2006-12-29 16:57:23

At Zef Pëllumbi, një nga personalitetet më të shquara të kulturës, ka rrëmbyer dje çmimin e karrierës "Penda e Artë".


( 29.12.06 RV) At Zef Pëllumbi vlerësohet me “Pendën e Artë”! At Zef Pëllumbi, një nga personalitetet më të shquara të kulturës, ka rrëmbyer dje çmimin e karrierës "Penda e Artë". Juria e konkursit letrar kombëtar "Penda e Artë dhe e Argjendtë", ka shpallur fituesit në gjininë e prozës, poezisë, përkthimit, studimit dhe letërsisë për fëmijë. At Zef Pëllumbi është vlerësuar dje me çmimin letrar për rrëfimin e tij vëllimor "Rrno për me tregue". Ministri i Kulturës, Bujar Leskaj, u shpreh se "vepra monumentale e at Zef Pëllumbit "Rrno për me tregue", edukoi estetikisht dhe moralisht letërsinë shqipe të këtyre viteve, njeriun që rrnoi vetëm për të treguar dhe për të na ofruar historinë tjetër të shqiptarëve me një qasje letrare unike e në konture filozofike, që e çojnë meditimin shoqëror në shkallë sipërore". Ndërkaq Pëllumbi është shprehur se ky çmim i duket si kurora që i çohet në funeral pasi vdes. Me "Pendën e Argjendtë" juria ka vlerësuar studiuesin e njohur nga Kosova, Sabri Hamiti, për studimin më të mirë letrar, me titull "Tematologjia". Po me "Pendën e Argjendtë" për prozën letrare më të mirë u vlerësua shkrimtari Zija Çela, me romanin "Las varrezas". Ndërkaq "Penda e Argjendtë" për vëllimin poetik i është akorduar poetit Ali Podrimja. Çmimet e tjera, si ai për përkthimin më të mirë nga shqipja në gjuhë të huaj, u janë dhënë Mira Meksit dhe Marin Dobreskut për veprën e plotë të përkthyer në gjuhën rumune. Ndërsa një tjetër çmim për letërsinë për fëmijë i është akorduar shkrimtarit Xhevat Beqaraj.
 marre nga Gazeta Panorama 29 dhjetor 2006







All the contents on this site are copyrighted ©.