fishten mbas gjuhës së sotshme, të bdarun e të bastardhueme, janë të dështueme pa dalë në dritë, nuk bahet fjalë me e ul Fishtën te masa injorante e dembele, duhet qi këta me u mundue me i ngjitë te Fishta.
Intuita e popullit i ka paraprí intelektualve, pse njerëzit e thjeshtë Fishtën e kanë mësue gjithmonë përmendsh; por, edhe nji here të vetme me u takue me nji shkrimtar si ai, mjafton për me kuptue të paktën se çka âsht nji klasik i letërsisë.
Dr.Ardian Ndreca
Romë, 2001







All the contents on this site are copyrighted ©.