2006-12-21 17:10:12

Në Mesazhin e Krishtlindjes, imzot Sabah bën thirrje: ta çlirojmë Tokën Shenjte nga vdekja, nga shtypja, nga frika.


(21.12.2006 RV)Në Tokën Shenjte kemi nevojë të çlirohemi nga vdekja e nga frika, kemi nevojë për paqe e drejtësi. Kjo thirrje është në qendër të mesazhit që patritikut latin i Jeruzalemit u drejton për Krishtlindje të gjithë njerëzve vullnetmirë.
Patriku ua drejton urimin e tij të Krishtlindjes vëllezërve që ndodhen në Palestinë, në Izrael, në Jordani e në Qipro, ndonëse edhe sivjet Krishtlindja në Betlehem arrin me vdekje, me shtypje, me mure që ndajnë, me hekura të kryqëzuar ndër troje e ndër zemra. Mungesa e lirisë – nënvizon patriku - lind pasiguri e frikë, posaçërisht pas konflikteve aktuale ndërpalestineze, që vijojnë ta bëjnë Gazën vend vdekjeje. Situata nuk të lejon ta shikosh me optimizëm ardhmërinë e Lindjes së Mesme, siç nënvizon në mikrofonin tonë vetë imzot Sabahu:
Frika e së ardhmes shtrihet mbi gjithë zonën: mbi Irakun, Libanin, Sirinë Egjiptin, Jordaninë. Ardhëmëria po vihet në lojë për të gjithë e, megjithëkëtë, terrorizmi botëror vijon të gjejë mbështetje e porta të hapura”.
Por, vijon patriku latin i Jeruzalemit, kjo nuk mund ta pengojë Krishtin që lind, të sjellë me vete mesazhin e jetës, të paqes, të drejtësisë. Duke cituar Jereminë, Izainë e Shën Palin, prelati parashikon një ardhmëri paqësore për zonën, por vetëm në se fitojnë dashuria reciproke e solidariteti, posaçërisht nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.
Po, kemi nevojë pikërisht për solidaritet e jemi mirënjohës për të gjitha mesazhet vëllazërore që na vijnë nga të katër anët e botës. Por mbi të gjitha kemi nevojë për paqe, drejtësi, liri e sidomos për t’i dhënë fund pushtimit”.
Më pas patriku Sabah u bën thirrje njerëzve të pushtetshëm të tokës që të venë në lëvizje gjithë pushtetin e dashurisë, të jetës e të paqes, të skalitur në shpirtin e njeriut, për të favorizuar dialogun ndërmjet popullsive të Tokës Shenjte:
“Shpëtimin duhet ta shikojmë në afrimin e dy popujve, jo në ndarjen e tyre: ky është shpëtimi per palestinezët e izraelitët, ashtu si për të gjithë zonën. Të dy popujt janë të aftë të jetojnë së bashku në paqe e qetësi”.
Por sigurisht – thekson në përfundim patriku – nuk duhet të sundojnë më mbi këto troje shtypja, pushtimi, varfëria e poshtërimi. Të shkojmë në Betlehem edhe në këto Krishtlindje, për të shikuar atë që ndodhi 2000 vjet më parë e që ndodh edhe sot: për të dëgjuar engjëjt që kumtojnë paqen mbi tokën mbarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.