2006-12-27 18:02:01

Dhimbja e Papës për mbi 260 viktimat e Nigerisë.


(27.12.06 RV)Dhimbja e Papës për mbi 260 viktimat e shpërthimit të një naftësjellësi në Lagos të Nigerisë. Me një telegram ngushëllimi të nënshkruar nga sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, dërguar kryeipeshkvit të Lagos, kardinalit Okogi, Benedikti XVI siguron “solidaritetin e tij të thellë” dhe “lutje të zjarrta” që Zoti “t’u japë paqen e amshuar atyre që kanë gjetur vdekjen, si edhe ngushëllimin e forcën atyre që kanë mbetur pa shtëpi e të plagosurve”.
Sot, mijëra njerëz morën pjesë në funeralin e viktimave të aksidentit të djeshëm. Fatkeqësia ndodhi nga një shkëndijë, që ndezi zjarrin në njërin nga tubat, ku hajdutët kishin hapur një vrimë për të vjedhur naftën. Episode të kësaj natyre janë të shpeshta në një shtet si Nigeria, që megjithëse mban vendin e pestë ndër vendet e OPEK-ut për prodhimin e naftës, vuan nga mungesa e karburantit. Cdo vit rreth 5% e naftës vidhet dhe tregtohet ilegalisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.