2006-12-28 17:21:50

Në kremtimin e festës së Fëmijëve të Pafajshëm thirrja e Papës të kujdesemi për të gjithë fëmijët që vuajnë e që keqëpërdoren nga të rriturit, fëmijë të lindur e të palindur.


(28.12.06. RV)RealAudioMP3 Kisha katolike sot më 28 dhjetor kremton e kujton festën e Shenjtërve të Pafajshëm Martirë, fëmijët që u vranë nga mbreti Herod në përpjekjen për të zhdukur Jezusin fëmijë nga faqja e dheut. Në Ungjillin e sotëm thuhet se u ngrit në qiell “një vaj e gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e vet e nuk dò të ngushëllohet, sepse nuk janë më”. E Papa Benedikti XVI, gjatë këtyre ditëve, mëse një herë e ka kujtuar thirrjen e fëmijëve, viktima të dhunës nga ana e të rriturve.
Në Meshën e Krishtlindjes Papa kujtoi se vetë Zoti, duke u bërë njeri, lindi si një fëmijë pa mbrojtje, që kishte nevojë për ndihmën tonë. Krishti lindi në një stallë, në varfëri të plotë:
Shenja e Zotit është fëmija. Shenja e Zotit është se Ai u bë i vogël për ne. Kjo është mënyra e tij për të mbretëruar. Ai nuk vjen me pushtet e madhështi. Ai vjen si fëmijë i pambrojtur, që kërkon ndihmën tonë. Nuk dëshiron të na sundojë me forcë. Na e heq frikën nga madhështia e tij. Ai na kërkon dashurinë tonë: prandaj bëhet fëmijë.
Kështu Zoti – vazhdon Ati i Shenjtë – na mëson të duam të vegjlit dhe të dobtët. Na mëson kështu, respektimin e fëmijëve:
Fëmija e Betlehemit e drejton vështrimin drejt të gjithë fëmijëve të vuajtur e të abuzuar të botës, si drejt atyre që kanë lindur, ashtu edhe drejt të palindurve. Drejt fëmijëve që, si ushtarë, futen në një botë dhune; drejt fëmijëve që duhet të lypin; drejt fëmijëve që vuajnë nga mjerimi e uria; drejt fëmijëve që nuk kanë asnjë përvojë dashurie.
Papa ia kushton mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes, në veçanti fëmijëve, “e ardhmja e të cilëve është në rrezik për shkak të shfrytëzimit e keqdashjes nga ana e të rriturve pa skrupuj”. Benedikti XVI flet për vdekje të heshtura të fëmijëve shkaktuar nga uria, nga aborti, nga eksperimentimi mbi embrionet.
Pikërisht një vit më parë, më 28 dhjetor 2005, Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, duke shpjeguar Psalmin 138, përmendi se si “sytë plot dashuri të Zotit kthehen drejt njeriut, qysh kur është akoma pa formë në kraharorin e nënës. Madhështia e kësaj krijese njerëzore akoma të palindur – pati thënë Ati i Shenjtë Racinger – qëndron në faktin se është e rrethuar nga dashuria e Tij Hyjnore. Në librin e jetës së Zotit tashmë janë të shkruara ditët që ajo krijesë do të jetojë e ekzistencën e saj tokësore do të mbushë me vepra.
Benedikti XVI na fton që të kemi guxim e të jemi koherentë: Herodi thoshte se dëshironte ta adhuronte Foshnjën Hyjnore, por në të vërtetë donte ta vriste. Vetëm duke respektuar me koherencë çdo person, në çdo fazë të jetës – pohon Papa – promovohet paqja. E fëmijët, me pafajësinë e tyre – nënvizon – e pasurojnë njerëzimin me mirësi e shpresë dhe, me dhimbjen e tyre na nxisin të bëhemi të gjithë veprimtarë të drejtësisë e të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.