2006-12-21 17:10:28

Një libër i ri kushtuar martirëve katolikë në Kinë nën regjimin maoist.


(21.12.2006 RV)Titullohet “Libri i kuq i martirëve kinezë”. Është shkruar nga Gjerolamo Fazini, njëri nga drejtuesit e revistës “Bota e Misioni”, e përmuajshme e Institutit Papnor për misionet e jashtme. Është një nga përpjekjet e pakta për të përmbledhur historitë dhe dëshmitë e katolikëve të persektuar në Kinë dhe për t’i treguar njerëzimit të vërtetën e pakundërshtueshme mbi marrëzitë gjakatare të regjimit maoist kinez.
Vepra pasurohet me një parathënie të kardinalit Jozef Zen Ze-kiun, kryeipeshkëv i Hong Kongut. Intervistuam autorin e librit, ku gjejmë shumë faqe, të cilat u ngjasin atyre që u shkruan me gjak mbi pergamenën e trojeve shqiptare nga martirët e Kishës katolike e të mendimit të lirë.
Pyetje: - Tema e persekutimeve të kryera në Kinë në gjysmën e dytë të ‘900-tës ka qenë për një kohë të gjatë tabu. Madje edhe sot e kësaj dite është hedhur tepër pak dritë mbi këtë periudhë, që mund të quhet me plot gojën ‘e errët’ në historinë e Kinës. Ju, Gjerolamo Fazini, shprehni mendimin se diktatura maoiste duhet të përgjigjet për krime të barabarta, ose ndoshta edhe më të rënda, se krimet e kryera nga Stalini e Hitleri, duke zënë kështu vendin e parë në historinë botërore të krimit: mbi ç’elemente bazoheni?
Përgjigje: - Unë përmend studimet që janë bërë vitet e fundit, posaçërisht librin e titulluar ‘Revolucioni i urisë”, në të cilin citohen burime të brëndshme të Partisë Komuniste kineze. Sipas tyre, numri i viktimave të maoizmit arrin në dhjetra miliona njerëz. E kur flasim për viktimat e maoizmit, duhet të kemi parasysh si ata që vdiqën dhe ata që u mbytën si elementë kundërrevolucionarë, ashtu edhe viktimat e vendimeve të çmendura të maoizmit në këndvështrimin politik, ekonomik, bujqësor e tjerë e tjerë. Është krim më i shëmtuar ta mbytësh njeriun ngadalë-ngadalë, duke e shpersonalizuar e duke e zhveshur nga gjithçka njerëzore, sesa ta vrasësh menjëherë. Prej këndej mund të mësohet se zija kronike e bukës, nga e cila gjetën vdekjen miliona kinezë, është pasojë e çmendurisë gjakatare të Mao Ce Dunit.
Pyetje: - Ka shumë rëndësi të rishkruhet historia jo e largët e këtij vendi vigan që, i dalë nga izolimi kulturor dhe ekonomik i viteve të diktaturës, sot duket në skenën ndërkombëtare me plane të mëdha modernizimi, por megjithatë ngjall dyshime e paragjykime: kanë të drejtë ata që e shikojnë me këtë sy, apo jo – sipas jush e në dritën e situatës aktuale shoqëroro-politike të Kinës?
Përgjigje: - Është e vërtetë se Kina del nga izolimi maoist; por nuk duhet harruar se historia e Kinës është shumshekullore e, prej këndej, në se është e vërtetë se Kina – si të themi – duhet të ketë guxim t’ia hapë portat Perëndimit, është e vërtetë edhe e kundërta. Ne perëndimorët duhet ta njohim shumë më mirë këtë vend, të cilin sigurisht e njohim tepër pak. Në përgjithësi duhet ta njohim me fund tjetrin, në se duam t’i zhdukim në rrënjë dyshimet e mosbesimin reciprok.
Pyetje: - Gjithsesi na duket e arsyeshme që Kina t’i lajë një herë e mirë hesapet me të kaluarën e afërt, në se dëshiron të shpejtojë pikërisht procesin e integrimit, edhe ekonomik e kulturor, me pjesën tjetër të botës…
Përgjigje: - Po, sigurisht që edhe sot e kësaj dite në Kinë Mao Ce Duni është figurë e vënë fare pak në diskutim nga ana e forcave politike në pushtet, sikur shtegu i verbër në të cilin i priu vendit të tij të ishte thjeshtë një efekt anësor, pa rëndësi për të sotmen, që nuk meriton kurrfarë vëmendjeje. Prej këndej mund të themi se çmitizimi i Maos sapo ka nisur e duhet bërë shumë më tepër për t’u çliruar përfundimisht prej tij. Ky çmitizim po bëhet edhe në Perëndim e besoj se kur Kina do të mësojë ta lexojë të kaluarën më me qetësi e më pak e ideologjizuar, atëherë sigurisht do të mundet të lidhë marrëdhënie të drejta me pjesën tjetër të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.