2006-12-20 17:24:01

Tradita të lashta të Krishtlindjes ndër shqiptarë:përshkrimi i Buzmit, realizuar nga imzot Hil Kabashi.


(20.12.2006 RV)RealAudioMP3 Koha e Ardhjes është, pra, kohë e pritjes së Shëlbuesit. Besimtarët përgatisin shpirtin e shtëpitë për ta pritur sa më mirë Mikun më të madh të zemrave njerëzore, Zotin e mishëruar. Shenja dalluese është Shpella e Betlehemit, skena që na kujton lindjen e Krishtit, realizuar me shtatore që krijohen nga materiale të ndryshme që nga allçia tek druri. Skena qëndrore është ajo e shpellës ose e kasolles, në qendër të të cilës vendoset grazhdi, ku prindërit e vunë Krishtin fëmijë në mesnatën e 24 dhjetorit. Në të dy krahët vendosen Zoja e Bekuar e Shën Jozefi, kau e gomari, ndërsa përjashta shpellës, barinjtë e bareshat, Kryeengjëlli Gabriel e figura të tjera, sipas vendit e traditave. Mbretërit Dijetarë vendosen para Shpellës më 6 janar, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, që ndër shqiptarë quhet edhe Solemniteti i Ujit të Bekuar.
Mbretërit dijetarë i takojmë në Ungjillin e Shën Mateut, i cili shkruan: “Në kohën e mbretit Herod, ja se arritën nga Lindja Mbretërit dijetarë…”. Sipas traditës ndoqën një yll, që u priu drejt Betlehemit në Judé, për të adhuruar Krishtin Fëmijë, duke i dhuruar ar, dhuratë e caktuar për mbretërit; kem, i caktuar për adhurimin e elterit të Hyjit dhe mirrë, balsam për të vdekurit. Nga Ungjijtë apokrifë (dmth ata që nuk pranohen nga Kisha si të frymëzuar drejtpëdrejtë nga Zoti) mësojmë se mbretërit ishin tre e se quheshin Gaspër, Melkior e Baltasar. Duken për herë të parë në një mozaik të shekullit VI, që ruhet edhe sot e kësaj dite në Kishën e Shën Apolinarit në Ravenë. Vizita e Mbretërve Dijetarë, që Kisha ortodokse, anglikane e katolike e festojnë më 6 janar, ditën e Dëftimit të Zotit, kremton dëftimin e parë të Jezusit para paganëve. Në katedralen e Këlnit ruhen ato që pandehen si reliket e tyre.Por, ndërsa flasim për traditën e Krishtlindjes në përgjithësi, duhet kujtuar se ka edhe tradita të shumta të veçanta, sipas vendeve ku kremtohet festa e madhe, e cila gjithsesi kudo ka në qendër të vëmendjes përtëritjen e shpirtit, lindjen e një jete të re, prandaj edhe ndër shqiptarë njihet edhe me emrin “Këshndellë” fjalë që rrjedh nga Sh’Kënedhë - pra – përtëritje. E në përkim me këtë konceptim të festës, lindin edhe rite të ndryshme, ndërmjet të cilave zgjodhëm atë që është më i lashti ndër shqiptarë, “Buzmin”.
Duke shfletuar arkivin e programit tonë, zgjodhëm një përshkrim të Buzmit, realizuar nga Imzot Hil Kabashi, Adminstrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut, bashkëpunëtor i ngushtë i Programit shqip pranë Radio Vatikanit, kur ishte misionar ndërmjet shqiptarëve të Shtutgardit. Ta dëgjojmë, pra, kremtimin tradicional të Buzmit, realizuar me fëmijë e të rinj shqiptarë nga diaspora e Gjermanisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.