Shqetësimet e Papës për një Evropë që nuk don të ketë më fëmijë dhe për një Perëndim
që e harron Zotin:janë tema tjera të fjalimit të Benediktit XVI para Kuries Romake.
(22.12.06 RV)Papa shprehu shqetësimin
e tij për Evropën e lodhur të ditëve të sotme , e cila harron Zotin dhe nuk do të
ketë më fëmijë. Fjalimi i gjatë që mbajti Ati i Shenjtë para Kuries romake pati në
qendër edhe temën e familjes dhe të celibatit meshtarak. Bendikti XVI kujtoi udhëtimin
e tij në Spanjë, ku u prek nga dëshmia e familjeve me shumë fëmijë: Nuk e fshehën
faktin se kanë pasur edhe ditë të vështira, se kanë kaluar edhe kriza. Por pikërisht
sepse u është dashur ta durojnë njëri-tjetrin, ta pranojnë njëri-tjetrin sërish në
kryqet e lodhjes së përditshme, duke jetuar e duke vuajtur dei në fund “po”-në e fillimit
– pikërisht në këtë rrugë “ku humbet” ashtu siç thotë Ungjilli, ishin pjekur, kishin
gjetur vetveten e ishin bërë të lumtur. Para kësaj dëshmie, Papa nuk mundi
të mos bëjë reflektimin: Para këtyre familjeve dhe fëmijëve të tyre, para këtyre
familjeve në të cilat brezat i japin dorën njëri-tjetrit, problemi i Evropës, që mesa
duket gati nuk do më fëmijë, ma shporon shpirtin. Për një të huaj, kjo Evropë duket
e lodhur, madje duket se po i thotë lamtumirë historisë. Ati i Shenjtë është
i vetëdijshëm për situatën e vështirë në të cilën ndodhen ata që duan fëmijë, por
problemi më i madh, sipas Benediktit XVI, është se “njeriu i sotëm është i pasigurtë
për të ardhmen” dhe pyet veten a është e drejtë “të çojë dikë drejt kësaj së ardhmeje
të pasigurtë”. Nëse nuk mësojmë edhe një herë se cilat janë bazat e jetës e nëse nuk
zbulojmë sigurinë që jep feja, do të jetë e vështirë t’ua besojmë të tjerëve dhuratën
e jetës e detyrën të përballojnë një të ardhme të panjohur. Papa kritikoi, në
këtë kuadër, edhe ligjet mbi të ashtuquajturat “çifte të faktit”, pra çifte që bashkëjetojnë
pa u martuar. E nuk la pa përmendur edhe martesat ndërmjet personave me të njëjtin
seks, pranimi i të cilave i heq rëndësinë të qënit mashkull apo femër, a thua se kjo
është diçka që secili mund ta vendosë në mënyrë autonome. E nuk është e vërtetë se
Kisha nuk duhet të ndërhyjë në këto çështje, pasi njeriu është në qendër të interesave
të Kishës. Përsa i përket celibatit të meshtarëve, Benedikti XVI theksoi se ai
duhet të jetë një dëshmi feje. Meshtari mbështetet krejtësisht mbi Zotin, duke hequr
dorë nga martesa, në mënyrë që t’ia çojë atë më pranë njerëzve, në mënyrë që t’i kushtohet
me trup e me shpirt shpalljes së Fjalës e shërbimit ndaj besimtarëve. E tillë ishte
dëshmia që na la Papa Gjon Pali II, përfundoi Benedikti XVI: Po, ai iu dhurua
pa rezerva Zotit, Krishtit, Nënës së Krishtit, Kishës: në shërbim të Shëlbuesit e
për shëlbimin e njeriut. Nuk u kursye në asgjë, e la veten të konsumohet deri në fund
nga flaka e fesë. Na tregoi se si, si njerëz të ditëve tona, mund të besojmë në Zotin,
në Zotin e gjallë që është afër nesh në Krishtin.