Duke shfletuar kalendarin, Kisha katolike përkujtoi Shën Pjetër Kanizi.
(21.12.2006 RV)Shën Pjetër Kanizi njihej me epitetin, që nuk i shkonte për
shtat ‘çekani i heretikëve’; do të ishte më e gjetur të quhej hekur i vendosur ndërmjet
kudhrës e çekanit, do me thënë njeri i vënë në shenjestër, sepse predikimet e tij
të qarta ngjallnin zemrim në mjediset protestante e zili ndërmjet vetë shokëve të
tij të fesë. Pjetri lindi në Nemeg të Holandës më 1521. Bir i një familjeje të
pasur, pati mundësinë të ndiqte shkollat më të mira të kohës. Studioi për drejtësi
kanonike në Luven e për drejtësi civile në Këln. Kur ishte në këtë qytet, i pëlqente
të jetonte në kuvendin e çertozinëve. Askujt nuk i pati shkuar ndër mend se avokati
i ri, të cilit i jati i kishte siguruar një të ardhme të ndritur profesionale, nën
veshje fshihte grathoren. Leximi i një libri të vogël për ushtrime shpirtërore, shkruar
nga Shën Injaci, qe vendimtar për zgjedhjen e rrugës së jetës të Shenjtit të ardhshëm.
Si kreu përgatitjen shpirtërore nën drejtimin e Atë Faber, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve
e qe jezuiti i shtatë që bënte kushtet e përjetshme. Në Urdhërin ku kishte hyrë, iu
krijuan të gjitha mundësitë t’i kushtohej studimeve që i pëlqenin e të shuante etjen
për dituri. Botoi kështu njëra pas tjetrës veprat e Shën Çirilit të Aleksandrisë,
të Shën Leonit të madh, të Shën Jeronimit e të Ozios të Kordovës. Duke jetuar në
atmosferën e reformës e të kundër- reformës, mori pjesë aktive në Koncilin e Trentit,
si teolog i kardinalit Trukses e këshilltar i papës. U dallua për thellësinë e kulturës
së tij teologjike, për zellin në punë, por edhe për shpirtin pajtues. Shën Injaci
e thirri në Itali dhe e dërgoi menjëherë në Sicili për themelimin e kolegjeve të famshme,
e pastaj në Bolonjë, për të dhënë mësimin e teologjisë. Nga Bolonja shkoi në Gjermani
ku për 30 vjet me radhë qe epror provincial. Shkriu në këtë detyrë energjitë e tij
më të mira, në një epokë tepër të vështirë për shkak të përçarjes që ishte shkaktuar
nga reforma protestante. Meritoi epitetin Apostulli i dytë i Gjermanisë, pas Shën
Bonifacit.Piu V deshi ta krijonte kardinal, po ai iu lut Papës ta linte në shërbimin
e përvujtë të bashkësisë.